Mosaico di Gesù Buon Pastore Mosaico di Gesù Buon Pastore

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së IV të Pashkëve 'B'

Ti o Jezus, na dhe një shenjë të qartë/të dashurisë tënde, o Krisht./Dhe jetën për ne në kryq. Kështu, na u zbulove si Bariu i Mirë,/që nuk fshihet para rrezikut,/që nuk heziton të vërë gjithçka në lojë/për të shpëtuar grigjën e vet...

R.SH. - Vatikan

Sot është e Diela e 4-tё e Pashkёve, njihet si e Diela e Bariut të Mirë, sipas traditës romake.Pjesa e Ungjillit nga Gjoni na thotë se Jezu Krishti është“Bariu i mirë jep jetën për delet e veta”. E ky është tipari themelor i bariut të mirë, që është Jezus vetë. Kjo sjellje e dallon qartë bariun e vërtetë, ashtu si e shpjegon vetë Jezusi në Ungjill, sipas vullnetit të Atit, që e ka dërguar për realizimin e misionit të shëlbimit për mbarë njerëzimin. Jezusi është bariu ynë. Ai na udhëheq në kullota të amshuara, që do të thotë tek vlerat e vërteta. Po të ndjekim pjesën ungjillore të kësaj së diele të 4-tё të Pashkëve marrë nga kreu 10 i shën Gjonit

11 Unë jam Bariu i mirë. Bariu i mirë e jep jetën e vet për dele. 12 Rrogëtari - që s’është bari, të cilit nuk i përkasin dhentë - kur sheh se po vjen ujku lë dhentë e ikën - e ujku i rrëmben dhe i shpërndan: 13 është rrogëtar dhe s’është në kujdes për dhen. 14 Unë jam Bariu i mirë: i njoh të miat dhe ato më njohin mua. 15 Sikurse Ati më njeh mua dhe unë e njoh Atin edhe jetën e jap për dele. 16 Kam edhe tjera dele, që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm. 17 Prandaj edhe më do Ati, sepse e jap jetën time që ta marr përsëri. 18 Askush nuk mund të ma marrë: por unë e jap prej vetes. Kam pushtet ta jap jetën e kam pushtet ta kthej prapë atë. Këtë urdhër e mora prej Atit tim.

Të lutemi së bashku:

 

Ti na dhe një shenjë të qartë

të dashurisë tënde, o Krisht.

Dhe jetën për ne në kryq.

Kështu, na u zbulove si Bariu i Mirë,

që nuk fshihet para rrezikut,

që nuk heziton të vërë gjithçka në lojë

për të shpëtuar grigjën e vet.

 

Ti nuk mendove veç për vete,

për sigurinë e për rehatinë tënde,

por për ne, të pambrojturit para së keqes,

të paaftët për ta përballuar,

viktima të preferuara të Tunduesit,

që na i ngatërron hapat me gënjeshtrat e tij.

 

Ti deshe të vendosësh një pritë e ta bllokosh

një herë e përgjithmonë superfuqinë e keqdashjes

joshjen e frikshme të pushtetit,

arrogancën kërcënuese të atyre,

që ushtrojnë dhunë e shtypje mbi të ligshtët.

Por, për ta bërë këtë t’u desh të pësoje

sharjet e fyerjet,

goditjet e përqeshjet,

deri sa u gozhdove për vdekje

mbi kryq, në Kalvar.

 

Është kjo dashuri pa fund

kjo dashuri pa interes

që të jep të drejtën e besimit tonë

të mirënjohjes sonë.

Në Ty mund të besojmë,

sepse Ti na njeh si askush tjetër

e na prin në shtigjet e jetës.

20 prill 2024, 10:35