Kërko

Shëmbëlltyra e vreshtit Shëmbëlltyra e vreshtit

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës V pas Pashkëve 'B'

Vreshti, për të cilin flet Ungjilli i sotëm sipas Gjonit, është populli i Hyjit. Nga Pashkët e Jezusit lind një popull i ri, që e merr limfën nga ringjallja e Zotit. Për të sjellë fryte të mira, çdo besimtar duhet të mbetet i lidhur me Zotin, ashtu si degët me hardhinë, në vresht, përndryshe, veprimet e secilit nuk do të kenë brenda jetën e dashurinë, të cilat duhet t’ua dhurojmë të tjerëve së bashku me kumtin ungjillor

R.SH. - Vatikan

Vreshti, për të cilin flet Ungjilli i sotëm sipas Gjonit (15,1-8), është populli i Hyjit. Nga Pashkët e Jezusit lind një popull i ri, që e merr limfën nga ringjallja e Zotit. Për të sjellë fryte të mira, çdo besimtar duhet të mbetet i lidhur me Zotin, ashtu si degët me hardhinë, në vresht, përndryshe, veprimet e secilit nuk do të kenë brenda jetën e dashurinë, të cilat duhet t’ua dhurojmë të tjerëve së bashku me kumtin ungjillor

Ungjilli shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Unë jam hardhia e vërtetë, e im Atë është vreshtari. Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, Ai e pret, kurse secilin që jep fryt, Ai e pastron, që të japë më shumë fryt. Tashmë ju jeni të pastruar me anën e fjalës që ju thashë. Banoni në mua sikurse edhe unë në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt prej vetvetes, i shkëputur prej hardhisë, po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë. Nëse ndokush nuk mbetet në mua, hidhet jashtë porsi shermendi i prerë e thahet. Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen. Nëse mbeteni në mua, dhe, nëse fjalët e mia qëndrojnë në ju, lypni gjithçka të doni dhe do t’ju jepet. Më këtë gjë lavdërohet im Atë: nëse jepni shumë fryt e dëftoheni nxënës të mi.”

Të lutemi së bashku

“Ku është Zoti? Unë nuk e shoh!”.

Frazë që dëgjohet shpesh

ndoshta, me një ton të ndryshëm,

që nxjerr në pah ndjenjat e folësit.

Dëgjohet nga buzët e fëmijëve

në katekizëm, si pyetje e sinqertë,

shenjë e dëshirës së fuqishme për të parë e për të prekur.

Kuptohet nga buzët e atyre që,

burrë a grua, vuan tejet mase

aq sa nuk beson se ka vërtet një Zot,

i cili vigjëlon mbi krijesat e veta.

Nganjëherë, është sfidë

nga ana e të rinjve dhe e të rriturve,

që nuk duan e nuk mund të besojnë,

e nuk kuptohet mirë sa dëshirojnë ta shohin Zotin vërtet.

Pyetje, që përvijohet edhe mbi buzët e të moshuarve,

që nuk mund të pranojnë

se po i lënë forcat,

se jeta po shuhet,

mes dhimbjesh e trishtimesh.

Është e vërtetë! E thotë edhe apostulli:

“Askush s’e ka parë kurrë Hyjin”.

Një e vërtetë kaq e sigurt

sa ka hyrë edhe në Bibël.

Por është po aq e vërtetë se Ti, o Jezus,

je fytyra e Hyjit,

pasqyra e mirësisë së Tij,

imazhi i bukurisë së Tij,

rrezja e dritës së Tij.

Kush të pranon Ty

përqafohet nga Hyji.

28 prill 2024, 10:23