Kërko

Atë Patton: Toka Shenjte ka nevojë për udhëheqës, që punojnë për të pajtuar

Lutje e ndërmjetësim. Duke qëndruar, pavarësisht nga gjithçka, në mes të palëve luftarake, për të dëshmuar kumtin e Pashkëve dhe ndërgjegjësimin se e keqja tashmë është mposhtur. Këto, fjalët e Atë Francesk Patton, Rojtar i Tokës Shenjte, në këtë intervistë për mediat e Vatikanit.

 

R.SH. / Vatikan

Intervistë me Rojtarin françeskan të Viseve Shenjte, Atë Francesk Patton: plagët e shkaktuara nga lufta, hipoteza e dy shteteve, roli i të krishterëve, udhët për të siguruar paqen

Andrea Tornielli

Lutje e ndërmjetësim. Duke qëndruar, pavarësisht nga gjithçka, në mes të palëve luftarake, për të dëshmuar kumtin e Pashkëve dhe ndërgjegjësimin se e keqja tashmë është mposhtur. Këto, fjalët e Atë Francesk Patton, Rojtar i Tokës Shenjte, në këtë intervistë për mediat e Vatikanit.

Atë Françesk, çfarë ajri thithet në Jeruzalem këto ditë?

Që nga 7 tetori, ajri ka qenë shumë i rëndë, si të ishte prishur ekuilibri brenda shtetit të Izraelit ndërmjet komponentit hebre-izraelit dhe komponentit arabo/palestinez/izraelit. E edhe ekuilibri që, për mirë apo për keq, ishte ndërmjet Izraelit dhe Bregut Perëndimor: ekzistonte mundësia për të ardhur e për të shkuar, pa probleme të mëdha, e gjithashtu për palestinezët e Bregut Perëndimor ishte mjaft e lehtë të vinin në punë. Njerëzit u larguan nga Gaza, për të shkuar në punë në kibuci aty pranë. Ishte e mundur të largoheshe për të ardhur dhe për t'u mjekuar në Jerusalem me terapi që nuk administroheshin në Gaza. Pas sulmit të 7 tetorit, të gjitha këto ekuilibra u prishën. Tani brenda vetë shtetit të Izraelit, komponenti hebre-izraelit ka filluar ta shikojë me mosbesim komponentin arabo-izraelit dhe komponenti arabo-izraelit ka nisur të ndihet gjithnjë e më i pasigurt në vendin e punës e në jetën e përditshme, madje edhe duke ecur në rrugë. Disa nga të krishterët tanë më kanë thënë: “Kur shkoj nëpër qytet, në Jerusalem, nuk flas arabisht”. Kjo flet qartë për klimën e krijuar.

Si e jetuat tragjedinë e pengjeve rrëmbyer nga Hamasi?

Situata e pengjeve i ka vënë në provë ato familje të cilat - pothuajse të gjitha, me përjashtime të rralla - karakterizohen nga një mendësi shumë e hapur: nuk ishin familje armiqësore ndaj komponentit palestinez në Izrael apo Bregun Perëndimor, përkundrazi. Vuajtjet e tyre kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të tmerrshme, pasi numërohen trishtueshëm, mbrapsht, duke pyetur se sa prej tyre janë ende gjallë.

Po tragjedia në Gaza?

Komponenti palestinez padyshim që ndjen solidaritet me Gazën: ata i përkasin të njëjtit popull dhe vuajnë duke parë kaq shumë shkatërrime: 35 mijë të vdekur, prej të cilëve, ndoshta më shumë se 15 mijë fëmijë; e nuk e dimë sesa janë ende nën rrënoja.... Shkatërrim sistematik. Kjo krijoi një ndjenjë zhgënjimi, zemërimi, një konflikt të brendshëm. Atëherë, të mos harrojmë se ka edhe të krishterë, sidomos nga Galile, që janë pjesë e ushtrisë dhe luftojnë në Gaza. Ka vështirësi të mëdha në trajtimin e këtyre çështjeve edhe për ne të krishterët e Tokës së Shenjtë, mbasi e kuptojmë shumë mirë vuajtjen që ekziston nga të dyja palët. Ne i kuptojmë të drejtat dhe gabimet e të dyja palëve. E duam që kjo luftë të marrë fund, sepse përndryshe brazda e urrejtjes thellohet çdo ditë e më shumë dhe bashkimi i pjesëve më pas do të jetë vërtet shumë i vështirë.

