Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së Rrëshajëve
R.SH. - Vatikan
Kisha Katolike kremton festën e Rrëshajëve, ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi Zojën e mbi apostujt. Ungjilli i këtij solmeniteti, marrë nga kreu 15 e 16 sipas Gjonit (15, 26-27; 16, 12-15) na shpjegon se nga u vjen dishepujve dhe gjithë Kishës së mëvonshme pushteti për të kumtuar të vërtetën, që sjell në botë Lajmi i Mirë - Ungjilli. Shpirti Shenjt e shndërron zemrën, e zgjeron vështrimin e dishepujve. I bën të aftë për t’u komunikuar të gjithëve veprat e mëdha të Zotit, duke i kapërcyer kufijtë kulturorë e fetarë, brenda të cilëve qenë mësuar të mendojnë e të jetojnë. Shpirti i bën të aftë t’i arrijnë të tjerët, duke respektuar mundësitë e tyre të dëgjimit e të kuptimit, në kulturën e në gjuhën e secilit. Me fjalë të tjera, Shpirti Shenjt i vë në komunikim me njerëz të ndryshëm, duke realizuar unitetin dhe universalitetin e Kishës.
Të ndjekim një pjesë nga Ungjilli i Rrëshajëve sipas Gjonit:
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kur të vijë Mbrojtësi, të cilin do t’ju dërgoj prej Atit, Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit, Ai do të dëshmojë për mua. Por edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua, sepse jeni me mua që në fillim. Kam edhe shumë tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë Ai, Shpirti i së Vërtetës, Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.”
Të lutemi së bashku:
Pa Shpirtin Shenjt, o Jezus,
asgjë s’mund të zhvillohet derisa të përmbushet.
Shkrimet mbeten
të mbyllura e të pashqyrtueshme,
historia duket pa kuptim
e pa drejtim,
Lajmi i Mirë ka rrezik të mbetet
fjalë pa fryt,
sprovat, pengesa
që s’mund të kapërcehen
e bota e re një kimerë,
një ëndërr, një iluzion
paketuar enkas për shpirtdobëtit e kësaj toke.
Vetëm Shpirti Shenjt, o Jezus,
mund t’i davaritë retë e udhës sonë,
të na përshkënditë në horizont
kuptimin më të thellë të ngjarjeve
Vetëm Shpirti Shenjt mund ta depërtojë
tymin e dendur, që na pengon
ta gjejmë horizontin e të ndiejmë sërish shpresën
se do t’i shohim ata qiej të rinj e atë tokë të re
për të cilët jemi destinuar nga mirësia e pamasë hyjnore.
Vetëm Shpirti Shenjt, o Jezus,
mund të na e shkulë nga zemra
hidhërimin, që na paralizon,
shkurajimin, që na bllokon
dhe të na dhurojë guximin e besimin
e nevojshëm për të arritur
në cakun e shtegtimit tonë,
në plotësinë e një jete pa fund.