Kërko

 Yobel Shofar verso il Giubileo Yobel Shofar verso il Giubileo

Në origjinë të Jubileut, tingulli i Jobelit

Shofar a briri i dashit, që përdoret në traditën hebraike për të shpallur fillimin e disa prej festave të shenjta, është në bazë të fjalës "Jubile". Me tingullin e këtij instrumenti lidhen episodet më të spikatura të historisë së shëlbimit: nga flijimi i Abrahamit - deri në shpalljen e Dhjetë Urdhërimeve. Rabini Di Segni: "nga Jobel niset mesazhi shoqëror i drejtësisë dhe i barazisë"

R.SH. / Vatikan

Tingulli i Jobelit na nxit ta dëgjojmë fjalën Jubile. Duke na kujtuar tingullin depërtues, karakteristik për bririn e dashit, shofar që, sipas traditës biblike, shënon fillimin e disa festave të shenjta për judaizmin, si Rosh HaShanah, Viti i Ri hebre ose Yom Kippur, dita e shlyerjes së mëkateve. Instrumenti përmendet shpesh në Torah, në Talmud dhe literaturën pasuese rabinike.

Feja e Abrahamit

Sipas traditës, Bririt të dashit i fryhej për të kujtuar fenë e patundur të Abrahamit në malin Moriah, ku Patriarku nuk u lëkund para flijimit të djalit të tij, Isakut, flijim që ia kërkonte vetë Zoti! Një dash i ngatërruar me brirë në një shkurre qe shenja që tregonte se Perëndia e kishte vlerësuar besnikërinë e patundur e bindjen e tij.

Tingulli i bririt
Tingulli i bririt

Tingulli i bririt

Një e shtunë e gjatë 12 muaj

Tingulli i bririt  në Bibël shpall një tjetër solemnitet të madh: Jobelin. Kjo fjalë për fjalë do të thotë "dash". Sipas Shkrimeve, kujtohet në Kapitullin e 25-të të Librit të Levitikut çdo shtatë javë-vjet, ndërsa në vitin e pesëdhjetë duhet të binte "boria e brohoritjes" për të shpallur një "të shtunë" të gjatë dymbëdhjetë muaj, në të cilën toka do të pushonte, borxhet do të faleshin dhe pasuritë, do të ktheheshin në pronësitë e tyre fillestare.

Tingujt e Shofarit

Janë katër, tinguj karakteristikë të Shofarit: Tekiah, një notë e gjatë e gjatë, e cila kujton një thirrje solemne; Shevarimi, i përbërë nga tri nota me gjatësi mesatare, të ngjashme me tingujt e vajit, të kujton ligështinë njerëzore dhe të fton të reflektosh për veprimet e kaluara; shpërthimi T'ruah, një seri notash të shkurtra, të thyera, të kujtojnë alarmin e ngutshëm për t'u zgjuar nga gjumi shpirtëror. Në festën e Rosh HaShanah, të tre tingujt kombinohen në Tekiah gedolah, ose "Tekia e Madhe", duke nënkuptuar thirrjen për ndryshim të qëndrueshëm dhe shpengim.

Yobel Shofar
Yobel Shofar

Shofar, pra, paralajmërim për të reflektuar mbi jetën e dikujt, për të kërkuar përmirësim, është bërë sipas një procesi artizanal që përfshin heqjen e pjesës së brendshme të bririt të dashit dhe lustrimin e mëvonshëm.

Viti i hirit të Zotit

Për Izraelin, praktika e Jubileut ka qenë gjithmonë e lidhur me ardhjen e Mesisë, i cili, sipas profetëve, vjen për të përuruar vitin e hirit të Zotit. "Që të zbatohet Jubileu, paramendohet që i gjithë populli hebre të banojë në trojet e Izraelit" - shpjegon për Vatican News kryerabini i Bashkësisë Hebre të Romës, Riccardo Shemuel Di Segni. “Kjo situatë u ndërpre në kohën e mërgimit të parë të bërë nga asirët, e kështu Jubileu u ndërpre shtatë shekuj para epokës së krishterë”. Robëria babilonase e hebrenjve të Jeruzalemit në kohën e Nebukadnezarit II përshkruhet në Librin e Mbretërve, si dhe në Librin II të Kronikave ose në ato të profetëve si Ezdra, Nehemia a Psalmet që i referohen qartë asaj.