Në muajt e fundit kemi qenë dëshmitarë edhe të shkallëzimit të akteve të dhunshme nga kolonët…

Në Bregun Perëndimor kemi parë një shpërthim të pashoq: nëse më parë veprimet e tyre ishin pak më të kontrolluara, gjatë këtyre gjashtë muajve, nuk janë ashtu. Dimë edhe se disa mijëra palestinezë në Bregun Perëndimor janë burgosur në paraburgim administrativ: domethënë, pa të drejta. Dhe ka gjithashtu disa qindra palestinezë që janë vrarë në Bregun Perëndimor gjatë operacioneve ushtarake, të kolonëve apo të tjera dhe për këtë arsye jo në rrethana të lidhura me sulme, apo në asnjë rast me veprime të dhunshme, por edhe në jetën e zakonshme: fermerë që do të mblidhnin ullinj dhe u ndeshën me kolonë, të cilët më pas i qëlluan. Do të duhet shumë kohë për të mbyllur këtë lloj plage, sepse dimensioni emocional në këtë konflikt ishte e është shumë i fortë.

Duke u kthyer më 7 tetor: çfarë shpjegimi mund të jepet për atë që ndodhi?

Ajo që ndodhi më 7 tetor do të duhet të studiohet dhe të hulumtohet, mbasi të njëjtat gazeta izraelite kanë akuzuar si qeverinë, ashtu edhe ushtrinë se kanë injoruar dokumentet siguruar nga inteligjenca e ushtrisë, të cilat flisnin për një operacion të mundshëm të këtij lloji nga Hamasi dhe për sinjalet në ditët e mëparshme. Më duket se është në interesin e vetë Izraelit të sqarohet.

Pasojat e atij sulmi brutal terrorist kundër civilëve janë ato që i kemi parë, përkatësisht masakra në Gaza...

Reagimi ishte kaq i fortë pikërisht sepse pati shock. Edhe nga pikëpamja e zgjedhjeve ushtarake, duket se ka mbizotëruar përmasa më emotive, dëshira për të riafirmuar një formë epërsie ushtarake, dëshira për të riafirmuar një parandalim, që disi është vënë në krizë dhe në pikëpyetje.  Vërehet dëshira për të thënë: "Në të ardhmen, askush nuk do të guxojë ta provojë përsëri diçka të tillë". Këto janë fakte që lënë gjurmë urrejtjeje. Për të rindërtuar shtëpitë mjafton ndihma financiare, për të rindërtuar paqen në zemrat duhet shumë më tepër kohë. Plagët do të mbeten për një kohë të gjatë; për t'u shëruar, ato do të kenë nevojë për udhëheqje të ndritur, nga të dyja palët, që dinë të punojnë për pajtimin. Në Evropë, në shekullin e njëzetë, u zhvilluan dy luftëra botërore me miliona të vdekur. Por më pas, në vend që të luftonin për burimet, u ndanë: kjo ishte arritja e madhe e gjeniut të Schuman,  të De Gasperit dhe Adenauerit, kur vendosën të krijonin Komunitetin e Qymyrit dhe të Çelikut. Është rruga, që i garantoi Evropës stinën e paqes. Në këtë çast nuk shoh asnjë mundësi për të bërë diçka të ngjashme në Izrael dhe në Palestinë, sepse ata nuk kanë të përbashkët të njëjtin kuadër kulturor. Evropa, për mirë a për keq, deri në mesin e shekullit të njëzetë ishte kontinent që besonte në vlerat e krishtera dhe, për rrjedhojë, edhe në vlerën e pajtimit, të paqes, bashkëpunimit dhe vlerave të tjera të ngjashme. Këtu tani gjindemi përballë kulturave që nuk kanë shumë dëshirë të dialogojnë me njëra-tjetrën.

Çfarë mendoni për "Marrëveshjet e Abrahamit"?

