Kërko

Kardinali  Semeraro në lumnimin e don Michał Rapacz, në Poloni Kardinali Semeraro në lumnimin e don Michał Rapacz, në Poloni 

Don Michał Rapacz, i Lum. Kard. Semeraro: ngushëllim në një kohë të plagosur nga lufta

Dje, 15 qershor, prefekti i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve kryesoi, në Krakov, ceremoninë e lumnimit të priftit dioqezan martir, vrarë në moshën 42-vjeçare nga regjimi komunist: “Të përhapte dashurinë për Krishtin ishte për të i vetmi kundërhelm për zhdukjen e ateizmit, materializmit dhe gjithë atyre botëkuptimeve, që kërcënojnë dinjitetin e njeriut".

R. SH. - Vatikan

"Një shenjë ngushëllimi nga Zoti, në një kohë ende të plagosur nga dhuna e nga lufta në shumë vise të botës, jo shumë larg nga ne": kështu e përkufizoi kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve, Lumnimin e Don Michał Rapacz, të cilin e kryesoi, në emër të Papës Françesku, mëngjesin e djeshëm, në Krakov të Polonisë. Prift dioqezan martir, u vra nga urrejtja për fenë gjatë regjimit komunist më 12 maj 1946, në Ploki, ku ishte famullitar: një grup njerëzish të armatosur hynë në rektorat gjatë natës, e rrëmbyen dhe e vranë në një pyll aty pranë. Ishte vetëm 42 vjeç.

Mesazh shprese për mbarë botën

Lumnimi u kremtua në Shenjtëroren e Łagiewniki, kushtuar Mëshirës Hyjnore: shuguruar nga Shën Gjon Pali II më 17 gusht 2002, vendi i adhurimit me një formë moderne elipsoidale strehon eshtrat e Shën Faustinës Kowalska, apostulle e përkushtimit, me të cilën lidhej ngusht Papa Wojtyła. Besimtarë të shumtë u mblodhën brenda dhe jashtë kishës, në një ditë të nxehtë me diell. Të pranishëm ishin edhe klerikë të shumtë nga kryeipeshkvnia e Krakovit dhe dioqezat tjera polake.

Prej këtu - tha kardinali Semeraro, rrezaton një mesazh "shprese dhe ngushëllimi mbi të gjithë kombin polak dhe mbarë botën".

Don Michael Rapacz, njeri i paqes

Duke u ndalur tek kuptimi i Eukaristisë, si "sakrament i mëshirës", Kardinali, në vazhdën e Papës Françesku, kujtoi se "nuk është  shpërblim për të mirët, por forcë për të ligshtit, për mëkatarët. Është falja, është kungim, që na ndihmon të shkojmë, të ecim”. Nga ky këndvështrim - vazhdoi - “të ushqyer me bukën eukaristike, edhe ne mund të shqiptojmë po-në tonë, që është angazhimi për të bërë dhe për të jetuar zgjedhje radikale, të guximshme, madje edhe të pakëndshme, duke u bërë ndërtues të paqes dhe duke përqafuar idealet e atij standardi të lartë të jetës së krishterë që na tregojnë shenjtorët, me dëshminë e tyre, duke e vënë veten "bujarisht në shërbim të të fundmëve.

Eukaristia, antihelm i ateizmit dhe materializmit

Një model për t'u ndjekur - shtoi prefekti i Dikasterit për Çështjet e Shenjtorëve - është vetë Don Rapacz, për të cilin "Eukaristia ishte themeli i jetës si njeri i Zotit". "Përhapja e dashurisë së Krishtit, e pranishme në Bukën e shuguruar - kujtoi kardinali - ishte për të i vetmi kundërhelm ndaj ateizmit, materializmit dhe gjithë atyre vizioneve të botës, që kërcënojnë dinjitetin e njeriut". Bari shpirtrash i rrënjosur në bamirësi - kujtoi më tej Kard. Semeraro - Don Michał mbajti një vendim të patundur: "Jam gati të jap jetën time për delet e mia".

Dhe e dha jetën! Duke u bërë  model për të rinjtë. Ndaj Kardinali i ftoi të rinjtë që ta shikojnë meshtarin martir si  "nxitje për të përqafuar Ungjillin e Jezusit me të gjithë vetveten".

I vendosur në fe

Më në fund, duke kujtuar afrimin e Jubileut, që ka në qendër moton “Shtegtarë të Shpresës”, prefekti e përkufizoi atë si "përvojë e vërtetë shprese, përvojë e madhe, sa e gjithë bota", dëshminë më bindëse të së cilës e japin pikërisht dëshmorët që “të fortë në fenë e tyre në Krishtin e ringjallur, hoqën dorë nga jeta këtu poshtë, për të mos e tradhtuar Zotin e tyre” (Spes non confundit, 20).

Relikuari

Gjatë kremtimit, ku morën pjesë edhe dy stërnipër e Don Michał-it - njofton një notë nga kryeipeshkvia e Krakovit - relikuari u soll në altar, në formën e një kryqi stolisë me rrema ulliri, që përmbante disa relike mortore të të Lumit të ri, marrë gjatë zhvarrosjes së eshtrave të tij, prillin e kaluar. Me vendim të Metropolitit të Krakovit, Kryeipeshkvit Marek Jędraszewski, reliket e zhvarrosura të Atë Rapacz prehen në altarin anësor të kishës famullitare të Płokit, e cila do të jetë vendi kryesor i nderimit të të Lumit të ri.

16 qershor 2024, 11:16