Kërko

Kisha e shkatërruar nga rebelët në Omdurman u kthye në duart e misionarëve kombonianë Kisha e shkatërruar nga rebelët në Omdurman u kthye në duart e misionarëve kombonianë

Sudan, kombonianët hapin një klinikë për mjekim paliativ, pavarësisht nga konflikti

Në vendin e rrënuar nga lufta civile gati njëvjeçare vazhdon veprimtaria humanitare e Kishës Katolike. Në Port Sudan, kolegji kombonian hap një vend përkujdesjeje për të sëmurët në gradën e fundit. Një misionar: "Ndihmojmë 'të refuzuarit', për shkak të luftës". Natën e Pashkëve u pagëzuan 16 të krishterë të rinj

R.SH. – Vatikan

"Lufta vazhdon të sjellë vdekje. Por lufta nuk mund ta shuajë jetën". Me këto fjalë, misionarët kombonianë, ende të pranishëm në Sudan, përshkruajnë frymën me të cilën u përjetuan Pashkët në vendin afrikan të shkatërruar nga lufta civile ndërmjet fraksioneve të ushtrisë. Pas disa ditësh, mbushet një vit nga fillimi i saj.

Konflikti vazhdon

Konflikti, që shpërtheu në prill 2023, ka shkaktuar deri tani së paku 15.000 të zhvendosur brenda vendit dhe refugjatë, ikur në vendet fqinje të rajonit. Darfuri dhe kryeqyteti Khartoum janë zonat më të prekura nga luftimet ndërmjet ushtrisë së komanduar nga gjenerali Abdel Fattah al-Burhan dhe paraushtarakëve të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), udhëhequr nga gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo. Për këtë arsye, miliona të zhvendosur janë strehuar në Port Sudan, në Detin e Kuq, të ndjekur edhe nga misionarët e Kolegjit Kombonian të Khartoum-it, të cilët ndihmojnë ata, që kanë humbur gjithçka dhe jetojnë vetëm falë mbështetjes humanitare.

Klinika për pacientët me sëmundje të pashërueshme

Ditët e fundit, misionarët kombonianë përuruan një klinikë - e para në vend - tërësisht e drejtuar dhe e administruar nga infermierët dhe e specializuar në mjekimet paliative. Ajo koordinon edhe punën e vullnetarëve të bashkësisë së kombonianëve, që shoqërojnë të sëmurët kronikë e ata të pashërueshëm, në periferi të Port Sudanit. Gjithashtu, departamenti i infermierisë së Kolegjit vazhdon të formojë personelin mjekësor lokal në fushën e kujdesit mjekësor paliativ. Ndërkaq, bashkësia e krishterë shtohet me 16 të krishterë të rinj, që u pagëzuan në Port Sudan, gjatë Natës së Pashkëve. Po në vigjiljen e Pashkëve, në Kosti, morën krezmimin 34 të rritur.

Kombonianët: mirëpresim të refuzuarit

“Në Port Sudan - pohon për Vatican News një misionar kombonian, i cili flet në kushte anonimiteti për arsye sigurie - kemi hapur një zyrë, prej nga organizojmë kurset universitare online për studentët e zhvendosur. Në bashkëpunim me një OJQ (organizatë joqeveritare) të spitalit San Raffaele në Milano, kemi hapur një klinikë të specializuar në kujdesin paliativ, për të ndihmuar viktimat e shumta 'të refuzuara', për shkak të luftës, sepse strukturat e tjera u japin përparësi njerëzve, që mund të shërohen”.

Avancon ushtria e rregullt

Rregulltari flet edhe për shumë territore, që është e pamundur të arrihen nga misionarët, zona të thella ku bashkësitë e vogla të krishtera drejtohen nga katekistë laikë. Për sa i përket situatës në vend, komboniani njofton se pas situatës së favorshme për Forcat e Mbështetjes së Shpejtë në dhjetor, javët e fundit, duket se po fiton terren ushtria e rregullt: “Ushtria rimori pozicionet e saj në Omdurman dhe po përparon, por sa herë që ndokush i afrohet fitores, bisedimet për paqen ndërpriten”.

03 prill 2024, 13:25