Kërko

 Vangelo della XII Domenica 'B' - Gesù calma tempesta Vangelo della XII Domenica 'B' - Gesù calma tempesta

Fjala e Zotit e dielës së 12-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Kjo e diel na paraqet Krishtin që sundon liqenin me valët e trazuara, pra, të stuhishme dhe siguron mbrojtjen e apostujve e të të gjithëve njerëzve nga çdo e keqe. Po që kjo të realizohet në jetën tonë, lypet të kemi besim në Të dhe t’i qëndrojmë besnik mësimit të Tij, për të qenë të lirë prej çdo të keqe dhe çdo frike e stuhie të jetës. Kёshtu, duke vazhduar me leximin e Ungjillit të Markut, përmes tij vijojmë të njihemi me jetën, me veprat dhe me mësimet e Jezu Krishtit, Shpëtimtar.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore të dielës së 12-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë (B), sipas kalendarit liturgjik.

Fjala e Zotit e dielës së 12-të gjatë vitit kishtar 'B'

Fjala e Zotit e dielës së 12-të gjatë vitit kishtar 'B'

Në Ungjillin e tij, Marku paraqet mrekullitë e Jezusit si një udhërrëfim për ta kuptuar identitetin e tij si Bir i Hyjit. Liqeni në stuhi që qetësohet në mënyrë të mrekullueshme është shenjë e sundimit të Jezu Krishtit mbi forcat e natyrës, të cilat Shkrimet e Shenjta ia atribuojnë vetëm Zotit.

Nga Ungjilli i kësaj së diele dalin në pah dy pyetje kryesore: ajo e Krishtit që kërkon: “Nuk keni akoma fe?” dhe ajo e dishepujve të cilët pyesin se kush është Jezusi. Përgjigjen e gjejmë në gjestet e vet Krishtit ?, siç rrëfen Ungjilli i kësaj së diele.

Kështu, tema kryesore e leximeve biblike të kësaj të diele të 12-të gjatë vitit kishtar, është pushteti hyjnor mbi natyrën e mbi të keqen. Pjesa ungjillore e kësaj së diele na tregon për mrekullinë e stuhisë së detit, të shuar e të qetësuar nga Jezusi, që ishte në barkë me apostujt e tij, të cilët u frikuan për së tepërmi nga tërbimi i valëve të detit. Apostujt në çastin e tërbimit të valëve, e përjetuan fuqinë hyjnore të Jezu Krishtit mbi detin e stuhishëm.

Kjo e diel na paraqet Krishtin që sundon detin me valët e trazuara, pra, të stuhishme dhe siguron mbrojtjen e apostujve e të të gjithëve njerëzve nga çdo e keqe. Po që kjo të realizohet në jetën tonë, lypet të kemi besim në Të dhe t’i qëndrojmë besnik mësimit të Tij, për të qenë të lirë prej çdo të keqe dhe çdo frike e stuhie të jetës. Kёshtu, duke vazhduar me leximin e Ungjillit të Markut, përmes tij vijojmë të njihemi me jetën, me veprat dhe me mësimet e Jezu Krishtit, Shpëtimtar.

Ungjilli i kësaj së diele na fton të zbulojmë edhe në çaste të vështira, të tmerrshme e çrregulluese të historisë, praninë e Zotit i cili mund t’i shndërrojë errësirat në një projekt drite. E keqja ekziston, është diçka reale që përjetojmë çdo ditë, në mënyrë dramatike në stuhitë e jetës, por është edhe rast i madh për t’i drejtuar thirrjen tonë Zotit duke vijuar luftimin e së keqes me fe në Hyjin: “Pse jeni kaq frikacakë? Po a ende nuk besoni?” Varfëria e fesë, varfëria e besimit në Zotin e bënë të pakuptueshme të keqën e më tragjike mbijetesën. 

