Medalja e mrekullive? Arma sekrete e Nënë Terezës
R.SH. – Vatikan
Armë e fuqishme e hirit të Tënzot, mjet i vërtetë i dashurisë së mëshirshme të Krishtit, i nxitur nga Maria, siç ndodhi në dasmën e Kanës. Kjo ishte për shenjten Nënë Terezë, tejet e përkushtuar ndaj Zojës së Bekuar, medalja e mrekullive, të cilën e përhapi pa u lodhur në mbarë botën.
Gjithmonë, mbante me vete shumë kopje, që ua shpërndante njerëzve që takonte. Njerëz të zakonshëm, ose personalitete të mëdha, si princesha Diana e Anglisë ose Al Bano dhe familja e tij. Ylenia Carrisi-t, vajzës së madhe të këngëtarit, së cilës i humbën gjurmët në janar të vitit 1994, i pati dhënë një më të madhe, sikur të parashikonte nevojën e saj të veçantë për mbrojtje. Shenjtja shqiptare e bamirësisë i pati dhënë një medalje të tillë edhe imzot Angelo Comastri-t, që më vonë u bë kardinali vikar i Papës për Qytetin e Vatikanit, e ai e ngërtheu në unazën e tij ipeshkvnore.
Zakonisht Nënë Tereza e mbante medaljen në duar për disa minuta, pastaj e puthte, lutej në heshtje për disa çaste dhe në fund ua jepte njerëzve, që e rrethonin. Fëmijëve u shtonte një karamele dhe një buzëqeshje plot ëmbëlsi të papërshkrueshme.