Kërko

L'Ascensione del Signore di Gesù - solennità L'Ascensione del Signore di Gesù - solennità

Fjala e Zotit e dielës të Të Shёlbuemit

Festa e Të Ngjiturit e Krishtit në Qiell na kujton se caku ynë nuk është i tëri këtu mbi tokë. Fjala e Zotit e kёtij solemniteti na fton të shikojmë nga toka drejt qiellit – të ngulni vështrimin tonë në Atë, Jezu Krishtin Zot e Shpëtimtar – i cili prej mёse dymijë vjetësh – ndiqet prej breznive në brezni që jetojnë e pasojnë mbi tokën tonë, duke rigjetur në Krishtin Zoti kuptimin përfundimtar të ekzistencës.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të solemnitetit të Të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell, ciklit të parë sipas kalendari liturgjik.

Fjala e Zotit e Të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell

Fjala e Zotit e Të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell

Solemniteti i të Shëlbuemit na tregon episodin e ndarjes së Jezu Krishtit Zot nga dishepujt e vet, që nuk është braktisje, sepse Jezusi mbetet gjithnjë me ta, në një formë të re. Festa e Ngjiturit e Jezu Krishtit në Qiell, që te shqiptarët quhet festa e të Shëlbuemit, të cilën Kisha katolike e kremtoi të enjten e kaluar, më 13 maj, po për arsye baritore ua propozon besimtarëve të dielën. Hyji është përherë me ne. Është pranë nesh në çdo moment të jetës sonë personale e komunitare.

Solemniteti i festës të Të Ngjiturit e Krishtit në Qiell na kujton se Jezusi që ngjitet në Qiell na thotë se caku ynë nuk është i tëri këtu mbi tokë. Na kujton se jemi të thirrur, duke jetuar në tokë, ta fiksojmë, ta përqendrojmë vështrimin tonë drejt Qiellit, ta orientojmë vëmendjen, mendimet dhe zemrën ndaj misterit të pashqyrtueshëm të Hyjit, aty ku përmbahet, aty ku gjendet domethënia përfundimtare e jetës sonë njerëzore.

Feja është akt njerëzor tepër personal, që realizohet në dy përmasa. Të besosh domethënë, para së gjithash, të pranosh atë çka Zoti na dëfton mbi veten, mbi qenien tonë e mbi realitetin që na rrethon, edhe atë që është e padukshme, e pashqyrtueshme, e paimagjinueshme. Ky akt i pranimit të të vërtetave hyjnore të dëftuara e zgjeron horizontin e ekzistencës sonë.

Pranimi i një përkufizimi të tillë të arsyes nuk arrihet aq lehtësisht, sepse pikërisht këtu, në këtë çast kur arsyeja jonë njerëzore gjendet para misterit të pashqyrtueshëm, feja dëftohet edhe në përmasën e dytë: atë të besimit në një person – jo në një person të zakonshëm, por në Krishtin e Ngjallut. Për ne është e rëndësishme ajo çka besojmë, por edhe më e rëndësishme është Ai në të cilin besojmë, Jezu Krishtin, Zot e Shëlbues. Po për këtë lypet forca dhe guximi.

Pra, duhet të jemi të fortë me atë forcë që buron nga feja! Duhet të jemi të fortë me forcën e fesë! Duhet të jemi besnikë e besimtarë. Fjala e Zotit e kёtij solemniteti na fton të shikojmë nga toka drejt qiellit – të ngulni vështrimin tonë në Atë – i cili prej mёse dymijë vjetësh – ndiqet prej breznive në brezni që jetojnë e pasojnë mbi tokën tonë, duke rigjetur në Krishtin Zoti kuptimin përfundimtar të ekzistencës. Tё qëndrojmë të fortë në fe! Tё qëndrojmë në shpresë! Tё qëndrojmë të rrënjosur në dashuri e të mos kemi frikë të mbështetemi në Krishtin, të mos kemi frikë tё ndërtojmë jetën tonё mbi Krishtin e me Krishtin, shkëmbin e vërtetë të jetës, çka do të thotë të ndërtojmë mbi një themel që quhet dashuri e kryqëzuar. Do të thotë të ndërtojmë me Dikë që, duke na njohur më mirë se ne njohim veten, na thotë: Ti je i çmueshëm para syve të mi,… je i denjë dhe me vlerë e unë të dua.

                                            Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi parë Vap 1, 1-11

Lexim prej Veprave të Apostujve
Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi që u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet të Shpirtit Shenjt. Ai, pas mundimit të vet, me shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit. Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lëshojnë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje: Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.” Tani ata që ndodhën bashkë me të e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?” Ai u përgjigj: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.” Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre. Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin sesi ai ngjitej në qiell, ia behën dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “O burra galileas, përse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezusi, që prej jush u ngjit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell!”  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 47

Ngritët Zoti me këngë të hareshme

Duartrokitni, o popuj të gjithë,
brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm,
Mbreti i madh mbi tokën mbarë.

