Kërko

  Ipeshkvii Vasyl Tuchapets, i ekzarkatit greko-katolik të Kharkivit, gjatë bekimit të Pashkëve Ipeshkvii Vasyl Tuchapets, i ekzarkatit greko-katolik të Kharkivit, gjatë bekimit të Pashkëve 

Ukraina, ekzarku i Kharkiv: Pashkët e treta nën bomba, por zemra është gjallë

Ipeshkvi katolik grek, Vasyl Tuchapets, përshkruan qëndresën e përditshme të njerëzve në luftë: i mbajmë gjithnjë kishat hapur, në mënyrë që kushdo të mund të vijë të lutet, të bëjë pyetje, të kërkojë ushqim. Faleminderit Papës, Italisë dhe atyre që vazhdojnë të japin ndihma: mjafton një gjest i vogël, për ta mbajtur moralin lart!

R. SH. - Vatikan

“Për ne përfaqësuesit e Kishës po bëhet gjithnjë e më e vështirë t’i mbështesim dhe t’i inkurajojmë njerëzit, sepse jemi tashmë në vitin e tretë të luftës në shkallë të gjerë. Me pasoja edhe tek ne: edhe ne jemi njerëz normalë dhe e ndiejmë këtë barrë, si gjithë njerëzit tanë. Por, në të njëjtën kohë, vërej se sa e rëndësishme është që Kisha të jetë e pranishme këtu e të vazhdojë të ndihmojë sa më shumë të jetë e mundur” - thotë ipeshkvi greko-katolik Vasyl Tuchapets, ekzark i Kharkivit, në intervistën për Radio Vatikani - Vatican News.

Situata në Kharkiv

Ndërsa ipeshkvi, së bashku me besimtarët e tij, po festojnë Pashkët, për të tretën herë në kushte lufte, bombardimet nuk ndalen në qytet dhe në rajon, madje muajt e fundit janë bërë më të shpeshta. Zonat e banuara më pranë kufirit me Rusinë, më afër frontit, janë edhe më të prekurat - shpjegon ekzarku. - Disa njerëz janë evakuuar nga këto vende, shumë janë duke u zhvendosur në Kharkiv. Për shembull, të enjten e kaluar, ditën kur shpërndajmë ndihma humanitare, fola me një burrë që vinte nga Vovchansk [5 km nga kufiri me Rusinë - red.] dhe ai na tregoi fotot e asaj që kishte mbetur nga shtëpia e tij e goditur prej një bombe. Asgjë tjetër, veç një grumbulli tullash. Burri erdhi për të kërkuar rroba, çarçafë, ushqim dhe këpucë sepse praktikisht nuk ka më asgjë, veç shpirtit! Në Kharkiv u strehua në banesën e miqve të tij, të larguar nga qyteti. Shumë njerëz që janë shpërngulur këtu, detyrohen të marrin një apartament me qira dhe t’i shpenzojnë ato pak para që u jep shteti. Nuk i mbetet shumë për të blerë ushqime dhe ilaçe. Situatë shumë e vështirë humanitare”.

Nevoja e vazhdueshme për ndihmë humanitare

Çdo të enjte, oborri i katedrales katolike greke në Kharkiv është plot me njerëz që vijnë për të kërkuar mbështetje. Ipeshkvi Tuchapets kujton se për fat të keq Ekzarkati merr gjithnjë e më pak ndihmë dhe, për këtë arsye, nuk është në gjendje t'i ofrojë shumë njerëzve, në krahasim me më parë. “Ne vazhdojmë t'u japim atyre gjithçka kemi. Praktikisht - thekson - marrim ndihmë vetëm nga Italia: nga famullia ukrainase e Shën Sofisë, në Romë, nga lëmoshtari apostolik, kardinali Krajewski, nga Caritasi i Eksarkatit për Katolikët ukrainas të ritit bizantin në Itali dhe edhe nga dioqeza latine e How. U shprehim mirënjohjen të gjithëve!