I shoh pozitivisht: Vende që ishin në pozicione të ndryshme për arsye ideologjike e që kishin filluar të bashkëpunonin, qoftë edhe për interesa ekonomike apo mbrojtëse. Për mua ishte hapi i parë dhe mendova se, pasi të përfundohej Marrëveshja e Abrahamit, do të bëhej gjithashtu e nevojshme  të trajtohej çështja palestineze me rrugë politike. Në vend të saj, ashtu si të një marrëveshjeje me Arabinë Saudite, ndodhi sulmi i 7 tetorit. Një operacion që jo vetëm sabotoi Marrëveshjet e Abrahamit, por e bëri më të vështirë edhe trajtimin politik të çështjes palestineze. E, në të njëjtën kohë, e bëri edhe të nevojshme.

Edhe ata që mendonin se hipoteza e dy shteteve ishte e vjetëruar, tani po kthehen në atë që ka qenë gjithmonë qëndrimi i Selisë së Shenjtë…

Sigurisht tani është më e vështirë se dhjetë apo njëzet vjet më parë. Megjithatë, në të njëjtën kohë, tani nuk mungon vetëdija se çështja palestineze duhet të ketë zgjidhje politike. Prandaj, kthimi i teorisë së dy shteteve lidhet edhe me faktin se në këtë moment më duket që nuk është e besueshme të mendohet për një shtet të vetëm. Si të ngrihet konkretisht shteti i dytë, ai i Palestinës - sepse tashmë ekziston, ai i Izraelit - sigurisht që ka nevojë për kontributin në radhë të parë të atyre që janë drejtpërdrejt të interesuar, pra palestinezëve. Shteti i Palestinës nuk mund të krijohet në lëkurën e palestinezëve, sepse ky operacion është bërë në atë kohë, po nuk funksionoi. Ata duhet të përfshihen. Atëherë na duhen vendet më me ndikim - kryesisht Shtetet e Bashkuara - por edhe vendet arabe të Gjirit - për të ndihmuar në gjetjen e formës së duhur. Problemet, siç e dimë, janë të zgjidhshme. Në atë kohë Sharon, kur vendosi të tërhiqte kolonët nga Gaza, mundi ta zbatonte edhe konkretisht.

Si është e mundur sot një hipotezë e tillë?

Në Çisjordani, nëse shteti i Izraelit pranon zgjidhjen me dy shtete, do të duhet të zgjedhë ose tërheqjen e kolonëve, ose integrimin e kolonëve në një shtet palestinez, ashtu si në Izrael ekziston një komponent i gjuhës arabe, ose gjithsesi një formë tjetër për të studiuar. Ne e dimë se modelet shtetërore janë të shumë llojeve, ka disa në të cilat parashikohen rajone autonome. Nuk është diçka që mund të bëhet brenda pak muajsh, por as nuk mund t'i lihet papërcaktueshmërisë së stilit grek. Për t'i dhënë shpresë edhe palestinezëve, duhet të caktojmë edhe një datë, në të cilën ky shtet do të fillojë të ekzistojë dhe, për rrjedhojë, duhet të vendosim një hartë. Natyrisht, megjithatë, fillimisht lufta duhet të përfundojë dhe gjithashtu duhet të ketë mbështetje në nivel ndërkombëtar, sepse ata që jetojnë në Bregun Perëndimor dhe aq më tepër ata që jetojnë në Gaza, ndjehen në vështirësi të paimagjinueshme.

Si  e jetojnë të krishterët këtë që po ndodh?

Të krishterët janë realitet shumë i diferencuar në brendinë e tyre. Nga njëra anë e ndjejnë se i përkasin një populli, nga ana tjetër, si të krishterë, ndjejnë gjithashtu se janë të thirrur të shkojnë përtej vizionit etnik. Edhe të krishterët po vuajnë shumë tani për tani, sepse po tërhiqen nga të dyja anët. Ka nga ata, nga të dyja palët, të cilët do të donin që të krishterët të mbanin qëndrim të njëanshme. Por të krishterët përpiqen të jenë gra dhe burra të paqes - e të krishterë në përgjithësi. Të krishterët në Tokën e Shenjtë janë - guxoj të them - pjesa më paqësore, për rrjedhojë ai që në një farë mënyre mund të japë një kontribut, në të ardhmen, në atë rrugë të pajtimin për të cilin po flisnim. Megjithatë, ata ndjehen të nëpërkëmbur sepse, shpesh përtej deklaratave zyrtare dhe atyre që përdoren për marketing politik, bota hebreje i konsideron thjeshtë arabë, ndërsa bota arabe nuk i konsideron krejtësisht kështu, sepse janë të krishterë. Në këtë çast është rikthyer dëshira për të emigruar. Nga ata që jetojnë në Gaza, besoj se do të mbeten shumë pak dhe është turp, sepse Gaza, në Veprat e Apostujve, është një nga vendet ku në shekujt e parë lulëzoi monakizmi. Edhe në Bregun Perëndimor shumë po mendojnë të largohen. Por gjëja më e habitshme është se edhe në Galile, për shkak të krimit të organizuar lokal, shumë mendojnë të emigrojnë.

