Kërko

Shëna Ndou i Padovës: model i fesë

Shëna Ndou, model i fesë, i shpresës, model i dashurisë për Zotin, i dashurisë për të afërmin, i përvujtërisë, i bindjes, i varfërisë, i pendesës, i lutjes, i vëllazërimit

R.SH. / Vatikan

Shëna Ndou, model i fesë

Feja është virtyt i mbinatyrshëm. Na bën t’i besojmë të gjitha të vërtetat dhe misteret, që mëson Kisha, sepse janë të zbuluara nga Zoti. Feja është fara që iu besua shpirtit të të Lumit. Ajo farë nga e cila do të mbinte e do të rritej Jeta e Krishterë. Pa fe është e pamundur të kënaqësh Zotin e të shëlbohesh. E ky është shembull, e edhe nxitje për ne të gjithë!

 Shën Antoni - apo Shëna Ndou - emër me të cilin  thirret shpesh në gjuhën shqipe - ishte dhe është model feje. E kaloi gjithë jetën e tij duke ua ndezur njerëzve pishtarin hyjnor të besimit. E ky është shembull dhe nxitje për të gjithë ne sot.

Shën Antoni, modeli i shpresës

Shpresa është virtyt i mbinatyrshëm: me të e presim jetën e amshuar në Zotin dhe hiret e nevojshme, për ta arritur. Shpresa është filizi i parë i fesë. Shëna Ndou pushoi si në gji të nënës, në krahët e shpresës së krishterë. Që në moshë të re hoqi dorë nga rehatia, pasuritë e familjes, gëzimet dhe kënaqësitë, që i ofronte bota, për të mirat e ardhshme të premtuara nga shpresa e krishterë, duke u strehuar fillimisht te Etërit Augustinianë dhe, më pas, te bijtë e Shën Françeskut të Asizit .

Shëna Ndou, model i dashurisë për Zotin

Kotësia e kotësive: gjithçka është e kotë përveç dashurisë ndaj Zotit dhe shërbimit vetëm e vetëm ndaj Tij, sepse ky është qëllimi përfundimtar për të cilin u krijua njeriu. Besuam në dashurinë që na solli Jezu Krishti, duke vdekur në kryq për ne. Por, dashuria kërkon dashuri. Shën Antoni iu përgjigj dashurisë së pamasë të Zotit me gjithë entuziazmin e zemrës së tij të zjarrtë e dhuroi aq, sa mund të dhurojë një krijesë. I vetëdijshëm se askush nuk ka dashuri më të madhe se ai që dha jetën për miqtë e tij, dëshiroi martirizimin dhe shkoi në kërkim të tij në trojet e Afrikës. Pasi iu zhduk kjo shpresë, nga dashuria, iu kushtua deri në vdekje shpëtimit të shpirtrave! E sa e sa shpirtra të prishur i çoi te këmbët e Kryqit!

Shën Antoni, model i dashurisë për të afërmin

Nëse dikush thotë: “Unë e dua Zotin dhe urren vëllanë e tij, që e sheh, si mund ta dojë Zotin, që nuk e sheh?”. Ky urdhërim na u dha nga Perëndia. Shën Gjoni Ungjilltar e pati nxënë këtë mësim nga goja e vetë Jezusit, i cili pati thënë: “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin siç ju kam dashur unë. Nga kjo do të dinë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin". Shëna Ndou u bë shembull i ndritshëm dashurie për gjithë njerëzit me predikimin, rrëfimet dhe zellin e tij për shpirtrat. E dëshmojnë këtë shtegtimet e tij apostolike dhe shpirtrat e shumtë të shpëtuar.

Shën Antoni, modeli i përvujtërisë

Njeriu i botës nuk e vlerëson përvujtërinë, por e konsideron ligësi shpirti. Ndërsa njeriu i mençur, i përgatitur në shkollën e Ungjillit, e vlerëson atë si perlë me vlerë të paçmueshme dhe jep gjithçka për të, pasi është çmimi që duhet për blerjen e parajsës. Përvujtëria është rruga për në qiell! Nuk ka rrugë tjetër. Nëpër të kaloi Jezusi; e nëpër të edhe shenjtorët. Nga përulësia lindi edhe fama e Shën Antonit. Virtyti i përvujtërisë, shkruan për të një biograf i vjetër, preku një shkallë kaq të lartë përsosmërie te njeriu i Zotit, Antoni, saqë, duke jetuar mes fretërve të vegjël, ai dëshironte përbuzjen më shumë se çdo gjë tjetër, duke e  parë si lavdinë më të lartë dhe duke e vlerësuar veten  si më i fundmi i vëllezërve”.

