Qershori – muaji i Zemrës së Krishtit
R.SH. / Vatikan
Qershori është muaj që tradicionalisht lidhet me devocionin ndaj Zemrës së Krishtit, devocion i përhapur në botën mbarë që prej katër shekujsh. Devocioni për Zemrën e Krishtit, më tepër se devocion, është përshpirtëri. Është simbol që na tregon se Zoti është dashuri.
Lulëzimi i madh i kushtimit ndaj Zemrës së Krishtit erdhi nga zbulesat e Vizitandines Shën Maragritës Maria Alakok, e cila, së bashku me Shën Klaudios de la Colombière, e përhapën këtë kult. Që në fillim, Jezusi i kujtoi Shën Margaritës Maria Alakok se do të përhapte Hirin e tij mbi të gjithë ata që do të interesoheshin për këtë devocion të ëmbël; i premtoi edhe se do t’i ribashkonte familjet e ndara dhe do t’i mbronte, duke ua kthyer paqen.
Më 24 gusht 1685 Shën Margarita Maria Alakok i shkroi Nënës de Saumaise: «Ai (Jezusi) më shprehu përsëri kënaqësinë e madhe që ka kur e nderojnë krijesat e tij. Në vijim, më premtoi se të gjithë ata që do t’i kushtohen kësaj Zemre Shenjte, nuk do të humbasin, sepse kjo Zemër, që është gurra e çdo bekimi, do të përhapë begati në të gjitha vendet, ku ndodhet, për t'u dashur dhe për t’u nderuar.
E vijoi me premtimin se do t’i ribashkonte familjet e ndara, do t’i mbronte njerëzit, që kalonin çaste të vështira, do të përhapte frymën e bamirësisë së tij të zjarrtë në ato bashkësi, ku nderohej Fytyra e tij hyjnore; do t'ua largonte zemërimin e drejtë të Zotit, duke i kthyer në Hirin e Tij, kur të kishin rënë në mëkat".
Po vijojmë me fragmentin e një letre të Shenjtores, drejtuar një Ati jezuit, ndoshta Atë Croiset:
“Pse nuk mund të tregoj gjithçka që di për këtë kushtim të mrekullueshëm dhe të zbuloj për të gjithë tokën thesaret e hirit që ka Jezu Krishti në Zemrën e Tij të Adhuruar, të cilat synon t’i përhapë tek të gjithë ata, që e praktikojnë?... Thesaret e hireve dhe bekimeve që përmban kjo Zemër Shenjte janë pa fund e pa anë!
Nuk e di nëse ka ndonjë ushtrim tjetër përkushtimi në jetën shpirtërore, që mund ta lartojë, në një kohë të shkurtër shpirtin në përsosmërinë më të lartë dhe ta bëjë të shijojë ëmbëlsinë e vërtetë, që buron nga shërbimi i Jezu Krishtit". “Sa për njerëzit shekullarë, ata do të gjejnë në këtë devocion të dashur gjithë ndihmën e nevojshme për gjendjen e tyre, domethënë paqen në familje, lehtësimin në punë, bekimet e qiellit në të gjitha gëzim e ngushëllimin në mjerim.
Pikërisht në këtë Zemër Shenjte do të gjejnë një vend strehimi gjatë gjithë jetës së tyre, kryesisht në orën e vdekjes. Ah! Sa e ëmbël është të vdesësh, pasi të kesh pasur përkushtimin e butë dhe të përhershëm ndaj Zemrës së Shenjtë të Jezu Krishtit!”.
Mësuesi im hyjnor më bëri të ditur se ata që punojnë për shëndetin e shpirtrave, do të punojnë me sukses dhe do të njohin artin e lëvizjes së zemrave më të ngurta, me kusht që t’i kushtohen Zemrës së Tij të shenjtë dhe të marrin përsipër ta frymëzojnë atë dhe ta vendosin kudo”. “Më në fund, është shumë e dukshme se nuk ka njeri në botë që nuk merr çdo lloj ndihme nga qielli, nëse ka dashuri vërtet mirënjohëse për Jezu Krishtin, siç është kjo që dëshmohet me devocionin ndaj Zemrës së tij të Shenjtë”.
Kjo, përmbledhja e premtimeve që i bëri Jezusi Shën Margeritës Maria Alakok, në ndihmë të të devoçmëve të Zemrës së Tij Hyjnore:
1. Unë do t'u jap të gjitha hiret e nevojshme për gjendjen e tyre.
2. Unë do të çoj paqen në familjet e tyre.
3. Unë do t'i ngushëlloj në të gjitha fatkeqësitë.
4. Unë do të jem streha e tyre e sigurt në jetë dhe veçanërisht në vdekje.
5. Unë do të derdh bekimet më të begata në të gjitha ndërmarrjet e tyre.
6. Mëkatarët do të gjejnë në Zemrën time gurrën dhe oqeanin e pafund të mëshirës.
7. Shpirtrat e vakët - do të bëhen të zjarrtë.
8. Shpirtrat e zjarrtë do të lartohen shpejt në përsosmëri të madhe.
9. Do t’i bekoj shtëpitë ku do të ekspozohet e do të nderohet figurja e Zemrës sime.
10. Unë do t'u jap meshtarëve dhuratën për t’i prekur edhe zemrat më të ngurta!