Letra e Papës për Sh’na Ndoun e Padovës
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku i pati dërguar një letër Ministrit të Përgjithshëm Fra Carlos TROVARELLI, më datën 15 shkurt 2020, me rastin e 800-vjetorit të thirrjes françeskane të Shën Antonit të Padovës.
Pas një përmbledhjeje të shkurtër historike të udhëtimit të Fernandit nga Lisbona, duke filluar nga takimi me protomartirët françeskanë në Coimbra e deri te qëndrimi i tij në Padova, Papa u kërkon fretërve të Urdhrit dhe të gjithë françeskanëve që ta jetojnë këtë përvjetor si një mundësi për të kërkuar të njëjtin shqetësim të Shenjtit, për shpalljen e Ungjillit dhe dëshminë e dashurisë ndaj të tjerëve.
Për Papën Françesku, Shëna Ndou është mbi të gjitha një shembull për të rinjtë, sepse intuitat e tij ungjillore janë gjithmonë aktuale dhe përbëjnë një arsye për një reflektim për jetën dhe thirrjen tonë. Së fundi, së bashku me Shenjtin, të gjithë janë të thirrur të "shohin Zotin" në fytyrën e vëllait të tyre për të sjellë ngushëllim dhe shpresë.
Të nderuarit At
Carlos Alberto TROVARELLI
Ministri i Përgjithshëm
i Urdhrit të Fretërve të Vegjël Konventual
Me kënaqësi mësova se ky Urdhër kremton gëzueshëm tetëqindvjetorin e thirrjes françeskane të Shëna Ndout të Padovës.
Tetëqind vjet më parë, në Coimbra, i riu kanonik augustinian Fernando, me origjinë nga Lisbona, si mori lajmin e martirizimit të pesë françeskanëve, të vrarë për fenë e tyre të krishterë në Marok, më 16 janar të vitit 1220, vendosi të bëjë një ndryshim në jetën e tij. La vendin e vet dhe filloi udhëtimin, simbol i kthesës së tij shpirtërore. U nis sakaq në Marok, i vendosur për ta jetuar me guxim Ungjillin, duke ecur në gjurmët e martirëve françeskanë të martirizuar atje.
Pas mbytjes së anijes në brigjet e Italisë, siç ndodh edhe sot me shumë nga vëllezërit dhe motrat tona, zbarkoi në Sicili. Nga toka e Sicilisë, plani providencial i Zotit i hapi një rrugë të panjohur e të papritur: u ndesh me një figurë tejet të ngjashme me të Tijën, me Shën Françeskun e Asizit dhe u nis, i veshur me zhgun, nëpër udhët e Italisë dhe të Francës. Më në fund, u ndalua në Padovë, qytet që do të lidhet përgjithmonë në një mënyrë të veçantë me emrin e tij dhe që ruan trupin e tij. S
hpresoj se ky përvjetor domethënës do të zgjojë, veçanërisht në gjirin e rregulltarëve françeskanë dhe në besimtarët e Shën Antonit, të përhapur kudo nëpër botë, dëshirën për ta përjetuar të njëjtin shqetësim të shenjtë që e çoi Pajtorin qiellor në rrugët e botës, për të dëshmuar, me fjalë e me vepra, dashurinë e Zotit!
Shembulli i Shëna Ndout për të ndarë gjithçka me familjet e të varfërve, të përjashtuarve nga radhët shoqërore, të pafavorizuarve, si dhe pasioni i tij për të vërtetën e drejtësinë, mund të frymëzojnë edhe sot kushtimin bujar për të dhuruar vetveten, nën shenjën e vëllazërisë. Mendoj posaçërisht për të rinjtë: ky shenjtor kaq i lashtë, e njëkohësisht kaq modern dhe i shkëlqyer në intuitën e tij, mund (e duhet) të jetë model për brezat e rinj që do ta ndjekin, për t’i bërë të frytshme rrugët e të gjithëve.
Shoqëroj shpirtërisht ata që do të marrin pjesë në nismat e ndryshme, të cilat po organizohen për ta jetuar Tetëqind Vjetorin Antonian me lutje dhe bamirësi. Uroj që të gjithë të mund të thonë përsëri, me Shëna Ndoun: "Po shoh Zotin tim!".
Është e nevojshme "të shikosh Zotin" në fytyrën e çdo vëllai dhe çdo motre, duke i ngushëlluar të gjithë e duke u krijuar mundësinë e takimit me Fjalën e Zotit, mbi të cilën mund të rrënjosën jnë jetën e tyre. Me këto ndjenja, ndërkohë që ju kërkoj të luteni për mua, me zemër dërgoj Bekimin Apostolik për Familjen e Fretërve të Vegjël Konventualë dhe atyre që frymëzohen nga përshpirtëria e Shëna Ndout të Padovës.
Françesku
Romë, Shën Gjoni në Lateran, 15 shkurt 2020