Shën Antoni, modeli i bindjes

Liria është dhurata më e madhe e Zotit e, ndërmjet dhuratave natyrore, më e dashura mbi të gjitha. Për bindje ne i bëjmë oferta dhe flijime Zotit. Ofertë që Antoni e bëri që në fëmijëri, kur ishte i vogël e jetonte në shtëpinë atërore, ku u shqua ndërmjet të tjerëve për bindjen e plotë

Shën Antoni, model i varfërisë

Ashtu si ne ikim të tmerruar nga fantazma e frikshme e vdekjes, po ashtu njerëzit ikin nga varfëria, të cilën e konsiderojnë fatkeqësi të madhe. E pra është pasuri e madhe dhe e mirë e vërtetë. Jezusi na rikujton: “Lum të varfërit në shpirt, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve”. Gjatë jetës sonë jemi shtegtatrë drejt atdheut të amshuar dhe jo banorë të kësaj toke: prej këndej, të mirat tona nuk janë të tashmet, por të ardhshmet. Shëna Ndou, duke qenë i pajisur me gjitha të mirat, hoqi dorë prej tyre. E shkëmbeu dashurinë për kamjen, me dashurinë për varfërinë ungjillore dhe me praktikimin e saj në mënyrën më të përsosur, duke iu përmbajtur shkollës së Shën Françeskut të Asizit.

Nëse ke pasuri, mos e lidh zemrën me to; përdori për përfitimin tënd! Me çka të mbetet, lehtësoje mjerimin e të tjerëve;

bëj mirë!

Nëse je i varfër,

mos u turpëro për diçka të pandershme,

bëj mirë!

e mos u anko për Provaninë Hyjnore!

Jezusi u premtoi të varfërve pasuritë e qiellit.

Shën Antoni, modeli i pastërtisë

Zoti, duke formuar njeriun, bashkoi shpirtin dhe materien, substanca që nuk janë aq të ndryshme, në një harmoni të mrekullueshme, por edhe në një mënyrë të tillë që të mbretëronte paqja e patrazuar dhe e përsosur ndërmjet shpirtit dhe trupit. Mëkati fryn si furtunë në shpirtin e njeriut: shpirti dhe trupi ndonjëherë bëhen armiq të përjetshëm, gjithmonë në luftë. Shën Pali Apostull shkruan: "Mishi është kundër shpirtit; shpirti, kundër mishit". Të gjithë tundohen, por tundimi nuk është i keq: i keq është dorëzimi. Nuk është poshtërim të tundohesh: është poshtërim të pranosh. Ne duhet të fitojmë: për këtë na duhet lutja dhe ikja nga rastet. Shën Antoni kishte hirin e refugjatit, të fëmijës së pafajshëm, nën hijen e Shenjtërores së Virgjërës Mari. Nën shikimin e saj të butë amtar, lulëzoi  mrekullisht zëmbaku i pastërtisë së tij, të cilin e ruajti gjatë gjithë jetës së krishterë.

Shëna Ndou, modeli i pendesës

Jeta e krishterë mund të përmblidhet në një fjalë: "flijim". "Tani ata që i përkasin Krishtit e kryqëzojnë korpin me gozhdat e veseve dhe të epsheve" – na kujton Shën Pali. Të gjithë duhet të praktikojnë pendesën: i pafajshmi për t'i mbyllur derën mëkatit; mëkatari, për ta dëbuar nga shpirti. Pendesë do të thotë të vuash pa vajtim e të mbështetesh në Kryqin e Krishtit për ta kapërcyer vdekjen e shqisave. Në jetën e përditshme, pendesa mund të shprehet në mënyra të panumërta: zemra e të gjithëve e di mirë çfarë duhet të bëjë për t'i pëlqyer Zotit. Shën Antoni, i dashuruar me virtytin engjëllor dhe kryqin, nuk mund të mos e donte pendesën. Në radhë të parë dëshironte martirizimin por, në vend të tij, e shkriu gjithë vetveten në detyrë dhe  në vepra për shëndetin e shpirtrave.

Shëna Ndou, model i lutjes

Sipas rregullit të ëmbël të dashurisë, ai që dashuron gjithmonë dëshiron praninë dhe fjalën e të dashurit. Megjithatë, asnjë dashuri tjetër nuk është aq e fortë sa dashuria e Zotit! Kur kjo dashuri lidhet me shpirtin, e shndërron tërësisht, deri në atë pikë, sa e bën të thotë: "Unë nuk jetoj për veten time, por Krishti jeton në mua". Shën Antoni iu përkushtua me gjithë shpirt studimit dhe lutjes. Ndërsa jetonte në kuvendin e qytetit të tij të lindjes, në Lisbonë, kërkoi ta ndërronte me atë të Kryqit të Shenjtë të Coimbras, për t'u çliruar nga vizitat e shpeshta të miqve, që e largonin nga bashkimi me Zotin, u tërhoq në vetminë e Montepaolos e, në një shpellë që ia lëshoi një frat tjetër, iu kushtua lirisht kundrimit. Vdekja e gjeti në vetminë e Camposampiero-s, të përhumbur në lutje.