Shpallja e Dekalogut

“Fjala italiane giubileo - vazhdon ai - rrjedh nga hebraishtja yōbēl, nëpërmjet transformimeve të ndryshme në latinisht. Këtë fjalë e gjejmë, për shembull, kur shpallet Dekalogu”. "Kur të bjerë boria, vetëm atëherë ata do të jenë në gjendje të ngjiten në mal" - lexojmë në Librin e Daljes - Eksodi. “Jobel është i lidhur ngushtë me tingullin, i cili në antikitetin e largët ishte sinjali zyrtar, që u kujtonte të gjithëve: në këtë çast nis viti jubilar”.

Jobel, në origjinën e jubileut
Jobel, në origjinën e jubileut

Jobel, në origjinën e jubileut

Çlirimi i skllevërve

Ka dy aspekte ligjore të lidhura me Jobelin: i pari është çlirimi i skllevërve. Lexohet gjithnjë shkrimi, që përmban Levitiku: «Nëse vëllai yt që është me ty bie në varfëri dhe ta shet veten, mos e bëj të punojë si skllav; duhet të jetë me ju si punëtor, si qiramarrës. Do t'ju shërbejë deri në vitin e jubileut; atëherë ai do të largohet prej jush me fëmijët e tij, do të kthehet në familjen e tij, në pronën e etërve të tij. Sepse ata janë shërbëtorët e mi që i nxora nga dheu i Egjiptit; ata nuk duhet të shiten, si shiten skllevërit”.

Anulimi i pronësisë së tokës

Aspekti i dytë ka të bëjë me "anulimin e pronësisë mbi tokën: "Në këtë vit të jubileut secili do të kthehej në zotërimin e tij". “Na kujton sistemin biblik, sipas të cilit” - saktëson Di Segni - “kur izraelitët mbërritën në Tokën e Premtuar, trojet u ndanë ndërmjet fiseve dhe brenda fiseve e familjeve të ndryshme, kështu që çdo familje kishte një pjesë toke. Mund të ndodhte që, në varësi të evolucionit të kohës e të ekonomisë, njëri mund të humbiste gjithçka; tjetri, të grumbullonte pasuri. Jubileu nënkuptonte zhdukjen e gjithçkaje, domethënë, rikthimin e të gjithëve në pronat e zanafillës”.

Të gjithë rifillojnë sipas mundësisë

“Mesazhet që vijnë nga jubileu janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Na kujtojnë mundësinë, që i jepet gjithsecilit për të ndërtuar denjësisht jetën edhe me një copë të vetme toke. Në kohët e lashta - vëren kryerabini i Romës - toka, bujqësia, ishte burimi kryesor i jetës. Pra, të gjithë duhej të kishin pjesën e tyre të ushqimit. Dhe nëse me kalimin e viteve dikush u pasurua dhe dikush u varfërua, Jubileu shërbeu për të riorganizuar gjërat, për të rifilluar të gjithë me të njëjtat mundësi".

Mesazhi social i Jobelit

Pastaj ka një mesazh që në një farë mënyre të kujton ngjarjet aktuale dhe temat e barazisë sociale e të mbrojtjes së krijimit, kujdestarët e të cilave janë burri dhe gruaja. “Toka nuk na përket neve. Toka na jepet si dhuratë. Toka është e Zotit që vendos si ta japë, sa ta japë, por mbi të gjitha e jep njësoj. Nëse ndodh pabarazi mes njerëzve, kjo paudhësi - vazhdon Riccardo Di Segni - duhet korrigjuar sistematikisht dhe periodikisht. Është një mesazh shoqëror me rëndësi të madhe. Vështirë të përkthehet në situatën aktuale ekonomike, por parimi që të gjithë të kenë mundësinë të nisin në mënyrë të barabartë është themelor për vendosjen e drejtësisë dhe të barazisë në marrëdhëniet shoqërore”.

16 prill 2024, 13:31