Kard. Pizzaballa me të krishterët e Gazës për herë të parë që nga fillimi i luftës
R. SH. - Vatikan
Takimi, përqafimi dhe mbështetja e të krishterëve të Gazës, duke u sjellë një mesazh shprese, ishte që nga fillimi i luftës dëshira e Patriarkut Latin të Jeruzalemit, Kardinalit Pierbattista Pizzaballa, i cili dje, shtatë muaj pas fillimit të konfliktit, mundi të shkonte për një vizitë baritore në famullinë e Familjes Shenjte. Njoftimin e jep një komunikatë e Patriarkanës e edhe vetë Kardinali në një videomesazh, në të cilin shpreh gëzimin që ndjen nga mundësia e kësaj vizite kaq të dëshiruar.
“Prej shumë kohe - kujton - desha të shkoj, t’i vizitoj, t'i takoj. E tani e kam këtë mundësi dhe jam shumë i lumtur për këtë. Qëllimi i kësaj vizite, para së gjithash, është të jemi me ta, t'i përqafojmë dhe t'i mbështesim, t’i shohim kushtet e tyre, të përpiqemi të kuptojmë se çfarë mund të bëhet për t'i përmirësuar dhe t'i ndihmojmë në të gjitha mënyrat e mundshme". Prandaj Kard. Pizzaballa u bën thirrje gjithë të krishterëve të mblidhen "në lutje me bashkësinë e Gazës".
Kardinali Pizzaballa në Gaza
Inkurajimi për popullatën
Së bashku me Fortlumturinë e Tij, siç njofton një deklaratë e Patriarkanës, ishin Atë Alessandro de Franciscis, kreu i Spitalit të madh të Urdhrit Sovran të Maltës; Atë Gabriele Romanelli, famullitar i Gazës dhe një delegacion i vogël që mundi të takohej - lexojmë - “me popullsinë e vuajtur, për ta inkurajuar dhe për t’i përcjellë një mesazh shprese, solidariteti e mbështetjeje. Fortlumturia e tij kryesoi Meshën me bashkësinë vendase në kishën e famullisë. Gjatë qëndrimit, bëri edhe një vizitë mirësjelljeje në famullinë ortodokse të Shën Porfirit”.
Misioni humanitar i Smom
Kjo vizitë "fazë e parë e një misioni të përbashkët humanitar të Patriarkanës Latine dhe Urdhrit Sovran të Maltës, në bashkëpunim me Malteser International dhe partnerë të tjerë, synon të çojë ushqim dhe ndihmë mjekësore për jetën e popullatës së Gazës".
Dorëzimi i ndihmës
Kreu i Madh Spitalor: Gaza është shkatërruar
Pamjet që shihen nga televizionet dhe agjencitë e mëdha, janë fatkeqësisht të vërteta, megjithatë, për fat të keq, nuk përfaqësojnë plotësisht realitetin: në Gaza gjithçka është shkatërruar. Na e përshkruan në Vatican News - Radio Vaticana rreth shtatë orët e jetuara në Gaza me kardinalin Pizaballa, Atë Alessandro de Franciscis, Kreu i Madh Spitalor i Urdhrit të Maltës, nënshkrues, më 14 maj, i Memorandumit të Mirëkuptimit për krijimin e misionit të përbashkët humanitar të Patriarkanës Latine dhe të Urdhrit Sovran të Maltës. Kreu i Madh Spitalor nuk e fsheh emocionin duke përshkruar gëzimin e besimtarëve të famullisë së Familjes së Shenjtë, ndërsa Patriarku hyn për herë të parë që nga fillimi i luftës.
“Ai - kujton de Franciscis - priste prej kohe me ankth ta përqafonte përsëri popullin e Gazës dhe të dëshmonte se përqafimi i turmës, që e priste në oborrin e famullisë, ishte pikërisht për të”.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i vizitës, qe mundësia për të shoqëruar famullitarin e Gazës, Atë Gabriel Romanelli. “Ai duhet të ishte kthyer në Gaza më 6 tetor - vazhdon de Franciscis - pastaj vendosi të kujdesej për disa gjëra të tjera rreth Jerusalemit. Do të kthehej të nesërmen, por më 7 shpërtheu lufta. Kishte shtatë muaj që mungonte në famullinë e tij. Ndaj në këtë rast nuk mund t’i mungonin shumë e shumë përqafime”.
Arritja e ndihmave
Pjesa më e madhe e ndihmave do të arrijë - tregon de Franciscis - në 4/6 javët e ardhshme dhe do të jetë e nevojshme për t'u marrë me emergjencat dramatike dhe me një gjendje të pashoqe shëndetësore. Në Gaza - sipas fjalëve të de Franciscis - "çdo gjë mungon për sa i përket kujdesit shëndetësor parësor ose të nivelit të parë", ashtu siç ka mungesë ushqimi dhe raste të hepatitit A, që tregojnë se "kushtet e higjienës tani janë reduktuar në kulm". Por krahas shkatërrimit, urisë dhe sëmundjeve, ekziston vullneti i fortë i njerëzve për të jetuar "tipik për të gjithë popujt e Mesdheut". “Jeta është riorganizuar - vijon përfaqësuesi i lartë i Smom- pamë një lloj tregu rudimentar, pamë, për shembull, hapësirat e përbashkëta të famullisë shndërruar, me bujari të madhe nga ana e priftërinjve dhe murgeshave të famullisë, në strehë për mbi njëqind vetë, me shtretër të improvizuar, e edhe me kushte të improvizuara higjienike”. Megjithatë, e dukshme, përveç shkatërrimit, është "dëshira për të jetuar" e palestinezëve, edhe përballë emergjencave humanitare. E ne - përfundon de Franciscis - "e kemi për detyrë t'u përgjigjemi si të krishterë dhe si Urdhër spitalor".