Kërko

Këshilli Ekumenik i Kishave: “Asnjë luftë nuk është e shenjtë”

Në një notë, Këshilli Botëror i Kishave kritikon dekretin e miratuar më 27 mars nga Këshilli Botëror i Popullit Rus, kryesuar nga patriarku Kirill, ku agresioni kundër Ukrainës konsiderohet si luftë e shenjtë: "Lufta është e papajtueshme me vetë natyrën e Zotit dhe me parimet themelore të krishtera dhe ekumenike”, shkruajnë anëtarët e Këshillit, duke denoncuar pushtimin e Ukrainës si “të paligjshëm dhe të pajustifikueshëm”

R.SH. – Vatikan

Për Këshillin Botëror të Kishave, dekreti i miratuar më 27 mars nga Këshilli XXV Botëror i Popullit Rus, i cili e përshkruan konfliktin në Ukrainë si "luftë të shenjtë", paraqet probleme serioze. Në një notë të nënshkruar nga Sekretari i përgjithshëm i tij, reverendi Jerry Pillay, në datën 12 prill, thuhet se Këshilli Botëror i Kishave - ku bëjnë pjesë 352 Kisha kryesisht protestante, anglikane dhe ortodokse e ku Kisha Katolike merr pjesë si vëzhguese - nuk mund të "pajtohet" me dekretin "E tashmja dhe e ardhmja e botës ruse", i cili u drejtohet autoriteteve legjislative dhe ekzekutive të Rusisë nga forumi më i madh publik rus. Sipas statutit të tij, kreu i organizmit është patriarku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Kirill, nën presidencën e të cilit mbahen mbledhjet vjetore të Këshillit.

Deklarata të papajtueshme

“Këshilli Botëror i Kishave (WCC) nuk mund ta kuptojë si mund të pajtohet deklarata se “operacioni ushtarak i veçantë në Ukrainë është luftë e shenjtë” me ç’pati thënë vetë patriarku Kirill, ose me deklaratat e organit drejtues të Këshillit, që u drejton të krishterëve thirrjen “për t’u bërë njerëz të paqes në mes të konfliktit”, lexohet në dokument. Në të kujtohet se në maj 2023, gjatë takimit me Sekretarin e përgjithshëm të Këshillit, Kirill deklaroi se çdo përmendje e "luftës së shenjtë" në kuadrin aktual lidhej me sferën metafizike, jo me konfliktin fizik të armatosur në Ukrainë. Shprehej kështu në të njëjtën mënyrë me Sekretarin e përgjithshëm, pasi asnjë dhunë me armë nuk mund të jetë "e shenjtë".

Lufta është e papajtueshme me Zotin

Sipas rev. Pillay, dekreti “bie ndesh me këtë qëndrim”: “Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt 2022, organet më të larta drejtuese të Këshillit Botëror të Kishave – kujton Sekretari i përgjithshëm – deklaruan fuqishëm se ‘lufta është e papajtueshme me vetë natyrën e Zotit' dhe është në kundërshtim me parimet tona themelore të krishtera dhe ekumenike". Pushtimi i Ukrainës u quajt pa mëdyshje "i paligjshëm dhe i pajustifikueshëm". Gjithashtu, u kritikua ashpër "çdo keqpërdorim i gjuhës dhe i autoritetit fetar për të justifikuar agresionin e armatosur dhe urrejtjen".

Prandaj, Këshilli Botëror i Kishave - vazhdon nota - "nuk mund të pranojë që dekreti ta paraqesë pushtimin e paligjshëm rus të fqinjës sovrane, Ukrainës, si fazë të re të luftës nacionalçlirimtare të Rusisë", si edhe hedh poshtë idenë se "i gjithë territori i Ukrainës moderne duhet të hyjë në zonën e ndikimit ekskluziv të Rusisë”.

Janë kërkuar sqarime

Dokumenti njofton se rev. Pillay i ka shkruar patriarkut Kirill për t'i kërkuar sqarime: "Është kërkuar një takim urgjent për ta diskutuar çështjen dhe për të gjetur mënyrën e përballimit të shqetësimeve të shtruara brenda organizatës", e cila ka si objektiv dialogun ndërmjet të krishterëve të gjithë botës. Kisha Ortodokse Ruse është anëtare e Këshillit Botëror të Kishave që nga viti 1961.

16 prill 2024, 10:48