Kërko

 Santi Pietro e Paolo Apostoli Santi Pietro e Paolo Apostoli

Pjetri e Pali, dy Apostujt e mëdhenj të bashkuar në shenjën e Kryqit

Kisha katolike universale kremton solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit Apostuj, të cilëve Jezu Krishti u besoi lartimin e ngrehinës së Kishës Katolike Universale, që i bën ballë shekujve. Kremtohen solemnisht, dy njerëz, që u persekutuan për vdekje. Një peshkatar e një çadërpunues. I përfunduan ditët tragjikisht për shkak të urrejtjes kundër mesazhit që përfaqësonin, që e mbrojtën edhe me flijimin e jetës.

R.SH. / Vatikan

Kisha katolike universale kremton solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit Apostuj, njëri peshkatar e tjetri çadërpunuesI pari Papë, i dyti apostull i popujve. Pjetri dhe Pali, dy apostuj me dy histori të ndryshme, të cilët megjithatë në fund e gjejnë veten të bashkuar në shenjën e Kryqit të Krishtit. Njerëz dhe karizma të ndryshëm u bashkuan në një festë të vetme, të cilën liturgjia e Kishës e kremton më 29 qershor, pasi që nga origjina e saj, bashkësitë e krishtera kanë identifikuar vetë rrënjët e Kishës në këto dy figura. Në besnikërinë ndaj Krishtit, deri në dhënien e jetës.

Dy Apostujt, Shën Pjetri - "Shkëmbi", dhe Shën Pali "Mjeti i zgjedhur nga Zoti", të nisur nga viset e largëta të lindjes në një shtegtim misterioz feje e dashurie, pasi përshkuan troje të huaja e të panjohura, u takuan në Romë për një mision të përbashkët, për të predikuar Krishtin, të vetmin shëlbues të botës. Për Të ata do të derdhnin edhe gjakun pikërisht këtu, duke i skalitur përgjithnjë emrat e tyre në historinë e Romës së krishterë. Shtegtimi i tyre është model i shtegtimit simbolik që është i thirrur të bëjë çdo i krishterë për ta kumtuar Krishtin nëpër botë.

Jezu Krishti e mbiquajti Simonin - Kefë, që do të thotë Pjetër – shkëmb. Jezusi pohon kështu se mbi këtë shkëmb dëshiron të themelojë Kishën e vet e, në këtë perspektivë, i jep Pjetrit pushtetin e çelësave (cfr Mt 16, 17-19). Nga këto rrëfime del qartë se besojma e Pjetrit është e pandashme nga detyra baritore që i besohet lidhur me grigjën e Krishtit. Të gjithë ungjilltarët nënvizojnë se Shën Pjetri e shpreh besojmën e tij atëherë kur Jezusi, pas predikimit në Galile, niset vendosmërisht drejt Jerusalemit, për të përmbushur, me vdekjen në kryq e me ngjalljen, misionin e tij shëlbues.

Nxënësit janë të lidhur ngushtë me këtë vendim. Jezusi i fton të zgjedhin rrugën që do t’i dallojë nga turma, për t’u bërë bashkësi njerëzish që besojnë në të, familja e tij, fillesa e Kishës. Në të vërtetë Jezusin mund ta shikojmë e ta njohim në dy mënyra: njëra është ajo e turmës, më e cektë; tjetra – e nxënësve – më depërtuese e më e vërtetë. Me pyetjen e dykuptimtë : “Çka thonë njerëzit, kush jam unë? e “Po ju, kush thoni se jam?”- Jezusi i fton nxënësit e vet të fitojnë vetëdijen e kësaj perspektive, që ndryshon nga ajo e turmës. Njerëzia mendon se Jezusi është profet. Nuk është pohim i rremë, por nuk mjafton, është i papërshtatshëm. Është e nevojshme të hyhet shumë më thellë, të njihet veçantia e vetjes së Jezusit të Nazaretit, e reja që sjell Krishti.

Edhe sot është po kështu: shumë njerëz i afrohen Jezusit, por duke e parë thjeshtë nga jashtë. Studiuesit e mëdhenj, që ia njohin lartësinë shpirtërore e morale dhe ndikimin mbi historinë e njerëzimit, e krahasojnë me Budën, me Konfucin, me Sokratin, me dijetarë e personalitete të tjerë të mëdhenj të historisë. Por nuk arrijnë të kuptojnë se ai është unik. Shpesh Jezusi konsiderohet edhe si një nga themeluesit e mëdhenj të feve, nga i cili gjithkush mund të marrë diçka, për të formuar bindjet e veta. Si atëherë, njerëzit kanë opinione të ndryshme për Jezusin e, si atëherë, Jezusi na e përsërit edhe neve pyetjen: “E ju, kush thoni se jam unë?”. E ne, pikërisht kur na drejtohet kjo pyetje, duhet të bëjmë tonën përgjigjen e Pjetrit: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë!”.

Jezusi i besoi Pjetrit një detyrë të posaçme, duke dalluar në të dhuratën e veçantë të fesë që i kishte bërë Ati qiellor. Prej këndej buron edhe përvoja unike e Simon Pjetrit. Paralelizmi ndërmjet Pjetrit e Palit është kuptimplotë, por nuk mund ta zbehë rëndësinë e udhës historike të Simonit me Mësuesin e Zotin e tij Jezus, që i dha qysh në fillim cilësitë e shkëmbit, mbi të cilin do të themelonte bashkësinë e tij të re, Kishën.

Kujtojmë se në Ungjijtë sinoptikë, shpallja e besojmës nga ana e Pjetrit pasohet gjithnjë nga çasti kur Jezusi kumton mundimet e tij të afërme. Është një kumt, që e shtyn Pjetrin të kundërshtojë, sepse nuk arrin akoma ta kuptojë Zotin. E megjithatë është një element themelor, për të cilin Jezusi ngul këmbë me forcë. Kuptohet, prej këndej, se ngjarja e kryqit e zbulon kuptimin e vet të plotë, vetëm në se ky njeri, që pësoi e vdiq në kryq, ishte vërtetë Biri i Hyjit. Rruga drejt lavdisë është rrugë e ngushtë, shkandulluese për nxënësit e çdo kohe, që në mënyrë të pashmangshme shtyhen të mendojnë sipas mendjes njerëzore e jo sipas Zotit.

Edhe sot, si në kohët e Jezusit, nuk mjafton të kemi besojmën e drejtë të fesë, është e nevojshme ta mësojmë nga vetë Zoti se ai është shëlbues e se na e tregon rrugën në të cilën duhet ta ndjekim. Duhet të pohojmë se edhe besimtari e ka të vështirë ta pranojë kryqin. Instinkti e shtyn t’i largohet e tunduesi, të mendojë se do të ishte më urti të shpëtosh vetveten, sesa ta humbasësh jetën për hir të besnikërisë e të dashurisë. Edhe sot shumëkush e ka tepër të vështirë të pranojë se Jezusi i njeh vetvetes të njëjtin autoritet që ka Hyji. Vetë nxënësit e tij nuk arritën ta kuptojnë menjëherë se ai ishte ‘Mesia’; u desh të bënin një udhë të gjatë në fe, për ta marrë vesh këtë të vërtetë. E prandaj edhe feja jonë paraqitet si shtegtim, që lind nga përvoja e Jezusit historik, e ka themelin në misterin e Pashkëve, por duhet të përparojë akoma për virtyt të frymëzimit, që vjen nga Shpirti Shenjt”

28 qershor 2024, 19:25