Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: Rrëshajët

Të dielën, më 19 maj, Kisha Katolike kremton Rrëshajët, ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi apostujt e mbi shën Marinë. Kjo ngjarje përshkruhet më së miri në kapitullin e dytë të Veprave të Apostujve, ku shën Luka ungjilltar na bën ta përjetojmë skenën, me ushtimën e erës së fuqishme e me gjuhët e zjarrit. Rrëshajët kanë datë të njëjtë me ato të kremtuara nga hebrenjtë, 50 ditë pas Pashkëve

R.SH. - Vatikan

Në Veprat e Apostujve, shkruar nga shën Luka ungjilltar, ka një vend, nga i cili përhapet drita në të gjitha ngjarjet e tjera, që përshkruhen në të: skena e Rrëshajëve. Në pak rreshta, Luka na jep një pamje, që bëhet themeltare, na njeh me përhapjen e një vale energjie, me shpërthimin e një fuqie të jashtëzakonshme, me vërshimin e një drite, që ndryshon çdo gjë:

 “Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë, si të ishin zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin” (Vap 2,1-4).

Skena është shungulluese. Është nxitje. Ndihet qartë!

 Është mbrëmje, duket sikur dita nuk do të ketë më ndonjë të re, por gjithçka ndodh papritur, një ushëtimë, një erë, që mbush shtëpinë e njerëzit. Është Shpirti Shenjt, ai që më kot e pritën profetët, ai për të cilin folën Ezekieli e Joeli, ai që nuk iu dha Moisiut në Sinai, ku pati vetëm erë, vetëtima e zjarr: është Shpirti i Zotit, që mbush gjithçka! Ky është shpërthimi, që i ndryshon njerëzit e gjërat! E Pjetri, renegati, çohet në këmbë… e asgjë s’do të ishte më si më parë!

Ç’do të ishte krishterimi pa Rrëshajët?

Ç’do të ishte krishterimi pa Rrëshajët? Ç’do të ishte vetë Ungjilli pa këtë shpërthim? Kjo është ngjarja themelore, që përcakton natyrën dhe misionin e Kishës, pasi:

-         e kremtja e Rrëshajëve, gjatë së cilës hebrenjtë kujtonin dhuratën e Ligjit mbi Sinai, festohet e përmbushet tani me dhuratën e Shpirtit Shenjt;

-         mallkimi i Kullës së Babelit dhe ndarja e njerëzve dhe e gjuhëve shlyhet përmes pushtetit të Shpirtit;

-         ringjallja dhe ngjitja e Jezusit në Qiell i hapin udhën ardhjes së Shpirtit Shenjt, që tani mund të banojë në njerëz e në sende;

-         bashkësia e besimtarëve është përkryerja e popullit hebraik e gjithçka prisnin njerëzit e mbarë tokës;

-         bashkësia kishtare është mjeti i kësaj fuqie, që zbret nga Qielli, dhuron pushtet dhe nxit të kumtohet Lajmi i Mirë.

Pasi tregon nga vjen drita e afreskut të tij, shën Luka ungjilltar fillon të përvijojë skena të tjera e pesë kapitujt e parë të Veprave të Apostujve janë si çastet e para pas “Big Bang”-ut, ato për të cilat shkencëtarët kanë vështirësi studimi, sidomos sepse u duhet të kuptojnë pse universi është kështu si e shohim sot. Kisha lind nga Shpirti Shenjt si përsa i përket misionit të pajtimit të shpirtrave e të faljes së mëkateve, ashtu edhe përsa i përket misionit të kumtimit të Lajmit të Mirë të Ungjillit.

16 maj 2024, 09:10