Kërko

Lutja i lartohet Hyjit Lutja i lartohet Hyjit

Çelësi i fjalëve të Kishës: në lutje drejt Jubileut 2025!

Në përgatitje për Jubileun 2025, Papa Françesku ia kushtoi vitin 2024 lutjes, siç njoftoi ai vetë gjatë Engjëllit të Tënzot, të dielën, më 21 janar të këtij viti. Qëllimi është që gjatë Vitit të Lutjes, besimtarët, në të gjitha dioqezat e botës, të përpiqen të rizbulojmë qendërsinë e uratës në jetë

R.SH. / Vatikan

Më 21 janar, gjatë Engjëllit të Tënzot, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku e shpalli 2024-rën vit lutjeje në përgatitje të Jubileut 2025.  “Muajt e ardhshëm - njoftoi Ati i Shenjtë - do të na çojnë në hapjen e Portës Shenjte, me të cilën do të fillojmë Jubileun e vitit 2025. Ju kërkoj ta intensifikoni lutjen për t’u përgatitur që ta jetojmë mirë këtë ngjarje të hirit hyjnor”. “Për këtë arsye - shpjegoi Papa - e fillojmë sot vitin e lutjes, pra, një vit kushtuar rizbulimit të vlerës së madhe dhe nevojës absolute të lutjes në jetën personale, në jetën e Kishës dhe në jetën e botës”. Qëllimi është që gjatë Vitit të Lutjes, besimtarët, në të gjitha dioqezat e botës, të përpiqen të rizbulojmë qendërsinë e uratës në jetë. 

Lutja, fatkeqësisht, praktikohet përherë e më pak, pasi në jetën e njeriut bashkëkohor po humbet përmasa e shenjtë e ekzistencës, si edhe domethënia e vlera e Zotit. Për këtë arsye, Papa këmbëngul që besimtarët të rizbulojnë bukurinë e uratës, sepse lutja e orienton zemrën e njeriut drejt Zotit, pra mbetet një vegël e çmueshme për të biseduar me Zotin dhe për të kultivuar marrëdhëniet me Të. Pse duhet të lutemi?

“Të lashtët thoshin se të lutesh do të thotë të marrësh frymë. Që këtu shihet sa marrëzi është të flasësh për “pse”-në. Pse marr frymë? Sepse përndryshe do të vdisja. Kështu edhe me lutjen”. Ky reflektim i filozofit danez Kirkegard e përcakton qartë nevojën e lutjes si frymëmarrje për shpirtin. Kjo është arsyeja, që të gjitha fetë zotërojnë një trashëgimi të pasur me lutje dhe u mësojnë besimtarëve mënyrën si të luten, vetëm ose në bashkësi.

Përveç subjektit, lutja karakterizohet edhe nga koha e hapësira. Kështu, nga njëra anë, ka situata të ndryshme, në të cilat ngrihet zëri për t’iu drejtuar Hyjit: gjatë festave, gjatë zisë, në lindje e në vdekje, në dasma e në luftëra, kur jemi të ndërgjegjshëm se kemi mëkatuar e kur zhytemi në intimitet mistik… Madje, kemi edhe kalendarin liturgjik, që përcakton kohët e shenjta e na drejton në lutje. Nga ana tjetër, lutja e ka hapësirën e vet të privilegjuar brenda tempullit, por nuk përjashton hapësira më intime, si ato brenda një dhome, ose brenda shpirtit të njeriut, siç thotë edhe vetë Jezusi “mbyll pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi” (Mt 6,6).

Besëlidhja e Vjetër është plot me forma e figura lutjeje, duke filluar që nga thirrja e Evës, e cila, pasi lindi birin e saj të parë, Kainin, tha: “Prej Zotit e fitova një njeri” (Zn 4,1). Por kulmi arrihet me 150 psalmet, që mbulojnë krejt botën e lutjeve biblike, aq sa të bëhen më vonë thelbi i lutjes së krishterë. Teksti kapital për të krishterët është pa dyshim Atyna, “lutja e përsosur”, siç e quante shën Toma i Akuinit.

Kjo lutje na paraqitet përmes dy mënyrave të ndryshme, që në thelb janë të njëjta: nga shën Mateu ungjilltar (6,9-13) dhe nga shën Luka ungjilltar (11,2-4). Dallohet nga lutjet e tjera pasi i drejtohet Zotit me intimitet, duke e quajtur Atë e, pasi bën thirrje për ardhjen e mbretërisë së Hyjit. Atyna pasqyron qartë dy aspekte themelore të lutjes. I pari është ai i thurjes së lavdeve për Zotin, për veprën e Tij shëlbuese e për vullnetin e Tij; është kremtimi i lavdisë së Hyjit dhe i dashurisë së Tij, i emrit dhe i pranisë së Tij në historinë njerëzore.

Aspekti tjetër, shumë i theksuar edhe në Librin e Psalmeve, është ai i përgjërimit që Zoti të na mbështesë në jetën e përditshme, të na qëndrojë afër në kohë sprove e të na lirojë nga e keqja. Figura e Krishtit paraqitet shpesh si ai, që lutet në mënyrë të përsosur, që hyn në dialog me Atin Qiellor në vetmi, ose që ia beson veten Atij edhe në çastet me dramatike të Mundimeve: kujtojmë këtu, për shembull, skenën emocionuese të Gjetsemanit (Lk 22,39-46). Shën Luka ungjilltar është shumë i kujdesshëm të nxjerrë në pah se çdo veprim i rëndësishëm në jetën publike të Krishtit shoqërohet me lutje, ndërsa shën Gjoni ungjilltar na ka lënë lutjen madhështore përfundimtare, që mbyll diskutimet në Darkën e Mbrame të Jezusit me Apostuj (kap. 17), me një pjesë prej së cilës, po e mbyllim reflektimi e sotëm:

O Atë, arriti koha:
jepi lavdi Birit tënd
që Biri të japë lavdi Ty
e që me pushtetin,
të cilin ia dhe mbi çdo njeri,
t’u japë jetën e pasosur të gjithë atyre
që ia dhe Ti.
E kjo është jeta e pasosur:
që të të njohin Ty, një të vetmin Hyjin e vërtetë,
dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin”.

27 qershor 2024, 12:01