Java e Ngjalljes sё Krishtit – java e Pashkëve tё Bardha
R.SH. - Vatikan
Java e tetëditëshit të Pashkëve (ose Java e Parë e Kohës së Pashkëve), e cila fillon me vetë të Dielën e Pashkëve, karakterizohet me solemnitet të madh dhe zgjat gëzimin e Ngjalljes së Krishtit Zot dhe dhuratën e shëlbimit. Java në albis - ky është emri i caktuar nga liturgjia e Kishës, për shkak të zakonit të neofitëve që vishnin petkun e bardhë të marrë në Pagëzim në tetë ditët pas Pashkëve - është konfiguruar si zgjerimi natyror i Ditës së Jezu Krishtit të Ngjallur në ditët e njeriut, aq i madh është misteri i fesë që ne kremtojmë në festën e Ngjalljes.
Nga kjo rrjedh se në qendër të liturgjisë së këtyre ditëve janë pikërisht paraqitjet e Krishtit të Ngjallur dishepujve të tij, si një shenjë e qartë e realizimit të premtimit të Jezusit: «U ngjall [...]. Shkoni dhe thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit: “Ai po shkon para jush në Galile. Atje do ta shihni, sikur u pat thënë ” ( Marku 16,1-7).
E njëjta liturgji e Fjalës në ditën e Pashkëve paraqet Zotin Jezus, i cili u shfaqet dishepujve «i gjallë, pas mundimit të vet, me shumë prova, ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke folur për mbretërinë e Hyjit» (Veprat e Apostujve 1,1-8a).
Jezusi i dëftohet Marisë Magdalenë, e cila bëhet lajmëtare e tij pranë dishepujve” (Ungjilli: Gjoni 20,11-18). Së fundi, Pali, në Letrën e Parë drejtuar Korintasve, rendit deri në gjashtë dëftime të Krishtit të Ngjallur, duke dëshmuar kështu: «Ai iu duk Kefës dhe pastaj të Dymbëdhjetëve [...]; u duk, në të njëjtën kohë, vëllezërve që ishin së bashku më shumë se pesëqind vetë, [...]; Pastaj iu dëftuar Jakobit dhe mandej të gjithë apostujve; më së fundi m'u dëftua edhe mua " (Letra 1 Korintasve 15,3-10a).
Kremtimi i Pashkëve liturgjikisht zgjatet gjithë javën, këtë javë, e cila dikur quhej “In Albis”. Kështu, Besimtarët vijojnë të kremtojnë gjatë gjithë kësaj jave, duke e zgjatur kështu gëzimin e së Kremtes më të madhe të vitit që është Ngjallja e Krishtit
Kështu, Java pas Pashkëve, të cilën sapo e kemi filluar, quhet in Albis, sepse të posapagëzuarit këtë javë visheshin me të bardha – e in albis do të thotë “me të bardha” – deri të dielën ‘in Albis’, që bie të dielën e ardhshme.
Po jo vetëm kjo javë, pra Tetëdishme i Ngjalljes së Jezu Krishtit, po të gjitha 50 ditët e kohës së Pashkëve, që shkon deri për Rrëshajë, s’janë tjetër, veçse zgjatje e kumtit dhe gëzimit të Pashkëve të Ngjalljes së Jezu Krishtit.
E në të vërtetë, e gjithë koha e Pashkëve deri në Rrëshajë në lashtësi quhej e Rrëshajëve, dmth festa e Rrëshajëve ishte festa e 50 ditëve e jo e ditës së 50-të. E gjithë kjo kohë është kohë e përgatitjes për Rrëshajë. E si duhet të përgatitemi? Kisha na e jep shembullin duke na vënë në buzë këtë lutje të vazhdueshme: “Eja, eja Shpirti Shenjt! Eja, Shpirti Krijues! Eja! Vetëm se ne shpesh herë themi eja, eja, e nuk e kuptojmë ç’po kërkojmë. Ose themi: Eja Shpirti Shenjt, veç mos prek gjë në jetën time, mos më ndrysho asgjë. Që të përgatitemi për Rrëshajë, duhet ta lëmë Shpirtin Shenjt të lirë që të ndërhyjë si të dojë në jetën tonë, e në se i duket e nevojshme, të bëjë edhe ndryshime.
Shpirti Shenjt Zot është Vetja e tretë e Trinisë së Hyjit, në lidhje trinitare të njëllojtë me Atin dhe Birin. Para Krishtit konceptohej pak a shumë si forcë, si rrezatim i Hyjit, një mënyrë për ta bërë të pranishëm Zotin. Me Krishtin kemi dëftimin e plotë të Trinisë e prej këndej, edhe të Shpirtit Shenjt, i cili është i dërguar, që dëshmon, që udhëheq drejt së vërtetës së plotë. Këto janë tiparet e vetjes. Sigurisht nuk kemi figurat.
Bibla flet për Shpirtin Shenjt përmes figurës së erës, të ujit, të zjarrit, të aromës së këndshme, ose edhe të pëllumbit, sepse ndryshe nuk mund ta përfytyrojmë. Është një realitet pastërtisht shpirtëror. Teologjikisht Shën Agostini thotë se është dashuri e personifikuar ndërmjet Atit e Birit. Në se Zoti është dashuri, Shpirti Shenjt Zot është pikërisht lidhja ndërmjet Atit e Birit, lidhja e dashurisë. Kudo arrin Shpirti Shenjt, arrin dashuria e Zotit. E ne kemi tepër nevojë për Të, sepse pa Dashurinë e Zotit nuk mund të jetohet.