Kërko

Át Bisha: qendra “Át Zef Valentini” dhe kumbonarja e Kishës Zemra e Krishtit në Tiranë

Qendra kulturore sociale “Át Zef Valentini” dhe kumbonarja e Kishës famullitare ‘Zemra e Krishtit’ në Tiranë, që drejtohet nga Etërit Jezuitë, u përuruan, në prani të autoriteteve kishtare, civile e kulturore, të shtunën e kaluar. Kjo qendër kulturore sociale e do të jetë jo vetëm multifunksionale, por edhe një pikë referimi në Shqipëri, për t'i bashkuar njerëzit që e duan kulturën, që nuk harrojnë të kaluarën dhe që punojnë me dashuri për vendin, fenë, dijen, të ardhmen në Shqipëri.

R.SH. / Vatikan

Etërit Jezuitë në Tiranë përuruan qendrën kulturore sociale “Át Zef Valentini” dhe kumbonaren e Kishës famullitare ‘Zemra e Krishtit’ në Tiranë. Ceremonia e përurimit dhe bekimit solemn u mbajt të shtunën e kaluar, më 18 maj, në prani të autoriteteve kishtare, kryeipeshkvit të Tiranë Durrësit, imzot Arjan Dodaj dhe Eprorit të Përgjithshëm të Jezuitëve, At Arturo Sosa, autoriteteve civile e kulturore të vendit e të shumë besimtarëve e miqve. Mbi për rëndësinë e këtyre dy strukturave kishtare në kryeqytetin e Shqipërisë, shprehje e vazhdimësisë së misionit të sotëm të jezuitëve me traditën e tyre të rëndësishme e të lavdishme në trevat shqiptare, flet Eprori i komunitetit të jezuitëve në Tiranë, Át Zef Bisha S.J., ta dëgjojmë:

Át Zef Bisha S.J

Të shtunën me 18 maj pasdite, në vigjiljen e Rrëshajëve, u inaugurua qendra multifunksionale “ Át Zef Valentini”, vepër e jezuitëve në Tiranë, pranë Kishës “Zemra e Krishtit”.
Ishte një moment i rëndësishëm për bashkësinë tonë famullitare, një moment i rëndësishëm për ne jezuitët, që shërbejmë në Tiranë.

Të pranishëm në hapjen e kësaj qendre, ishin Imzot Arjan Dodaj arqipeshkëv i Arqidioqezës Metropolitane Tiranë Durrës, bashkë me Eprorin tonë të Përgjithshëm At Arturo Sosa S.I., krerët e bashkësive fetarë në Shqipëri, si dhe autoritetet civile e diplomatike në Tiranë. Një event i rëndësishëm për ne jezuitët, pasi At Arturo erdhi në Shqipëri pas 30 vjetësh nga gjenerali i fundit At Peter Hans Kolvenbach.

Qendra merr emrin e Át Zef Valentini, jezuitit, që i ka dhënë shumë kulturës në Shqipëri, një jezuit, që ka njohur shume mirë traditat e kombit shqiptar, i cili edhe kur u largua nga Shqipëria vazhdoi të shkruajë për Shqipërinë, një jezuit, që lidh misionin e mëparshëm me misionin e sotëm, që dëshirojmë për të realizuar në Tiranë. Është një qendër, që ka brenda saj edhe një librari me emrin e At Zef Valenitnit. Një qendër, që do të jetë një pikëtakim i kulturës, një vend që do të mbledhë të rinjtë, një vend që do të japë dije e miqësi për ata, që afrohen për të lexuar, për të studiuar e hulumtuar.

Është një hapësirë, që jep mundësinë edhe për të paraqitur, promovuar libra e për të organizuar aktivitete të ndryshme. Realizmi i kësaj qendre është bërë i mundur pas një kohë shumë të gjatë mundimesh, pune të palodhur, që kemi kaluar dhe në veçanti falë ndihmës së shumë miqve, bamirësve nga brenda e jashtë Shqipërisë, që na kanë ndihmuar për realizim e kësaj vepre.

Ia vlen për të kujtuar që Kishës “Zemra e Krishtit” në Tiranë i shtohet me në fund edhe kambanorja, e cila ishte në plan për t’u ndërtuar, por nuk u realizua kurrë. Një moment shumë emocionues për bashkësinë tonë, për qytetin tonë, që tashmë e jeton Kishën të kompletuar. Shpresoj, se kjo qendër kulturore sociale do të jetë jo vetëm multifunksionale, por edhe një pikë referimi brenda e jashtë Shqipërisë, për të bërë bashkë njerëzit, që e duan kulturën, që nuk harrojnë të kaluarën dhe që projektojnë me dashuri për vendin, fenë, dijen, të ardhmen.



22 maj 2024, 12:12