Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: shekullarizimi dhe sfidat e tij në botën bashkëkohore

Një analizë e konceptit të shekullarizimit, edhe në dritën e magjisterit të Papëve të fundit. Shekullarizimi do një botë autonome, por të hapur dhe jo në konflikt me fenë; shekullarizmi, nga ana tjetër, është antifetar me synim eliminimin e hyjnores nga shoqëria njerëzore. Në këtë kuptim, shekullarizimi, pra ai që Kisha e konsideron pozitiv, hap gjithsesi një sërë sfidash për besimtarët

R.SH. – Vatikan

Nganjëherë mjafton një “i” për të mos u marrë vesh. Vetëm një “i” e ndan shekullarizimin nga shekullarizmi, i pari vlerësuar pozitivisht e i dyti negativisht nga Kisha Katolike. Shekullarizimi është proces pozitiv, që rrjedh nga vetë krishterimi e me të cilin sfera njerëzore bëhet autonome nga ajo hyjnore, ndahet laikja, pra “shekulli” a bota, sipas etimologjisë latine, nga fetarja. Besimtarët çlirohen kështu nga tundimi i ideologjisë. Ndërkaq, shekullarizmi, i cili ka një “i” më pak, e bën “shekullin”, pra botën, jo vetëm autonome, por edhe të pavarur nga feja dhe madje, në kundërshtim me të. Shekullarizimi do një botë autonome, por të hapur dhe jo në konflikt me fenë; shekullarizmi, nga ana tjetër, është antifetar me synim eliminimin e hyjnores nga shoqëria njerëzore. Në këtë kuptim, shekullarizimi, pra ai që Kisha e konsideron pozitiv, hap gjithsesi një sërë sfidash për besimtarët.

Debati mbi shekullarizimin ka përfshirë prej kohësh shumë zëra me këndvështrime të ndryshme: shumë prej tyre nuk e konsiderojnë atë si fat të pashmangshëm drejt të cilit shkon njerëzimi, por më tepër si mundësi të jashtëzakonshme për të risuar vetëdijen kritike mbi identitetin e njeriut dhe për ta bërë më të pjekur besimin fetar të tij. Një nga analistët kryesorë të shekullarizimit, Charles Taylor, distancohet nga ai interpretim i këtij fenomeni, i cili, nga njëra anë, zgjon nostalgji për një farë periudhe, që konsiderohet "epoka e artë", karakterizuar nga pranimi i një feje të padiskutueshme për të gjithë dhe, nga ana tjetër, e sheh si ndjenjë lehtësimi që njerëzit u çliruan nga zgjedha e besimit fetar.

Aktualisht, pranimi i një feje të caktuar ka fituar një vetëdije të re: epoka shekullare apo laike banohet nga "kultura e atyre, që kërkojnë kuptimin e jetës”, karakterizuar nga një aleancë e paprecedentë ndërmjet besimtarëve dhe jobesimtarëve, që ndajnë së bashku një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të tyre drejt së njëjtës nevojë për plotësi. Në një interpretim teologjik, profesori anglez John Milbank fton të mos përballohen sfidat e shekullarizimit duke i dhënë jetë një lloj "kundër-shekullarizimi": ky qëndrim do të bënte të konsederoheshin të vlefshme premisa teologjikisht të diskutueshme. Shekullarizimi, sipas tij, na fton të rizbulojmë sa e arsyeshme është feja, si edhe përmasën e saj “festive”, pa theksuar në tepri përmasën e saj normativo-disiplinore, që e zbraz nga përmbajtja dhe hijeshia. Për sa i përket Magjisterit të Kishës, Papa Benedikti XVI, ndërsa kritikon shekullarizmin si devijim të shekullarizimit, përvijon mundësinë për ta konsideruar këtë të fundit si sfidë providenciale për t'i propozuar përgjigje bindëse njeriut të sotëm, në zemrën e të cilit është gjithnjë e pranishme etja për Zotin, dëshmuar si nga trishtimi në mesin e kënaqësive, ashtu edhe nga shpresa për të fituar një parajsë në këtë tokë (shih Spe Salvi, 30). Në botën e shekullarizuar apo të laicizuar, Kisha nuk do të jetë më fuqi shoqërore dominuese, por atdhe në gjendje t’i japë shpresë njeriut.

 Edhe Papa Françesku nuk mungon t’ia nënshtrojë gjykimit kritik si varfërimin fetar, moral dhe kulturor të lindur nga shekullarizimi, ashtu edhe mundësitë që rrjedhin nga ky kuadër: ka një fakt, që i reziston erozionit të shekullarizmit, e ai është "etja për amshim e çdo zemre njerëzore" (Evangelii gaudium, 165). Vetëm vetëdija për Ringjalljen e Krishtit na bën të mos propozojmë ndonjë variant "të krishterë" të së njëjtës logjikë laike apo shekullariste, duke përfunduar pengje të brerjes së ndërgjegjes. Në këtë kuptim, Françesku i bën të vetat fjalët e Taylor-it, duke pohuar se shekullarizimi përfaqëson "mundësinë për rikrijimin e jetës shpirtërore në forma të reja, për mënyra të reja ekzistence" (Udhëtimi Apostolik në Kanada, 28 korrik 2022).

20 qershor 2024, 09:56