Kërko

Patriku Bartolomeo Patriku Bartolomeo 

Bartolomeu: Ringjallja, një forcë e fuqishme transformuese në histori

Në përvojën ortodokse, "e keqja nuk e ka fjalën e fundit" e "besimi në Ringjallje shërben si shtytje për luftën kundër pranisë të së keqes dhe pasojave të saj në botë". E lexojmë në tekstin e shkruar nga patriarku ekumenik në prag të Pashkëve ortodokse që, sipas kalendarit Julian, festohet të dielën, më 5 maj.

R. SH. - Vatikan

Pjesëmarrja në misterin e Ngjalljes, shenjtërimi në sakramente, kremtimi i Pashkëve, "që na hapi dyert e Parajsës", nuk duhen jetuar  "si kujtim i një ngjarjeje të kaluar, por si thelb i jetës kishtare, si prani e Krishtit gjithnjë mes nesh”. Ngjallja nga të vdekurit e Krishtit Zot është, pra, "përshpejtim i përsosurisë së të gjithëve, si dhe përmbushje e oikonomisë hyjnore në Mbretërinë e Qiellit".

Është ky një fragment i letrës, shkruar nga patriarku ekumenik Bartolomeu me rastin e solemnitetit të Pashkëve të cilat, sipas kalendarit Julian, Kishat Ortodokse do t’i kremtojnë të dielën, më 5 maj. Karakteristika kryesore e jetës ortodokse - shkruan Bartolomeu - është pikërisht “impulsi i saj ringjallës”: pa harruar kurrë “se rruga drejt ringjalljes kalon përmes Kryqit. Përshpirtëria ortodokse nuk e njeh utopizmin e ringjalljes pa kryqëzim, as pesimizmin e kryqit, pa ringjallje”. Për këtë arsye, në përvojën ortodokse, "e keqja nuk e ka fjalën e fundit në histori" e "besimi në Ringjallje shërben si motiv për luftën kundër pranisë të së keqes dhe pasojave të saj në botë, duke vepruar si forcë transformuese e historisë. Besimtari ortodoks - shpjegon patriarku i Kostandinopojës - "është i vetëdijshëm për antitezën ndërmjet realitetit botëror dhe përsosmërisë eskatologjike" e, prej këndej, "nuk mund të qëndrojë duarkryq përballë përmasave negative të botës", ashtu si feja në Ringjalljen” e ka ruajtur Kishën si nga mbylljet në vetvete dhe indiferenca ndaj botës, ashtu edhe nga shekullarizimi”. Dhe habia që ndjejnë miroforët, të cilët hynë në varr, do të thotë se "gjendemi përballë një misteri, i cili bëhet gjithnjë e më i thellë, sa më shumë i afrohemi, sepse feja jonë nuk është udhëtim nga misteri në dije, por nga dija në mister". Nëse “mohimi i misterit e zvogëlon natyrën njerëzore në mënyrë ekzistenciale, respekti për misterin na hap dyert e Parajsës”. Besimi në Ringjallje “është shprehja më e thellë dhe më e qartë e lirisë sonë ose, më mirë, lindja e lirisë si pranim vullnetar i dhuratës më të lartë hyjnore, pra hyjnizim me anë të hirit”.

Si ringjallje e jetuar, Kisha Ortodokse është hapësira e lirisë së vërtetë, themeli, rruga dhe fati i jetës së krishterë. Ringjallja e Krishtit - përfundon mesazhi i Bartolomeut - "është garancia e lirisë së përbashkët në jetën e amshuar të Mbretërisë së Atit, të Birit dhe të Shpirtit Shenjt".

03 maj 2024, 16:20