Çfarë do të thotë, përballë gjithë kësaj, të besosh në Ringjallje?

I krishteri, para së gjithash, beson në mesazhin e Ringjalljes, por e di se koha e historisë nuk është ende koha e bashkimit të plotë të të gjithë popujve në Jerusalemin qiellor. Jemi ende në një fazë të mesme, koha e historisë është ende një kohë tensionesh: kështu përshkruhet në Ungjijtë, kështu përshkruhet në Letrat e Palit dhe kështu përshkruhet në atë tekst të mrekullueshëm, që është Apokalipsi, i cili  na kujton ndeshjen historike të atyre që ndjekin Qengjin e flijuar dhe atyre, që ndjekin logjika të tjera dhe shndërrojnë gjithçka në  treg, madje duke shkuar deri aty sa të blejnë e të shesin jetë njerëzish. Ajo që duhet të mbajmë të gjallë në këtë fushëbetejë, në këtë histori, është shpresa e sigurt që lind nga fakti se Krishti tashmë e ka mposhtur të keqen dhe vdekjen me Ngjalljen e tij. Të jesh i krishterë në Tokën e Shenjtë është thirrje e veçantë. Të krishterët këtu janë të lidhur ngushtë me përmasën historike të zbulesës dhe të Mishërimit. Pak apo shumë, nuk ka rëndësi, por është themelore që të krishterët e Tokës së Shenjtë të ndihmojnë  gjithë Kishën të kujtojë përmasën historike të krishterimit, përmasë shumë e rëndësishme për të shmangur shpërbërjen e krishterimit në forma të gnosës ose forma të feve mitike.

Pas sulmit të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, në Mesazhin e vitit 2002 për Ditën e Paqes, Gjon Pali II shkroi: "Nuk ka paqe pa drejtësi, nuk ka drejtësi pa falje". Sa të rëndësishme janë pajtimi dhe falja?

Pajtimi është kyç. Unë besoj se mesazhi është absolutisht më i rëndësishmi për Ditët e Paqes që është bërë ndonjëherë nga një Papë. Qëndron përkrah enciklikës Pacem in terris të Gjonit XXII, e cila rendit katër shtylla për ndërtimin e paqes: drejtësinë, të vërtetën, bamirësinë dhe lirinë. Pajtimi, siç shprehet Papa Françesku në enciklikën Fratelli tutti, ka jo vetëm përmasën e drejtësisë, por edhe të së vërtetës. E për këtë arsye është e nevojshme që të ndiqet rruga e pajtimit, të jemi në gjendje t'i thërrasim gjërat me emrin e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për faljen. Falja nuk është amnisti, nuk është pretendim se nuk ka ndodhur asgjë. Falje do të thotë të marrësh mbi vete të gjitha pasojat negative, të vuajtjes, të së keqes, që i prodhon e keqja. Kur mendojmë për faljen, mendojmë për Krishtin në kryq, për kryqin që fal. Për të falur, duhet të pranoj llojin e vuajtjes që më lejon të mos reagoj. Shuplakës, siç bëri Jezusi në orën e mundimit të tij, unë nuk i përgjigjem me shuplakë!

Si do të mund të krijoni një rrugë si kjo në Tokën e Shenjtë?

