At Gjergj Fishta: Mbi vorr t’ A. Alois Paliq, ofm
R.SH. / Vatikan
Me 7 marc 1913 ushtrija malazeze mbytëte në Janosh (afër Gjakovet) mizorisht françeskanin At Luigj Paliq, vetëm pse, si meshtar katolik e shqyptar i njimendtë, nuk mujt me pëlqye mizoritë, qi Sllavët bajshin mbi grigjë të tij, as pse s’dijti zemra e dhimbëshme e tij me mshehë mjerimin qi ndiete, kah shihte se n’ato vise thjesht shqyptare, kamba e anmikut mâ të madhit të kombit lête gjurmët e veta shkretnuese. (Shih “H.i D” Marc 1914). Në rasën e kryevjetorit të martirit, At Fishta, poet, me këte vjershë përkujton vrasjen mizore të këtij maritiri të Fesë e Atdheut, tue lypë prej Hyjit, qi të gjikojë mbi dhunë të bame Shqypnisë. Kjo u botue në “Hylli i Dritës”, marc 1914.
At Gjergj Fishta: Mbi vorr t’ A. Alois Paliq, ofm
1. Barbarët... e mbyten! E pra
Ky ‘i dhunë kurrkuj s’ia bani;
Nuk bâni kand me kja:
Per t’keq s’i duel kurr zani;
Per Atme e shejten Fé
Punoi me t’drejtë m’ket dhé.
2. I vorfni pa prind mbetun,
Qi kjan, per bukë i mjeri,
Te ky shujtën pat gjetun;
Ky lott prej sysh i a teri,
S’e la nen dhunë me fshâ
E át e mâmë iu bâ.
3. Pse pra me e mbytë?...Trathtari,
E gjaksi e i patenzoni
E i trishtueshmi kursari,
Qi s’njeh se shk’âsht zakoni,
Kah t’duen ata po mbajn:
Pse kshtu me e mbytë t’pafaj’n?...
4. Por, po; per shka të prujtun
Isht’ ky n’dy faje zhye,
Qi ndryshej nuk ka mujtun
Veç se me gjak me i shkmbye:
Shqypnin dote t’lirueme,
E Fén s’ndrrote t’bekueme.
5. E per ket punë mizori,
Ushtari i Malit t’Zi
Qi mshrirë s’i njeh krahnori
Heshten i a nguli n’gji,
Edhe me tê të ngratit
Zemrën shporoi ai Fratit.
6. U rrzue sherbtori i Zotit
—Heu! Si nuk plasi djerri!
E syt per t’gjatë të motit
Ndermjet anmiqve i erri:
Gjaku prej varrvet t’ngrata
Gurglloi mbi buca t’thata.
7. O Perëndi i amshuem,
A thue tu’ i vue kjé trollin
Ndo’i rruzlli mâ t’lumnueshëm
Qi per nen qiellë mund t’ndollin
Kso punësh mbi ftyrë t’ksaj bote,
Pa shkrepun mnija Jote?
8. Qe shkjau, harlisë krenijet,
Meshtarët âsht tue t’i mbytun;
Lterët t’u, seli hyjnijet,
Me gjak âsht tue t’i zhytun:
E rrfeja e Jote kisha
Por rrzon, e veç çan pisha!
9. As gjaku, pra i Meshtarëvet
As gurt e letervet t’ue
S’mund reshkan mshrirë Shqyptarëvet
Nuk mujtkan mnin me t’ zgjue?
E fatin e Shqypnís
E lankan n’dorë t’shkjenís?...
10. O e mjera, moj e mjera
Shqypni, se keq ké ngelun!
Se mirë, moj ty t’thau vera,
Qysh se shkjau âsht tue t’shkelun
E tue t’poshtnue pa dhimë,
Tue t’lanun n’vaj e n’brimë.
11. T’kanë rrahë gjithkah me topa,
Tue t’djegë e tue t’shkrumue
T’kanë damun copa-copa,
Si t’ishe pa zot lshue,
E shk’âsht mâ fort per t’kja,
Me dorë t’Mbretnivet t’Mdha.
12. O Zot! O Zot! Mostjetër
Per ketë pleqni trathtare,
Qi europa, rrênce e vjetër,
Bani mbi tokë shqyptare
Deh! Ti mos len qi niri
Kshtû t’a dhunojë pa hiri.
13. Veç m’ty na e kemi shpresën
Se ‘i ditë Liri mund t’shohim;
Pse nierit fjalët e besën
Fort mirë sot po i a njohim;
Ai syt s’i prír kurr njeti,
veç ku mund t’grryejë per veti.
14. Prandej o Zot, prej qiellet
Ti priri syt mbi né
E bân qi puna t’kthiellet,
Si âsht mirë për Atme e Fé;
E gjaku i ktij Meshtarit
T’kjoftë falë per komb t’Shqyptarit.
Nga A. Gjergj Fishta: “Mrizi i Zànavet, Shkodër 1941