Kërko

 Besimtarët kremtojnë të Premten e Madhe në Kinshasa Besimtarët kremtojnë të Premten e Madhe në Kinshasa  (ANSA)

Pashkët nëpër botë: nga Zaporizhzhia, Siria, Sri Lanka e deri në burgje…

Krishti u ngjall për të gjitha vendet, për të gjithë njerëzit, ndaj Pashkët janë festa e mbarë njerëzimit. Po jetojmë disa çaste të kësaj feste të jashtëzakonshme, duke u nisur nga Ukraina, për të pëfunduar në burgjet italiane…

R. SH. - Vatikan

Nunci Apostolik në Ukrainë, imzot Kulbokas: Pashkët në Zaporizhzhia-n e bombarduar

Nunci apostolik për Pashkë ishte në Zaporizhzhia, qytet që bombardohet pothuajse çdo ditë. E zgjodhi vetë këtë vizitë  sepse  deshi të lutet me njerëzit, që duke jetuar ndërmjet jetës e vdekjes, e shohin lutjen me mall, me një shpërthim të jashtëzakonshëm shpirti, mbasi nuk kanë ngushëllim tjetër! Askush nuk do të mund t'i shpëtojë, veç Zotit, aq i fortë është terrori i luftës. E di sa domethënëse është të jetosh të paktën ca çaste me ta ndërsa në Kherson, por edhe në Kharkiv, arrijnë shumë pak ndihma humanitare. Organizatat katolike janë shumë aktive këtu dhe marrin, ndër të tjera, mbështetjen e vetë Atit të Shenjtë nëpërmjet Lëmoshtarit të tij, Kardinalit Krajewski. E pashë me sytë e mi këtë mbështetje, ashtu si e pashë edhe si vjen kjo ndihmë e si shpërndahet. E pashë edhe sytë e njerëzve që marrin një copë bukë dhe diçka për ta shoqëruar: janë vërtet mirënjohës, sepse nuk kanë asgjë tjetër. Meqenëse shumë prej tyre kanë humbur punën për shkak të mosfunksionimit të fabrikave në valën e luftës, numri i  nevojtarëve për këtë ndihmë po rritet. Kështu që është e rëndësishme për mua, e mendoj edhe më e rëndësishme për katolikët që jetojnë këtu.

Pashkët në Siri, Atë Jallouf: “Jetojmë si në terrin para agimit”

Në L'osservatore Romano lexojmë dëshminë e famullitarit apostolik të Halebit, vend ku varfëria është e shfrenuar dhe ku një brez i tërë ka parë vetëm luftë. Meshtari pohon "Jetojmë si në terr, para agimit”.

Një brez i tërë të rinjsh në Siri nuk dinë asgjë tjetër veç luftës. 13 vjet pas fillimit të konfliktit katastrofik - i cili shpërtheu në mars 2011 në vazhdën e shtypjes së protestave popullore kundër Presidentit Bashar Al Assad, me trashëgiminë e tij të tmerrshme prej më shumë se 500,000 vdekjesh - fëmijët sirianë të lindur atëherë po i afrohen adoleshencës në një atmosferë pasigurie, me fëmijëri të mohuar dhe varfëri të skajshme. “Për popullsinë siriane situata sot është më e keqe se në fillim të luftës”, thotë Atë Hanna Jallouf, vikar apostolik i Halebit, i cili saktëson: “Është e vërtetë se në një pjesë të vendit ka armëpushim, por jeta kushton shumë, e fantazma e  varfërisë endet kudo”.

Sri Lanka. Pesë vjet më parë, sulmet e Pashkëve: dhuna nuk e cenoi fenë

Masakrat, që shkaktuan 270 të vdekur më 21 prill 2019, e shtynë qeverinë e vendit të forcojë masat e sigurisë për kishat e ndryshme të krishtera gjatë këtyre ditëve festive. Pjesëmarrja në ritet e Triditshes së Pashkëve ishte masive. Edhe pse Krishti është shpresa e atyre që mbajnë shenjat e masakrave të vazhdueshme.