Leximi I nga libri i Jobit, rrëfen po të njëjtën fuqi Hyjnore të cilën edhe Jobi e ka njohur në YHWH (Jahven) Zotin. Hyji është i vetmi që sundon dhe mposht fuqitë e kaosit të parë të krijimit, i vetmi që sundon mbi forcat kozmike. Jobi i drejtë në dëshpërimin e vuajtjes i lutët Hyjit, kërkon përgjigje nga Zoti. Po ai merr vetëm një heshtje të tmerrshme e tronditëse. E vetëm kur i këputur, zemërplasur hesht, më në fund i dëgjon fjalët e Zotit. E njeh dhe kupton se si Ai, Zoti, sundon mbi të keqën. “Këtu le të thehen valët tua krenare!” thotë Zoti. E përgjigja që Zoti i jep Jobit na bënë të kuptojmë se të mbështetësh në Hyjin e Atij t’i besosh është garanci kundër çfarëdo frike. Po më tepër do të dëgjojmë në leximin e parë biblik të kësaj së diele. (Jb 38,1.8-11).

Shën Pali, në Leximin II të kësaj së diele marr nga letra e tij e dytë drejtuar Korintianëve, flet për të rejat e jetës që Krishti ka sjell me vdekjen e ngjalljen e tij dhe na fton lirohemi nga egoizmi ynë e ti trajtojmë njerëzit në mënyrë pozitive, njerëzore, kristiane. 

                                                           Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi parë: (Jb 38,1.8-11)

Lexim prej Librit të Jobit

Nga stuhia Zoti i përgjigj Jobit e i tha: “Kush e mbylli brenda dyerve detin, kur po dilte nga kraharori i nënës? Kur e vesha me re si me petka, me errësirë si me shpërgënj e mbështolla? Kur unë caqet atij ia vura, e kyça me dyer e shula she i thashë: Deri këtu! Më tej mos shko! Këtu le të thyhen valët tua krenare!?”Fjala e Zotit!

Psalmi 107(108)

Ref. T’ i japim lavdi Zotit, për veprat e tija të mrekullueshme.

—————————————————

Ata që me anije lundruan deteve

që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti,

ata i panë veprat e Zotit,

mrekullitë e tija në thellësinë e detit.

—————————————————

Ai urdhëroi dhe u ngrit era e stuhisë,

lart u ngritën valët e stuhishme.

Ngrihen deri në qiell,

zbresin deri në pështjerrë:

shpirti i tyre mekej prej së keqes.

—————————————————

Atëherë të ngushtuar e thirrën në ndihmë Zotin

Ai i çliroi nga vështirësitë e tyre.

Stuhinë e shndërroi në puhi

e valët e detit e shuan gjëmën e vet.

—————————————————-

Iu gëzuan qetësimit të valëve,

ai i qiti në portin e dëshiruar.

Le ta lëvdojnë Zotin për shkak të përdëllimit të tij,

për mrekullitë e tija ndaj bijve të njerëzve.

—————————————————-

 

Leximi i dytë (2 Kor 5,14-17)

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, dashuria e Krishtit na nxitë kur mendojmë se: Njëri vdiq për të gjithë, prandaj, të gjithë vdiqën; e Ai vdiq për të gjithë, në mënyrë që ata që jetojnë, të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta.

Kështu, pra, qysh tani nuk njohim më askënd në mënyrën e thjeshtë njerëzore; po edhe nëse e kemi njohur Krishtin në mënyrën thjesht njerëzore, nuk e njohim më ashtu. Pra, nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja u bë e reja! Fjala e Zotit.

 

Aleluja!

Lëvdoje, o Jerusalem, Hyjin tënd

që mbi tokë e dërgon fjalën e vet.

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 4,35-41)

Lexim i Ungjillit shenjt sipas Markut

Po atë ditë, kur u err, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Të kalojmë në anën tjetër!” Ata e nisën popullin, kurse Jezusin e morën ashtu siç ishte në lundër. E përcillnin edhe lundra tjera. Ndërkaq, u çua një stuhi e madhe. Valët e detit u tërbuan aq sa hidheshin brenda e gati e mbushën me ujë. Jezusi në pope flinte në nënkresë. E zgjuan dhe i thanë: “Mësues! A nuk je në kujdes që po mbytemi?”

Ai u zgjua, i urdhëroi erës dhe i tha: “Qetësohu! Shuaj!”

Era pushoi e u bë fashë e madhe.

Atëherë u tha: “Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?”

Ata i kapi frikë e madhe dhe i thoshin njëri-tjetrit:

“Vallë kush është ky që po i nënshtrohen era dhe deti?” Fjala e Zotit!