Ngritët Hyji me brohori,
Zoti me zë trumbete.
Këndoni Hyjit, këndoni,
këndoni mbretit tonë, këndoni!

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës:
këndoni këngë me mjeshtëri!
Hyji mbretëron mbi mbarë popujt,
Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë

Leximi dytë Ef 4,-13

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, ju përbej unë, i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri-tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm – sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë. Edhe secilit prej nesh i qe dhënë hiri me atë masë me të cilën Krishti deshi të na e dhurojë. Këndej edhe thuhet: ‘Kur u ngrit në lartësi i mori dhe u dha dhurata njerëzve’. E ajo fjalë: ‘U ngrit’, çka do të thotë tjetër, por se më parë ‘zbriti’ këtu poshtë, përmbi tokë; Ai që ‘zbriti’, është po Ai që ‘u ngrit’ mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë. E Ai i ‘dha’ disa apostuj, disa tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, do të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t’i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit Krishtit, deri që të gjithë t’ia arrijmë njësisë së fesë dhe njohjes së Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin! 

Aleluja, Aleluja

Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, thotë Zoti.
Dhe, ja unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës
Aleluja

Ungjilli Mk 16, 15-20

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi iu duk të Njëmbëdhjetëve dhe u tha: “Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve. Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet. Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; në duar do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pinë ndonjë send që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen.” Zotëria Jezus, pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte fjalën me mrekulli që e përcillnin. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci nga krydioqeza e Shkodër-Pultit:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

Të Shëlbuemit: TË NGRITURIT E JEZUSIT NË QIELL – SHËLBUEMI: ZOTI BASHKËPUNONTE ME TA... ME MREKULLI.

Vap 1, 1-11; Ps 47 (46); Ef 4, 1-13; Mk 16, 15-20

E kremtja e sotme përmban në vetvete domethënie të shumta. Është e pamundur t’i shpjegojmë këtu të gjitha, por po ndalemi shkurtimisht vetëm të disa më kryesoret prej tyre.

Duke u ngjitur në qiell, Jezusi e përfundon kohën e qëndrimit të Tij në tokë. «Tani po vij tek ti» (Gjn 17, 13) – i thoshte Jezusi Atit në lutjen e Tij natën kur do të arrestohej. Jezusi e çon në fund veprën që Ati i kishte besuar për shëlbimin e botës: «E kreva veprën që ma dhe ta kryej».

Duke u ngjitur në qiell, Jezusi kthehet edhe një herë në lavdinë e Parrizit, në atë lavdi që, për pak kohë, e kishte “lënë”, duke mos e çmuar atë «si një thesar që s’mundet pa të dhe ia mohoi vetvetes» (Fil 2, 6-7), për të «marrë natyrën e shërbëtorit».

Ungjilli i sotëm e përshkruan me fjalë madhështore këtë të vërtetë: «Zotëria Jezus, pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit.» Edhe Shën Shtjefni, atë ditë që po i bënin gjyqin për ta vrarë, kur i ngriti sytë lart, tha: «Qe, po e shoh qiellin e hapur dhe Birin e njeriut në të djathtën e Hyjit». Diçka duhet të kenë parë të krishterët e parë, që filluan ta shprehnin lavdinë që gëzonte tashmë Jezusi i Ngjallur pikërisht me fjalët: «Ai që rri në të djathtën e Hyjit».

Duke u ngjitur në qiell, pra, Jezusi dëshmon pushtetin e Tij si Hyj i vërtetë, që ka mposhtur botën, mëkatin, vdekjen dhe djallin. Prefacioni i sotëm e shpreh shumë bukur këtë të vërtetë: «Sot Jezusi Zot, Mbreti i lavdisë, ngallënjyesi mbi mëkatin dhe mbi vdekjen, u ngjit në lartësitë qiellore përballë engjëjve të mahnitur.»

«Përballë engjëjve të mahnitur» sepse tashmë Biri i amshuar nuk po kthehej në gjirin e lavdisë Trinitare ashtu siç ishte më parë. Tani Biri kishte me vete edhe natyrën e njeriut. Diçka kishte ndryshuar në Hyjin.

Kjo na bën të kuptojmë se e kremtja e sotme nuk duhet të shihet vetëm si ditë triumfi e Krishtit e asgjë më shumë. Do të ishte tepër larg stilit të gjithmonshëm të Jezusit sikur ta shihnim Ngjitjen e Tij në qiell vetëm kështu e të mos kuptonim asnjë lidhje me dashurinë që Ai ka predikuar e dëshmuar gjithnjë gjatë qëndrimit të Tij në tokë.

