Kërko

L' Incontro tra Vergine Maria e Santa Elisabetta L' Incontro tra Vergine Maria e Santa Elisabetta

Përfundon muaji marian. Maria të çon tek Hyji, të çon tek Jezusi

Kur ia beson veten Marisë, je në krahët e Jezusit. Maria na edukon në fe, Maria na merr për dore për të na çuar tek Zoti, sepse Testamenti i Marisë janë fjalët që shqipton në Dasmën e Kanës: “Bëni gjithçka t’ju thotë Ai”. Kur i afrohemi Marisë, ndjehemi më shumë të krishterë, më shumë dëshmitarë të Krishtit, sepse Maria nuk të largon nga Hyji: Maria të çon tek Hyji, të çon tek Jezusi.

R.SH. - Vatikan

Sipas traditës, më 31 maj, në mbarë botën e krishterë katolike kremtohet përfundimi i muajit të Zojës së Bekuar. Për të kujtuar si nisi kjo traditë,  kushtuar Gruas së veshur me diell, Virgjrës Mari. Kur i afrohemi Marisë, ndjehemi më shumë të krishterë, më shumë dëshmitarë të Krishtit, sepse Maria nuk të largon nga Hyji: Maria të çon tek Hyji, të çon tek Jezusi. Kush nuk i afrohet Marisë, humbet ndihmën më të madhe për t’u takuar me Hyjin.

Maria - na thotë Ungjilli, na e thotë Elizabeta e ndriçuar nga Shpirti Shenjt - është besimtare, besimtarja e parë e përkryer. Kur ia beson veten Marisë, je në krahët e Jezusit. Maria na edukon në fe, Maria na merr për dore për të na çuar tek Zoti, sepse Testamenti i Marisë janë fjalët që shqipton në Dasmën e Kanës: “Bëni gjithçka t’ju thotë Ai”. 

Sikur e dimë, kremtimi i muajit maj, si muaj kushtuar nderimi të Zojës Mari, nisi me një zakon të periudhës së rilindjes, sipas të cilit të dashuruarit shkëmbenin dhurata të fisme. Kur natyra është në lulëzim, të duket e natyrshme ta kremtosh dashurinë. Në përpjekjen për ta kristianizuar këtë zakon, fillimisht besimtarët nisën t’i dhuronin Marisë tufa me lule, si shenjë nderimi që i bënte vetë natyra Nënës së Zotit, krijesës më të bukur mbi gjithë gratë, Vashës veshur me diell.

Me sa duket, i pari që  nisi ta lidhë figurën e Marisë me muajin marian, aty nga shekulli XIII, ishte mbreti i Kastiljes, Alfonsi X i Urti i cili, në një këngë krijuar prej tij për festat stinore, e shikon majin si muajin më të përshtatshëm për t’ia kushtuar devocionit ndaj Marisë, për ta kurorëzuar, kështu, denjësisht. Dimë, pastaj, se në Francë, që në shekullin XIV, Sivëllazëria e Argjendarëve e kishte zakon t’i dhuronte Virgjërës Nënë, më 1 maj, në Kishën e Shën Marisë së Parisit, një bimë të stolisur me gurë të çmuar, emblema e kordele mëndafshi.

Ndërsa në Romë, në shekullin XVI, Shën Filip Neri gjatë majit i ftonte vazhdimisht të rinjtë e tij ta nderonin në mënyrë të veçantë Marinë. Kremtimi i mirëfilltë u themelua në shekullin XVIII nga tre jezuitë: Atë Annibale Dionisi botoi, në vitin 1725, veprën “Muaji i Marisë”, duke i këshilluar besimtarët për meditim të përditshëm, uratë zhgjetore e lutje të tjera të shkurtëra, për kujtim të Zojës së Bekuar. Më pas, e pikërisht në vitin 1758, atë Lalomia botoi, në Palermo, “Muajin e majit”, me një sërë meditimesh ditore. E së fundi, më 1785, atë Alfonso Muzzarelli, edhe ai jezuit, botoi në Romë veprën “Muaji maj”, me meditime për të vërtetat e amshuara, duke përfunduar me  kushtimin Marisë. Nga gjysma e parë e shekullit XIX, maji i Marisë kremtohej në mbarë Evropën, në Amerikë e në vendet e misionit.

Maji është edhe muaji i Virgjërës së vënë për udhë

Siç pohonte Papa Shën Pali VI në një homeli, nuk mund ta lëmë muajin e majit të kalojë, pa rindezur devocionin tonë për Marinë, por edhe pa u vënë për udhë drejt vëllezërve tanë, si na mëson vazhdimisht Papa Françesku. Pasia e Zojës tek Elizabeta është e vetmja festë mariane e majit, parashikuar nga reforma e Papës Montini. Maji, prandaj, është edhe muaji i Pasisë, muaji i Virgjërës së vënë për udhë. E ta nderosh kështu Marinë në muajin e saj, domethënë ta konceptosh jetën si vijim të amësisë së Nënës së Krishtit, të rizbulosh e t’i ndihmosh edhe të tjerët të zbulojnë se Krishti është përgjithmonë e jetës Zoti me ne, i mishëruar në kraharorin  e Marisë, për të jetuar si ne e për të na sjellë dhuratën e parrëfyeshme të pranisë së Tij. E duke e kremtuar kështu muajin kushtuar Zojës së Bekuar, Maria do të na ndihmojë t’i shërojmë plagët që na hap çdo ditë jeta, të krijojmë frymën e bashkimit e të mbushemi  me të njëjtin ngazëllim, që e pati mbushur zemrën e Elizabetës, ditën kur pati fatin të takohet me Nënën e Zotit!

Muaji i Zojës te shqiptarët

Kujtojmë se  tek shqiptarët Muaji i Zojës nisi të kremtohej njëherësh me Evropën e krishterë, kur shqiptarët ecnin ende me të njëjtin hap. Marisë nisën t’i kushtohen një mori shkrimesh, duke filluar nga vepra poetike e arbëreshit Jul Variboba “Gjella e Shën Mërisë Virgjër”, për të vijuar me  disa libra meditimesh e uratësh, shkruar nga penat më në zë të letrave shqipe të kohës, ndërmjet të cilave po kujtojmë vetëm Dom Ndre Mjedjen, që ribotoi 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum” dhe  Imzot Vinçenc Prennushin, që i kushtoi librin “Moji i majit”. Pastaj erdhën kohë të mugëta, kur veprat kushtuar Zojës u fshehën ndër skuta. U fshehën e nuk po dalin më në dritë. Meriton, prandaj, të studiohet, së paku për vlerat gjuhësore, hagjiografia mariane, një “tufë me lule fjalësh shqipe” për majin e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore Qiellore e shqiptarëve.   

31 maj 2024, 10:56