 

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, nga krydioqeza e Shkodër-Pultit:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

E DIELA XII GJATË VITIT: KUSH ËSHTË KY QË PO I NËNSHTROHEN ERA E DETI?

Jb 38, 1. 8-11; Ps 107 (106); 2Kor 5, 14-17; Mk 4, 35-41

Në leximin e parë, të marrë nga libri i Jobit, sot na thuhen disa fjalë që nxjerrin në pah pushtetin e Hyjit. Është vetë Hyji ai që flet dhe fjalët e Tij janë të mbështjella edhe me një farë poetizmi: «Kush e mbylli brenda dyerve detin, kur po dilte nga krahërori i nënës? Kur e vesha me re si me petka, me errësirë si me shpërngenj e mbështolla?» Hyji flet për detin si për një fëmijë të njomë. Por kjo pjesë flet edhe për caqet që Hyji i vë detit: «Kur caqet atij ia vura, e kyça me dyer e shula dhe i thashë: Deri këtu!» Si me këto fjalë, ashtu edhe me poetizmin e mësipërm, Hyji dëshiron t’i tregojë Jobit pushtetin absolut që Ai ka edhe mbi detin.

Besëlidhja e Vjetër flet shpesh për këtë pushtet të Hyjit që tregohet pikërisht nëpërmjet pushtetit që Ai ka mbi detin: mjafton të përmendim mrekullinë e madhe të kalimit në këmbë të Detit të Kuq nga izraelitët, ku Zoti e hapi detin më dysh.

Për mendësinë e përgjithshme të asaj kohe në mbarë botën, deti ishte diçka e pamasë, diçka që kishte si një pushtet të vetin. Përveçse diçka e pamasë, deti ishte edhe vendi ku mund të ndodhnin rreziqe të mëdha. Gjallesat e ndryshme që aty gjendeshin, shpesh ishin të panjohura për njeriun e prandaj edhe të rrezikshme. Por gjëja më e rrezikshme e detit ishin stuhitë që shpërthenin. Kjo gjë shihej si një tërbim i detit – nga ata popujt që e shihnin si diçka të gjallë – ose si tërbim i perëndive që e drejtonin atë.

Këto ide, edhe pse me disa ndryshime, ishin të pranishme edhe në popullin e Izraelit. Kështu e kuptojmë përse psalmi i sotëm thotë: «Ata që me anije lundruan deteve, që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti, ata i panë mrekullitë e tij në thellësitë e detit.» Patjetër psalmisti e ka fjalën për ndonjë mrekulli që realisht mund të ketë ndodhur në atë kohë – siç e tregon edhe vazhdimi i psalmit – në të cilën Hyji e kishte treguar pushtetin e Tij pikërisht duke qetësuar stuhinë dhe valët e detit: «Stuhinë e shndërroi në puhi e valët e detit e shuan gjëmën e vet.»

Vetëm kështu tani e kuptojmë arsyen për të cilën apostujt, në Ungjillin e sotëm, i kap një frikë e madhe dhe i thonë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që po i nënshtrohen era dhe deti?»

Izraeli ishte i bindur se një pushtet të tillë e ka vetëm Zoti. Këtu apostujt po shohin me sytë e tyre se Jezusi po vepron pikërisht siç vepronte Zoti. E nuk bëhet fjalë për një njeri të shenjtë që i lutet Hyjit që ta qetësojë stuhinë dhe valët e detit, por për dikë që u jep Ai vetë urdhër detit e erës që të qetësohen.

Ungjilli i Markut fillon me fjalët: «Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit» dhe i tërë Ungjilli i tij përpiqet ta vërtetojë se me të vërtetë Jezusi është Biri i Hyjit e Hyj ai vetë. Sot Shën Marku e bën këtë duke treguar se Jezusi ka pushtet mbi stuhinë dhe valët e detit, duke realizuar kështu atë që, sipas psalmit të sotëm, është në gjendje ta bëjë vetëm Hyji.

Shën Pali sot në letrën e tij të dytë të drejtuar Korintasve na thotë se «edhe nëse [deri tani] e kemi njohur Krishtin në mënyrë thjesht njerëzore, nuk e njohim më ashtu.» Pra na fton të bëjmë edhe ne ashtu: t’i afrohemi Jezusit si një njeriu të vërtetë, por jo vetëm kaq: t’i afrohemi edhe si një Hyji të vërtetë, i cili, me dashuri, ka pushtet mbi gjithçka.

