Në Paris vijojnë të përsosen vetratat e ardhshme të Notre-Dame
R.SH. / Vatikan
Lajmi i përhapur në dhjetor 2023 shkaktoi shumë diskutime. Presidenti francez, Emmanuel Macron, e miratoi zëvendësimin e vetratave të padëmtuara nga zjarri, me vetrata bashkëkohore, si kujtim për kohët që do të vijnë e, sidomos, për të lënë mbi ato mure të prekura nga zjarri, “shenjën e shekullit të 21-të”. Realizohet, kështu, edhe dëshira e shprehur nga Imzot Laurent Ulrich, kryeipeshkëv i Parisit, “për gjurmët e kësaj ngjarjeje në ndërtesën e reastauruar”. Mendimin e tij e pason një peticion i historianit të artit Didier Rykner, që mblodhi rreth 140.000 firma. Më 9 mars 2024, Ministri i Kulturës, Rachida Dati, emëroi një komitet artistik, kryesuar nga Bernard Blisène, ish-drejtor i Muzeut Kombëtar të Artit Modern të Centre Pompidou, për të studiuar propozimet e artisëve.
Një seri vetratash figurative
Këshillimi, i nisur më 10 prill, do të përfundojë në fund të majit 2024 ndërsa vetratat nuk do të vendosen para vitit 2026, por parashikohet që të paraqitet një prototip për rihapjen e Notre Dame de Paris më 8 dhjetor. Çdo projekt mund të realizohet nga një artist e një mjeshtër xhamash, duke iu përgjigjur kritereve tejet të sakta. Vetratat e reja duhet të prodhojnë dritë neutre, të së njëjtës natyrë, ngjyrë dhe intensitet, si ato që prodhojnë vetratat aktuale.
Vetratat janë simbole të Shpirtit Shenjt
Programi ikonografik, dokument i hartuar nga dioqeza e Parisit, do të jetë nën shenjën e Shpirtit Shenjt.
Nën këtë shenjë është edhe poezia e famshme, kushtuar këtij vendi të jashtëzakonshëm, nga filozofi, poeti dhe shkrimtari italian, Lanza del Vasto (1901- 1981). Ai banonte në një papafingo pariziane, me barkun bosh. Nuk kishte bukë, po ngopej me dritë. E drita e frymëzoi të shkruajë, duke soditur vetratat e Notre Dame, poezinë e titulluar: “Nous remonterons blancs comme un prêtre à l’autel” – “Do të kthehemi të bardhë, si prifti në altar”. Të ndjekim disa vargje, që të rrënqethin e të bëjnë të fluturosh me krahë kerubinësh:
... ... ... ... ... ...
Do të shohim qenien
dhe pamjen që digjen!
Le të digjet përqafimi
n’ këtë trëndafil 1 ngjyrë ar,
kur të vdekur e të veshur
me trupat tanë të pavdekshëm
do të kthehemi të bardhë
si prifti në altar....
1. trëndafil - rozoni