Asambleja e përgjithshme e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) Asambleja e përgjithshme e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE)

CCEE, përfundoi asambleja në Beograd: vështrim mbi Sinodin, Jubileun dhe krizat globale

Asambleja e përgjithshme me temë “Shtegtarë të shpresës. Për një kishë sinodale dhe misionare”, filloi më 24 qershor, me ftesë të kryeipeshkvit Nemet. Kardinali Prevost, prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë, foli për ungjillëzimin dhe misionin e Kishës në Evropë, duke marrë shkas nga zgjedhjet evropiane dhe nga luftërat në Ukrainë e në Lindjen e Mesme. Sekretari i ri i përgjithshëm i CCEE-së është don Antonio Ammirati, deri tani zv.sekretar dhe zëdhënës

R.SH. – Vatikan

         Përfundoi më 27 qershor, asambleja e përgjithshme e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE), me titullin “Shtegtarët e shpresës. Për një kishë sinodale dhe misionare”, mbajtur në Beograd nga dita e hënë, 24 qershor, me ftesë të imzot Ladislav Nemet, kryeipeshkëv i Beogradit dhe zv.kryetar i organizmit. Kujtojmë se CCEE ka hapur një seli të re në Romë, për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet ipeshkvijve evropiane dhe ndërmjet tyre e Selisë së Shenjtë.

Një vështrim mbi Sinodin dhe Jubileun

Duke pasur parasysh përgatitjet për sesionin e dytë të Sinodit mbi sinodalitetin, presidenti Grušas u përqendrua në rolin, që mund të kenë organizmat kontinentale dhe Konferencat Ipeshkvnore për ta jetuar sinodalitetin. Ai paraqiti edhe nismat e CCEE-së në fushën ekumenike: përditësimin e Kartës Ekumenike Evropiane, nënshkruar së bashku me Konferencën e Kishave Evropiane (CEC) në vitin 2001, e cila, në variantin e saj të ri, duhet të nënshkruhet të dielën e Mëshirës Hyjnore, gjatë  vitit 2025, vit në të cilin data e Pashkëve përkon për gjithë të krishterët; si edhe takimin e parë me Këshillin Drejtues të Konferencës së Përhershme të Kishave Ortodokse Lindore në Evropë (OCE). Së fundi, Grušas i ftoi të gjithë të përgatiten për Jubileun, në mënyrë që "të jetë ngjarje hiri për bashkësitë dhe vendet tona, mundësi për të dëshmuar se Krishti është shpresa e vetme për njeriun".

Takimi me Patrikun Porfirije

Gjatë punimeve, don Antonio Ammirati, deri tani zv.sekretar i përgjithshëm dhe zëdhënës, u zgjodh sekretar i ri i përgjithshëm i CCEE-së për një mandat pesëvjeçar. Zë vendin e Martin Michaliček, sekretar i përgjithshëm që nga viti 2018. I rëndësishëm, takimi i anëtarëve të CCEE-së me patrikun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

Thirrja për paqe

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Paqes, që do të kremtohet më 21 shtator 2024, ipeshkvijtë i ftojnë besimtarët të luten për viktimat e luftës, duke i kërkuar Zotit paqen në Ukrainë, në Tokën e Shenjtë dhe në Sudan. Asambleja e ardhshme e përgjithshme do të mbahet në Lisbonë, nga 8 deri më 10 tetor 2025.

28 qershor 2024, 17:02