Klimë e nderë

Sulmet ruse - shpjegon prelati - synojnë kryesisht infrastrukturën. Së fundmi në qytet ka probleme me energjinë elektrike, e cila furnizohet me orë. Por objektivat civile shpesh goditen, duke shkaktuar vdekje dhe lëndime. "Për shembull, disa ditë më parë - kujton Imzot Tuchapets - dy raketa ranë pranë një spitali. Fatmirësisht objekti nuk u godit, vetëm xhamat dhe dyert u dëmtuan dhe një njeri mbeti i plagosur nga një xham. Klima është mjaft e tensionuar tani. Edhe pse po kremtojmë festën e Pashkëve, ndjejmë tension, dëgjojmë vazhdimisht sirena dhe bombardime. Disa njerëz janë larguar, sidomos ata me fëmijë, por ky nuk është fenomen masiv. Në të vërtetë, shumë janë kthyer nga jashtë, mbasi mendojnë se më mirë mund të jetosh vetëm në plangun tënd!

Gjestet e vogla të bamirësisë ndihmojnë

Njerëzit, siç nënvizon ekzarku i Kharkiv-it, kanë nevojë për mbështetje. “Fqinjët tanë thonë se kur është i pranishëm prifti, ndihen më të qetë. Edhe nëse për ne - vazhdon ai - po bëhet gjithnjë e më e vështirë t’i mbështesim dhe t’i inkurajojmë njerëzit. Gjë që ka pasoja edhe tek ne: edhe ne jemi njerëz si gjithë të tjerët dhe e ndjejmë peshën e kësaj situate, si gjithë njerëzit tanë. Por prania e Kishës, e priftërinjve, e besimtarëve përkrah njerëzve në këtë moment të vështirë është shumë e rëndësishme. Ne përpiqemi të bëjmë atë që mundemi. Çdo javë shumë vijnë për të kërkuar ndihmë humanitare dhe më pas shprehin mirënjohje të thellë. Së fundmi ua shpërndamë njerëzve pëllumbat e Pashkëve të dërguara nga Italia dhe të gjithë ishin shumë të lumtur. Nuk duhet shumë, për t’u gëzuar pak. Ajo që ka më shumë rëndësi është të tregojmë dhembshuri për njëri-tjetrin, sepse njerëzit këtu janë shumë të tronditur, teper shpesh!

Dritë, që përshkon errësirën

Në Kharkiv, si dhe në rajone të tjera të Ukrainës (përveç atyre perëndimore), gjatë regjimit sovjetik u ndërpre transmetimi i fesë nga një brez në tjetrin. Afrimi i njerëzve tek feja, që filloi pas rivendosjes së pavarësisë, ndodh gradualisht dhe nuk ka ende shumë praktikues besnikë këtu. Por Pashkët janë nga të paktat festa në të cilat njerëzit shkojnë në kishë, të paktën për ta bekuar paskën [ed. bukë që përgatitet në Ukrainë për Pashkë]. Imzot Tuchapets pohon se besimi nuk është solid, por manifestohet edhe nëpërmjet kësaj tradite. “E rëndësishme - shton - është që Kisha të vazhdojë misionin e saj, të vazhdojë të bëjë gjeste humanizmi sepse kjo i afron njerëzit me Kishën. “Në këtë situatë lufte, vuajtjeje dhe dhimbjeje kemi festën e Ngjalljes së Krishtit që na jep shpresë, na jep dritën për ta përshkuar këtë errësirë. Krishti vuajti, por u ringjall dhe na jep gëzimin e ringjalljes. Uroj që secili prej nesh, edhe në këtë periudhë të vështirë lufte, ta jetojë gëzimin e takimit me Krishtin e gjallë dhe të ringjallur dhe ta ndajë këtë gëzim, këtë dashuri dhe këtë mëshirë me të tjerët, me ata që kanë aq shumë nevojë për mbështetjen dhe ndihmën e Zotit e tonën".

05 maj 2024, 11:46