Imzot Kulli pret punëtorët, në ditën e Shën Jozefit, më 1 maj
R.SH. – Vatikan
Në ditën e festës së Shën Jozefit punëtor, më 1 maj, ipeshkvi i dioqezës së Sapës, imzot Simon Kulli, u takua me rreth 50 punëtorë, me qëllimin për t’i bërë ata të ndiejnë gjithë ngrohtësinë e bashkësisë kishtare. Më hollësisht për këtë takim, të ndjekim informacionin e Violeta Marashit…
“Ju jeni ambasadorë të punës dhe rrezatimit në Kishë”
Është ky bekimi i Ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kullit dhënë punonjësve e bashkëpunëtorëve të kishës në Dioqezën e Sapës, me rastin e 1 majit, ditës së punëotorëve. Në këtë ditë feste që shënon dhe ditën e Shën Jozefit Punëtor, punonjësit e Kishës ishin të ftuar nga vetë bariu i kësaj grigje Imzot Simoni, i cili priti rreth 50 punëtorët e kishës lokale të Sapës. Takimi u zhvillua në Qendrën Atë Giovanni Fausti në Krajen
Në fillim u zhvillua një bisedë e ngrohtë e miqësore mes Imzot Simonit e punëtorëve, ku qëllimi kryesor i këtij takimi në nivelin dioqezan ishte: të takohemi si familje e ta ndiejmë afërsinë e bashkëpunimit me njëri – tjetrin porsi vëllezër. Ai shtoi se së bashku kemi krijuar lidhjen e ngushtë duke iu konsideruar si pjesë e familjes.
Më pas u kremtua shërbesa eukaristike e cila u celebrua në kishën e Shën Mëhillit në Krajen nga Imzot Simoni, gjatë së cilës theksoi se sot në ditën e punëtorëve e falënderoj Zotin për punën tuaj për këtë klimë që kemi krijuar. Ju e keni për zemër punën që bëni. Këtë punë e kryeni si mision të tuajin. Ju jeni shembull për të tjerët. Të mundohemi e të punojmë që t’ia arrijmë shenjtërisë. Ka shumë modele shenjtërie që kanë sakrifikuar për familjen. Jeni ju ato që tregoni bukurinë e shenjtërisë nëpërmjet punës së duarve të tuaja. Ju jetoni Pashkët e Shenjta me punë të ndershme; ju gëzoni veten, familjen por edhe shoqërinë ku jetojmë. Me djersën e ballit ju i përngjani Shën Jozefit punëtor, ju e keni model të jetës tuaj dhe pajtor të familjes tuaj. Falenderojeni Zotin se puna e juaj është e lavdërueshme ndaj Krishtit Zot. Ju jeni në një vend ku realizoni veten dhe kontribuoni për kishën.
Pas kremtimit të meshës, takimi vazhdoi me një drekë vëllazërore për të gjithë të pranishmit, ku nuk munguan edhe momente festive duke kënduar me njëri-tjetrin.