Policia ruajti hyrjen e kishave. Oficerët me rroba civile ndoqën fshehtësisht liturgjitë e Javës së Madhe, ndërsa vullnetarët katolikë në të gjitha famullitë organizuan shërbimin ndihmës të rendit. Qeveria e Sri Lankës njoftoi, në funksion të Pashkëve, forcimin e masave të sigurisë për kishat e feve të ndryshme të krishtera. Festimet e Pashkëve ishin të prekura nga pasojat e sulmeve me bomba që tronditën kombin të Dielën e Ringjalljes 2019, duke vrarë besimtarët e pambrojtur në tri kisha dhe tre hotele. Plagë e hapur ende. Tensioni është i dukshëm, kujtimi i atyre akteve të tmerrshme, që shkaktuan kaq shumë vuajtje duke u marrë jetën e 270 njerëzve dhe duke plagosur mbi 500, në mënyrë të pashmangshme del në sipërfaqe, emocioni në zemra rishfaqet, të afërmit e viktimave sjellin me vete fotot e tyre dhe njerëzit i rrethojnë me lule. “Është çasti i përkujtimit, është e Premtja jonë e Madhe në të cilën kujtojmë masakrën e të pafajshmëve, njerëzve që ishin në kishë për të festuar ringjalljen e Krishtit” – me këto fjalë në buzë «populli i Zotit i jetoi kremtimet e Pashkëve të sivjetme”. Pjesëmarrja masive në ritet e Triditshes së Pashkëve  tregoi se dhuna nuk i mposhti besimtarët, përkundrazi: çelnikosi besimin e tyre të plotë në Krishtin, i cili pasi vuajti, u ringjall për t’u sjellë të gjithëve shpëtimin dhe shpengimin. Krishti është shpresa të gjithë atyre që sot mbajnë shenjat masakrave të tmerrshme!

Pashkët në Mongoli, gëzimi i kthjellët i një populli

Kardinali Giorgio Marengo, prefekt apostolik i Ulaanbaatar, kujton ritet dhe traditat e bashkësisë së vogël katolike të mbledhur në kremtimet e Triditshes: me pak lot emocioni e shumë kremtime, pa manifestime të mëdha të jashtme.

Java e Shenjtë në Mongoli u jetua si  kohë vërtet e fortë, e veçantë, unike. Për të paktën dy vjet, katekumenët e rritur u përgatitën për këtë çast themelor të jetës. Shoqërimi i tyre në këtë udhëtim i ndihmoi misionarët të rijetojnë mrekullinë dhe radikalitetin e këtij misteri.  

Të Dielën e Mundimeve bashkësitë e ndryshme, kremtuan duke tundur degëza të holla halore (palmat dhe ullinjtë janë shumë larg), të cilat sapo kanë bleruar pas dimrit të gjatë. Procesionet modeste - të kryera gjithmonë vetëm brenda hapësirave të njohura nga autoritetet - shpesh sulmohen nga erërat e ftohta dhe pluhuri. Pranvera është stina më e vështirë këtu, me ndryshime të papritura të temperaturës, me tufa të dobësuara bagëtish dhe njerëz që vijojnë të dridhen nga e ftohta. Misteri i rigjenerimit të tyre ndodh në  çastin më kritik të ciklit natyror, sikur Zoti ynë të kishte zgjedhur pikërisht këtë stinë për të qenë sa më pranë njerëzimit tonë të varfër.

Kremtimi i Meshës së Krishtëlindjes ishte ngjarja më e rëndësishme për priftërinjtë, që vijnë edhe nga vendet shumë të largëta.

Pashkët në burg, Don Palmese: të jesh me të burgosurit, duke shpallur Ungjillin

Don Palmese, prifti-garant i të drejtave të njerëzve të Bashkisë së Napolit, që humbën lirinë personale, nuk ka asnjë dyshim: gëzimi i Zotit të Ngjallur në burg përcillet duke qëndruar pranë të burgosurve, pa i braktisur ata. Ka shumë iniciativa në burgje për t'i bërë të mbyllurit në qeli të ndihen më pak larg njerëzve të dashur

Njoftimi i gëzueshëm i Ringjalljes është gjesti gazmor i festës, jo fjala boshe "mos u shqetëso!”. Don Tonino Palmese, prift i njohur për ndeshjen me Kamorrën e për disa kohë edhe Garant i të drejtave të njerëzve të privuar nga liria personale për Bashkinë e Napolit, nuk pati asnjë dyshim kur i përgatiti për këto Pashkë të burgosurit “që ta kuptonin ç’do të thotë  “varri bosh”.  

01 prill 2024, 13:54