Biri tashmë ka marrë me vete, në mënyrë të pandashme, edhe natyrën e njeriut. Kaq vlerë i ka dhënë Hyji krijesës së vet, saqë ka dashur ta marrë pandashmërisht në vetvete! Kështu, e mbushur me kaq shumë vlerë në sytë e Hyjit, natyrën njerëzore ftohemi ta nderojmë e ta respektojmë edhe vetë ne njerëzit, që nga ngjizja e saj e deri në fundin e saj të natyrshëm.

Pastaj, duke u ngjitur në qiell, Jezusi na mbush edhe të gjithëve ne me shpresë, sepse na tregon fundin e lum për të cilin e ka krijuar natyrën njerëzore. Prefacioni të cilin e cituam, vazhdon duke iu drejtuar Atit të amshuar: «Jezusi hyri para nesh në lavdinë tënde, jo për t’u larguar nga gjendja jonë e përulur, por që të kemi shpresë se edhe ne, gjymtyrët e tij, do ta ndjekim atje ku është Ai, Kryet dhe Prijësi ynë.»

Gjatë qëndrimit të Tij në tokë, Jezusi ka thënë: «Ku jam unë, aty do të jetë edhe shërbëtori im.» (Gjn 12, 26) E, gjatë darkës së Tij të fundit, apostujve u ka thënë: «Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.» (Gjn 14, 3) Duke u ngjitur në qiell, pra, Jezusi na e përforcon shpresën tonë se edhe ne një ditë – nëse qëndrojmë në dashurinë e Tij – do të gëzojmë lumturinë e Parrizit.

Gjatë procesit gjyqësor që po i bënin në Romë Shën Justinit, në shekullin e dytë, gjykatësi i tha si me tallje: «Ti, pra, kujton se pas kësaj jete do të fillojë për ty një lumturi në jetën tjetër.» E Shën Justini – i njohur nga historia edhe si filozof – iu përgjigj: «Nuk kujtoj, por jam krejtësisht bindur.» Kjo ka qenë bindja e shenjtërve. Madje mund të themi se kjo bindje i ka bërë shenjtër, ngaqë u ka ndihmuar t’i shohin ngjarjet e botës me një sy tjetër, duke i lidhur me Krishtin e Ngjallur që e ka mposhtur mëkatin dhe vdekjen dhe ishin të sigurtë se një ditë do ta takonin në Parriz.

E kur njeriu është i mbushur me shpresë, natyrshëm e mbush me dinamizëm krejt ekzistencën e vet. Dinamizmi dhe energjia që ka karakterizuar shenjtërit, ka qenë pikërisht dinamizmi i dashurisë, duke qenë se ishin të bindur se kjo i bashkonte me Jezusin qysh këtu në tokë e një ditë do të kurorëzoheshin në Parriz.

Në leximin e parë sot na thuhet se, kur e takuan të Ngjallur Jezusin, apostujt e pyetën: «Zotëri, a thua do ta përtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?», ngaqë në mendje kishin një «përtëritje» politike, tokësore. E Jezusi i korrigjon: «Nuk është puna juaj ta njihni kohën e çastin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të Vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.» «Gjer në skajin e botës»! Po, pikërisht këtë Jezusi po ia besonte atij grupi krejt të vogël njerëzish tejet të thjeshtë: ta predikonin në mbarë botën. Sikurse u thotë edhe në Ungjill, në fakt: «Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve.»

Jezusi u kërkon nxënësve të vet këtë dinamizëm ungjillëzimi dhe dëshmie në jetën e tyre. Kjo nuk është detyrë vetëm e apostujve dhe e pasardhësve të tyre, por e çdo të krishteri. Askush nuk duhet ta përjashtojë vetveten nga ky dinamizëm ungjillëzimi, sepse të gjithëve Jezusi u ka garantuar praninë e vet dhe secilit i ka dhënë dhuratat që i duhen në këtë vepër «predikimi».

Thotë Shën Pali: «Ai i “dha” disa apostuj, disa profetë, disa prapë ungjilltarë, disa të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t’i bëjë të aftë për veprën e shërbesës.» Si të thoshte, pra, se tërë këtë vepër ungjillëzimi nuk janë njerëzit që e çojnë përpara, por vetëm Hiri i pashtershëm i Hyjit, që vepron mrekullueshëm në ata që i hapen. Thotë Ungjilli i sotëm: «Ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin.»

Është tejet e  bukur dhe e thellë ajo «Zoti bashkëpunonte me ta... me mrekulli», sepse na tregon se mrekullitë e ndodhura në Kishë e në botë dhe që do të vazhdojnë të ndodhin deri në fundin e kohëve, kanë një burim të vetëm: Krishtin e Ngjallur, i cili gjithnjë vazhdon t’i japë botës shenja të fitores së Tij, fitore e cila, një ditë, do ta përfshijë të tërën edhe Kishën e Tij.

Dom Dritan Ndoci

11 maj 2024, 10:28