Do të zgjasë shumë, sepse për ne të krishterët pajtimi është universal, ka të bëjë me të gjithë. Bota hebraike dhe bota myslimane kanë kategorinë e pajtimit por shumë-shumë zbatohet brenda bashkësisë së tyre. Pastaj, edhe një herë, prania e të krishterëve bëhet themelore, sepse çon në kapërcimin e horizontit etnik dhe horizontit të bashkësisë së vet fetare. Të krishterët duhet të jenë të gatshëm të paguajnë një çmim vuajtjeje për këtë. Nuk mund ta presësh këtë nga të gjithë, ndaj i kuptoj ata që nuk durojnë dot më dhe largohen nga vendi, siç ndodhi në Irak, Siri, Liban, sepse kanë frikë për jetën e tyre ose të familjarëve të tyre. Në të njëjtën kohë, kur më pyesin, sidomos të rinjtë, pse duhet të qëndrojnë, përgjigjem kështu: “Vendi juaj, pa praninë e krishterë, do të jetë më i mirë apo më i keq?”. Përgjigja që më japin gjithmonë është: “Do të jetë më i keq”. Ata që mbeten e dinë se duhet të paguajnë një çmim: besnikërinë ndaj Krishtit, gati për të dhuruar edhe jetën! Gjë që në fund kështu ndodh.

Në këto muaj, çfarë do të thotë për ju të jesh Rojtar i Tokës së Shenjtë?

Realiteti ka ndryshuar. Përpara 7 tetorit, mendoja se ishte e mundur të ecja përpara ngadalë dhe të rriteshin iniciativat e dialogut të nisura si nga ana e botës hebreje izraelite, ashtu edhe nga ana e botës myslimane, veçanërisht, në rastin e dytë, në shkolla. Në këta gjashtë muaj kam parë që shumë nga iniciativat e nisura janë "ngrirë", dhe kjo më bën të them se duhet të kemi durim, në kuptimin të presim kohën kur do të jetë e mundur t'i rifillojmë. Pastaj ndjeva se shërbimi i lutjes, vlera e ndërmjetësimit, ishte shumë më e rëndësishme: përfshin ecjen ndërmjet dy realiteteve, duke i kërkuar Perëndisë që në njëfarë mënyre të gjejë një pikë takimi. Shumë herë jemi përballur me Patriarkun Pizzaballa dhe kemi vërejtur se në këtë realitet nuk janë në lojë vetëm vullnetet njerëzore, por ka edhe një mister të së Keqes, që është në veprim. Kështu që e ndjej nevojën për t'u lutur edhe më shumë. Së fundi, u përpoqa të inkurajoja fretërit në radhë të parë, e më pas popullin, që ta mbajnë gjallë shpresën. Përballë asaj që po ndodh është e lehtë të jesh pesimist... Pesimizmi është mungesë besimi. Të lejosh veten të gllabërohesh nga pesimizmi, do të thotë të mos besosh në fuqinë e Pashkëve. Unë besoj në fuqinë e Pashkëve: besoj se Krishti e ka mposhtur vërtet të keqen dhe vdekjen, besoj se ata që sot përpiqen t'i zgjidhin problemet në një mënyrë të caktuar, tashmë kanë humbur që në fillim. E di se edhe ata që zgjedhin dhunën tashmë kanë humbur në një farë mënyre. Sepse Krishti, i cili vdiq dhe u ringjall, na thotë se këndvështrimi në të cilin duhet të jetojmë dhe këndvështrimi nga i cili duhet të përballemi me problemet, është një tjetër.  

A jeni ndjerë të mbështetur në këto muaj lufte?

Shumë njerëz tregojnë afërsi, na shkruajnë për të na siguruar se na kujtojnë, se luten për ne. U mbështetëm gjithnjë nga Papa, që nuk pushon së foluri për paqen, ndonëse e di se nuk është temë popullore, po temë e keqkuptuar. Dhe e ka kujtuar gjithnjë Palestinën, Izraelin, Tokën e Shenjtë... E kam thënë në më shumë se një rast se në disa aspekte jemi të privilegjuar, sepse ka shumë realitete të tjera që po vuajnë dhe që nuk kujtohen si ne. E pastaj u mbështetëm shumë edhe nga Urdhri ynë. Kështu që unë do të thoja se në përgjithësi e ndjeva mbështetjen. Ajo që kemi dhe do të na duhet në kohët në vijim, përveç afërsisë, do të jetë edhe një mbështetje konkrete për të mundur të ndihmojmë të krishterët dhe popullsinë vendase, përballë vështirësive ekonomike, që solli lufta.

04 maj 2024, 17:37