Shën Andou, model i dashurisë për Virgjërën Mari

Rrënja e parë e dashurisë për Zojën, është dashuria për Zotin. Kush do Zotin, duhet të dojë gjithçka do Zoti, që e zgjodhi Marinë ndërmjet  gjithë krijesave. Shën Antoni dallohet ndër dashamirësit më të zjarrtë të Virgjërës. Nuk pushoi kurrë lutjen e predikimin e madhështisë së Saj. Flaka e dashurisë zuri rrënjë në zemrën e tij kur, qysh në moshë të re, u arsimua nën hijen e shenjtërores së Marisë, fare pranë shtëpisë së tij. Biografi i  Shenjtit kujton: "Perëndia kishte vendosur që nga fëmijëria e hershme që Fernando i vogël të kishte si mësuese Marinë, e cila do të ishte mbështetja, udhërrëfyesja dhe buzëqeshja e tij në jetë dhe në vdekje".

Pasi u bë apostull i famshëm dhe dëshmitar i fesë, djalli, i tërbuar nga disfatat e shkaktuara prej predikimit të tij, iu duk një natë, e kapi për fyti dhe e shtrëngoi aq fort, sa e mbyti. Shenjti, duke kërkuar nga thellësia e zemrës mbrojtjen e Virgjërs, mësueses së tij që në fëmijëri, u mbështoll sakaq nga një dritë verbuese, që mbushi përplot qelinë e tij dhe shpirti i keq i errësirës, i hutuar, u zhduk!

Fryti i ëmbël i dashurisë së Nënës së Virgjër është Parajsa. Kushdo që e do  Marinë si bir a bijë, nuk do të humbasë përgjithmonë, sepse ndërmjet njerëzve të vdekshëm, ajo është burim i ndritshëm shprese. Pa harruar se duhet të jetë  dashuri e fortë, e bërë jo vetëm nga lutjet, por edhe nga ngjasimi me virtytet e Marisë; veçanërisht përvujtërisë, pastërtisë, bamirësisë dhe shërbimit.

Vdekja e Shëna Ndout

Vdekja, që e dron gjithkush e që i tmerron miqtë e botës dhe të pasioneve, sepse i ndan nga të gjitha të mirat dhe kënaqësitë që gëzonin në parajsën e tyre tokësore dhe i shtyn drejt një ardhmërie të pasigurt, është një gjë e mirë për të drejtët, besnikë ndaj detyrave të tyre. Për këta të krishterë besnikë, vdekja është shpallja e çlirimit. Si të krishterë, ne nuk duhet të mendojmë se varri është humnerë, përkundrazi, është derë që të çon në jetën e amshuar! Jetë në Zotin! Shën Antoni jetoi gjithmonë me syt e ngulur në atdheun e tij qiellor, për të e kishte lënë jetën tokësore, dashurinë e pafajshme të të dashurve të tij, lavdinë e lindjes fisnike dhe në këmbim kishte përqafuar përvujtërinë, varfërinë, hidhërimet e pendesës. Punoi pa u lodhur për Qiellin në apostollim sa ishte gjallë dhe, si i ri tridhjetë e gjashtë vjeç, fluturoi drejt qiellit i ngushëlluar nga pamja e Mbretërisë së bekuar, me sigurinë se do të ishte i mirëpritur nga Zoti Atë.

Lumnia e Shejtit të Mrekullive

Lavdia tokësore është si tymi që naltohet, por edhe zhduket shpejt, i rrëmbyer nga era. Jeta e secilit mund të zgjasë shumë, por në fund të gjithë do të vdesin. Vdekja mposhtet nëse gjatë jetës ne meritojmë të marrim pjesë në një lumni të qëndrueshme, që do të na shpërblejë për të gjitha vuajtjet që i kaluam, duke na bërë pjesëmarrës në një vend mbretëror, në Parajsë: "Kush do të jetë fitimtar - premtoi Jezusi - do të ulet me mua në mbretërinë time”. Njëlloj si Biri i Zotit.

Shën Antoni sigurisht që nuk e kërkoi lavdinë e botës dhe Zoti, përveçse e shpërbleu me lavdinë e përjetshme të qiellit, e lumnoi mes njerëzve edhe me aureolën e mrekullive. Sapo dha shpirt, fëmijët e pafajshëm, të shumtë, në rrugët e Padovës, bërtitën: " Vdiq Ati i Shenjtë, Antoni vdiq!". Që nga ai çast, një turmë e pashterrshme, nga të katër anët, u dynd drejt kuvendit të françeskanëve për të nderuar trupin e tij.

Ditën e varrimit, një turmë e madhe, e udhëhequr nga ipeshkvi, kleri dhe autoritetet civile, e shoqëruan në Kishën e Zojës Mari ku u shoqërua drejt jetës së pasosur me himne, këngë dhe pishtarë të panumërt.

Atë ditë shumë të sëmurë, të verbër, të shurdhër, memecë, të gjymtuar, e rifituan shëndetin pranë varrit të tij. Të tjerë vijuan të shëroheshin para derës së Kishës.

Edhe sot, Shëna Ndou jeton në mendjet dhe zemrat e besimtarëve të panumërt, duke shpërndarë hire dhe mrekulli për të gjithë.

 

21 maj 2024, 10:00