Çelësi i fjalëve të Kishës: një nga lutjet më të bukura për Shën Marinë
R.SH. – Vatikan
Duke u ngjitur në Empire, Dante sheh Trëndafilin Qiellor, ku banojnë shpirtrat e shenjtorëve (secili i ulur në stolin e vet), që poeti pjesërisht i ka takuar gjatë ngjitjes në Qiell, për hir hyjnor. Duke u kthyer nga Beatriçe për t'i bërë pyetje rreth këtij vegimi, poeti gjen në vend të saj Shën Bernardin.
Mistik i madh (1090-1153), Shën Bernardi, abat i Clairvaux (i italianizuar si Chiaravalle), është autori i një prej lutjeve më të bukura mariane, i asaj “Memorare” që përfaqëson majën e besimit tek Zoja si bashkë-shpëtimtare dhe ndihmëse e njerëzimit që vuan. Përkthyer nga latinishtja, teksti tingëllon kështu: «Kujtohu, o e përshpirtshmja Virgjër Mari, se nuk është dëgjuar kurrë në botë që dikush të ketë kërkuar mbrojtjen tënde, të jetë përgjëruar për ndihmën tënde, të ketë kërkuar t’ia mbash sipër dorën dhe të jetë braktisur prej Teje. I frymëzuar nga ky besim, Ty të drejtohem o Nënë, Virgjër e virgjërave, tek Ty vij e, mëkatar siç jam, përkulem para këmbëve të tua për të kërkuar mëshirë. O Nënë e Fjalës hyjnore, mos i përçmo lutjet e mia, por me dashamirësi dëgjoji dhe plotësoji. Amen". “Memorare” na mëson virtytin e lypjes dhe të lutjes.
Ashtu siç i ka kënduar gjatë jetës bukurisë së Zojës së Bekuar, Bernardi, tani shenjtor në Parajsë, i lutet avokates sonë, asaj që është "bukuri e çfarë gëzimi / ishte në sytë e gjithë shenjtorëve të tjerë", në mënyrë që Dante të shihte më në fund Zotin, pas lodhjes së atij udhëtimi të gjatë, që e çoi nga pylli i errët i Jerusalemit në Empire. Në këngën e fundit të Parajsës, Shën Bernardi i drejton një lutje Virgjërës Mari, që ka mbetur si një nga lutjet më të bukura kushtuar asaj:
“Nanë virgjineshë, ti bija e tand bir,
mbi çdo krijesë e prunjtë e madhështove,
nga khilli i amshuem cak i vendosur mirë,
ti je ajo, që natyrën njerzore
e ngrite aq, sa vetë krijuesi unjí
me u ba krijesë e saj s'e pat për kore.
Pishtar mesdite je, në botë t'këtushme,
i dashunisë, e poshtë për njerzt e shkretë
ti je shpresë gurrë e pashterrueshme.
O zonjë, kaq je e madhe e vlerë ke vetë,
sa kush don hir edhe te ti s'vrapon
dëshira e tij don t'fluturojë pa fletë.
Me mirsinë tande ti jo veç ndihmon
atë që të lyp, por shpesh ndër të veshtira
pa t'u drejtue endè ndihmë i shkon.
N'ty dhimbsunija dhe në ty mëshira,
n'ty bujarija, asht bashkue te ti
e të gjitha krijesavet e mira”. (Përkthimi i Pashko Gjeçit)
Zoja Mari paraqitet këtu me gjithë humanizmin e saj si nënë, nënë e Jezusit, por edhe e jona. Si e tillë, Shën Maria nuk mund të mos i ndihmojë gjithë bijtë e saj, jo vetëm ata, që i kërkojnë ndërmjetësim, por edhe ata që, mendjemëdhenj, mosmirënjohës a të bindur se askush nuk mund t'i ndihmojë, nuk i drejtohen asaj. Le të mendojmë për historinë, që tregon Dante në Komedinë Hyjnore. Kur Dante më në fund vendos t’ia drejtojë britmën Qiellit, duke i kërkuar mëshirë, ndërsa shtyhet përsëri në pyllin e errët "ku dielli hesht", në të vërtetë, Zoja e Bekuar i ka parë tashmë vështirësitë e tij dhe i ka dërguar pikërisht Virgjilin, të cilit ai ia drejton kërkesën për ndihmë. Këtu, Maria e paraprin britmën e Dantes. Përveçse nënë, Zoja është ajo, që kontribuoi në shëlbimin e njerëzimit, përmes mishërimit të Krishtit. Ajo “fiat” (ashtu u bëftë), që Maria i thotë Engjëllit, është mënyra me të cilën Zoti u bë njeri.
Zoja bashkëpunoi në shëlbimin e botës, pra, ajo është bashkë-shpëtimtarja e saj. Pikërisht falë meritave të saj në të ardhmen, Zoti e ruajti Marinë nga mëkati, Ajo është sine labe concepta ("e lindur pa mëkat"), është Zoja e Papërlyer, që tërheq drejt vetes çdo mëshirë, përshpirtëri e bamirësi. Për ne, Zoja është burim i vazhdueshëm shprese drejt së cilës duhet të shikojmë gjithmonë, edhe në kohë vështirësish të mëdha: nëse dikush dëshiron një hir dhe nuk i drejtohet asaj, do të ishte sikur të donte të fluturonte pa flatra.
Pas këtij himni të bukur, Shën Bernardi i kujton Zojës ndërlikimet e shumta të rrugëtimit të Dantes dhe i kërkon që ta lejojë të shohë Zotin, pa i dëmtuar shqisat:
“E ky, që nga ajo golle e largët, që rri
n'fund të gjithsisë, deri këtu ka pamë
gjendjet e shpirtnave nji e nga nji,
hir të kërkon t'fuqishëm aq me e bamë,
sa t'mundet me i naltue sytë varfanjakë
deri atje lart te vetë shpëtimi i mbramë.
E unë, që kurrë për vehte në aq flakë
s'u ndeza sa për te, lutjet e mija
t'i shtroj, dhe lus t'mos duken gja e pakë,
që vdekësisë së tij t'i zhduket hija
me atë uratë, që ti për të do kesh,
i t'lartit gzim t'i çfaqet madhështija.
Edhe të lutem ty, o mbretëneshë,
që ban çka don, shëndosh t'ruejsh mbas hareje
të kësaj pamje ndjenjat e'çume peshë.
Çdo hov njerzor me rojen tande theje!
Beatriçen shih edhe të tjerë të lumë,
për lutje time bashkonjë duert drejt teje!" (Përkthimi i Pashko Gjeçit)
Duke u lartuar aq sa të shohë Hyjin, Dante nuk duhet të humbasë aftësitë e tij intelektive e shqisore. Dante duhet të jetë në gjendje të tregojë atë që pa, domethënë Zotin, quajtur nga Shën Bernardi si "shpëtimi i fundit", domethënë si mundësia jonë ekstreme e shpëtimit dhe "kënaqësia më e madhe", pra, lumturia e plotë për qenien njerëzore, e vetmja mundësi për të kënaqur dëshirën për amshim, që e dallon zemrën njerëzore. Himni i Dantes për Virgjërën Shenjte do të ketë një ndikim të madh edhe në letërsinë e mëvonshme.