Kërko

Bazilika e Zojës së Këshillit të Mirë Bazilika e Zojës së Këshillit të Mirë

Maji i Marisë: Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë, Bazilikë

Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë rrëzë Kështjellës Rozafa, e nderuar nëpër shekuj pushtimi nga njerëz ardhur prej të katër anëve të Shqipërisë e tutje, tani është Bazilikë. E na pret për muajin maj, kushtuar Virgjërës Mari…

R.SH. - Vatikan

Nesër, fillon muaji maj, të cilin, tradicionalisht, Kisha Katolike ia kushton Zojës së Bekuar. Të gjithë besimtarët ftohen t’i drejtojnë lutje Nënës së Zotit për të gjitha nevojat e tyre, të thonë Rruzare e të shkojnë për ta vizituar në shenjtëroret mariane. Këtë vit, ky muaj merr kuptim më të thellë edhe për katolikët shqiptarë, që shkojnë gjithnjë në shtegtim te Zoja e Këshillit të Mirë, rrëzë kështjellës Rozafa, në Shkodër.

Me gëzim dhe nderim të thellë, pikërisht në ditën e festës së Zojës së Këshillit të Mirë, më 26 prill, nga altari i Meshës të së kremtes së madhe, u përhap lajmi i gëzueshëm: “Papa Françesku pranon kërkesën e Imzot Angelo Massafrës për t’i dhënë titullin “Bazilikë minore, Shenjtores së Zojës së Këshillit të Mirë…”. Pasuar nga shpallja:

“E shpallim ngritjen e Shejtnores së Zojës së Këshillit të Mirë në statusin e çmuar të Bazilikës. Kjo Shenjtnore, tashmë e caktuar si Bazilikë minore, do të vijojë të jetë fener feje, shprese dhe dashurie amtare”.

Ky titull është dëshmi e devotshmërisë së palëkundur të besimtarëve shqiptarë ndër shekuj. Edhe atëherë kur Figurja fltuturoi larg…

E Papa Benedikti XIV në bulën e tij "Iniunctae Nobis", u shpreh kështu me 2 korrik 1753 për Nanën e Këshillit të Mirë:

"Figurja siç thotë gojëdhëna e devotshme, me sherbesë të ëngjejve, u mbart nga qyteti i Shkodrës e u çue në Gjenecano".

Ndonëse mbeti  deri më sot ndër zemra… Derisa e solli me vete Papa Gjon Pali II, kur shkeli lumturisht në trojet tona.

Kishte të drejtë imzot George F. Dillon që, në librin kushtuar shenjtërores së Gjenacanit, pati shkruar:

"Ka një arsye shumë të veçantë që, Nëna e Zotit, nën titullin Zoja e Këshillit të Mirë, duhet të nderohet, sepse nën këtë titull Ajo plotëson një nevojë të veçantë: mungesën e Këshillit të Mirë në botë”.

Ndërsa falënderojmë Atin e Shenjtë për këtë bekim, i lartojmë zemrat tona në shenjë mirënjohje ndaj Zojës së Këshillit të Mirë, Nanës sonë.

Prania e saj hirplote do të vazhdojë të na prijë e të na frymëzojë në ecjen plot me besim. E, në fillim të muajit maj, kushtuar pikërisht Zojës, i lutemi me fjalët, që u bënë ballë shekujve:

Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne!

O e lumnueshmja Virgjina Mari

Ti që në këshillin e amshueshëm të Atit qiellor

u zgjodhe nanë e Birit të tij:

Ti, arka e vizareve hyjnore;

Ti, avokatja e mëkatnorëve;

Ti, këshilltarja e dyshimtarëve,

Seli e dijes:

silli sytë e tu  kah Shqipnia jote:

Ndihmoje, o Nana e ndihmës së krishtenë:

Ty po të porositet,

Ty po të kushtohet,

Në duert tua po e lëshon zemrën

e shpirtin!

Ti rueje, mbroje, qortoje!

Ngushëlloje në të vështira të jetës;

Ti të jesh për të këshilltare e dlirë;

E ti pajtoje me Birin tand

idhnue prej fajeve të saj!

Ti priji në jetë

e ban që gjurmët e lashta të saj

ta drejtojnë kah Jezu Krishti,

Biri yt

që asht rruga, e vërteta, jeta!

Ashtu kjoftë

Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për Shqipninë tande!

30 prill 2024, 11:17