Kërko

Fra Paul Tatu, Meshtar Stigmatin, vrarë në Afrikën e Jugut Fra Paul Tatu, Meshtar Stigmatin, vrarë në Afrikën e Jugut  

Afrika e Jugut, vritet në Pretoria një meshtar stigmatin

Atë Paul Tatu, 45 vjeç, me origjinë nga Lesoto, besohet se u vra pasi u detyrua të hipte në një makinë, ndoshta sepse kishte qenë i pranishëm në vrasjen e një gruaje. Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Afrikës Jugore, Imzot Sipuka: ngjarje shqetësuese, që flet për keqësimin e sigurisë dhe të moralit në vend.

R. SH. - Vatikan

Një meshtar stigmatin, Atë Paul Tatu, u vra të shtunën e kaluar në Pretoria, Afrika e Jugut. Lajmi u njoftua sot nga Kongregata e Varrëve të Shenjta të Zotit tonë, Jezu Krishtit, që njihet zakonisht me emrin “Etërit Stigmatinë”. Atë Gianni Piccolboni, 76 vjeç, misionar stigmatin, në këtë vend për më se 30 vjet dhe epror provincial, njoftoi Agjencinë Fides për këtë krim, duke shtuar se "dinamika e fakteve nuk dihet ende mirë" dhe se "mendohet që Atë Pali ishte rastësisht dëshmitar i vrasjes së një femre". Rregulltari shpjegon se vrasësi e detyroi vëllanë "të hipte në makinë, ku u qëllua në zverk, për të zhdukur bashkë me të, edhe dëshminë e tij". "Ne lutemi për të dhe për misionarët stigmatinë të prekur nga një dhimbje kaq e madhe” - shton ai.

Ngushëllimet e ipeshkvije të Afrikës së Jugut

Atë Pali, me origjinë nga Lesoto, ishte 45 vjeç. Konferenca e Ipeshkvijve të Afrikës së Jugut, ku rregulltari kishte punuar “me përkushtim”, për disa vjet si drejtues i mediave dhe i komunikimit, në një deklaratë të nënshkruar nga kryetari, Imzot Sithembele Sipuka, ipeshkëv i Umtata-s, shprehu dhimbjen për humbjen e sivëllaut. Prelati theksoi se vrasja e Atë Tatu "nuk është incident i izoluar, por shembull shqetësues i keqësimit të sigurisë dhe të moralit në Afrikën e Jugut".

Stigmatinët në Afrikën e Jugut

Prania e stigmatinëve në Afrikën e Jugut nis më 9 nëntor 1960, kur mbërritën rregulltarët e parë: Atë Lino Inama, Atë Dario Weger, Atë Primo Carnovali dhe Vëllau Giuseppe Modena. Pas përvojës si Zëvendës- Province, e cila zgjati rreth njëzet vjet, më 25 shtator 2014 u ngrit në nivelin e Provincës. U quajt provinca e Shën Shëlbuesit, si titulli i kishës së Mmakau-së ku vëllezërit e kishin nisur veprën e tyre apostolike në vitin 1960. Tani Provinca ka bashkësi në vende të ndryshme të Afrikës Jugore:  në Afrikën e Jugut, Lesoto, Botsvana, Malavi dhe Tanzani.

01 maj 2024, 12:50