Ka edhe diçka tjetër që na bën përshtypje tek Ungjilli i sotëm: fakti që, në mes të gjithë asaj stuhie e tërbimi të detit, Jezusi po flinte. Mbase jemi të prirur të mendojmë se Jezusi kështu dëshironte t’i vinte në provë nxënësit e vet, nëse do të vinin t’i kërkonin ndihmë apo jo. Sikur të ishte kështu, del se Jezusi nuk po flinte me të vërtetë, por po bënte gjoja. Po, sikur të ishte kështu, përse Ungjilli nuk e thotë? Ungjilli thjesht thotë «Jezusi në pope flinte në nënkresë.» Pra, Ai realisht «po flinte».

Këtu dëshiron ta vërë theksin Ungjilli: jo tek prova për nxënësit, por tek dallimi i thellë mes Jezusit dhe nxënësve të Tij përsa i përket lëshimit në duart e Hyjit. Nxënësit janë të alarmuar kur përballen me stuhinë, ndërsa Jezusi fle.

E dijmë se një njeri nuk fle kur nuk është i qetë e aq më tepër kur bëhet fjalë për pozicione të parehatshme siç mund të ishte ai i Jezusit në atë lundër. E dijmë se shpesh nuk mjafton të jesh i lodhur e i rraskapitur për të rënë në një gjumë të thellë, por duhet patjetër edhe qetësia e shpirtit. Kjo do të thotë se Jezusi ishte me të vërtetë i qetë, edhe në mes të asaj stuhie.

Apostujt, kur panë stuhinë që po shtohej gjithnjë e më tepër, i drejtohen Jezusit me fjalët: «Mësues! A nuk je në kujdes që po mbytemi?»

«A nuk je në kujdes?»: sa herë që na vjen ndonjë stuhi në jetë, kjo rrezikon të jetë “protesta” jonë e parë që i drejtojmë Zotit. Mbase është veçse shenjë se Zotin ende nuk besojmë se e kemi gjithnjë afër nesh, edhe kur duket se Ai «është në gjumë».

Në qortimin e Tij, Jezusi jo rastësisht u thotë nxënësve: «Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?»Jezusi e lidh frikën me mungesën e besimit. Nuk dihet kurrë krejt saktë se cila prej tyre provokon tjetrën: frika provokon mungesën e besimit, apo mungesa e besimit provokon frikën? Secili prej nesh mund të dalë në përfundimet e veta në këtë pikë, por rezultati është gjithnjë i njëjti: rreziku i madh që, në fund të fundit, të bëjmë zgjedhje “pagane” në jetë.

Në disa raste, djalli përpiqet të na fusë frikën, ankthin e alarmin e brendshëm, që të na bëjë ta “justifikojmë” mosbesimin tonë. Hërë të tjera ai fut dyshime të forta rreth besimit, që kështu frika të shtohet e të zmadhohet në jetë. Por, e thamë, rezultati përfundimtar rrezikon të jetë po ai: mungesa e lëshimit në duart e Zotit.

Nganjëherë nuk e kemi idenë se sa shumë gjëra të bukura do të kishim arritur në jetë sikur të kishim besuar më shumë në Zotin e të kishim punuar pak më shumë me veten për ta larguar frikën. Një ditë edhe neve Jezusi do të na e bëjë qortimin: «Pse u treguat frikacakë? Po pse nuk besuat?»

Jezusi që fle në barkë, ngjan me një foshnje që fle në krahët e babait të vet, edhe kur përreth nuk ka shumë rehati. Jezusi është lëshuar krejtësisht në krahët e Atit të vet qiellor, kurse nxënësit janë ende në duart e veta.

Mbase na duket pak si qesharake ajo që bëjnë nxënësit (kanë në barkë vetë Zotin dhe përsëri e kanë frikën në palcë), por, në fakt, fare lehtë edhe ne e gjejmë veten në situata të ngjashme. Edhe ne si të krishterë, që jemi pagëzuar në emrin e Trinisë së Shenjtë, e kemi në ne vulën e pashlyeshme të kësaj pranie trinitare, por shpesh e kemi frikën në palcë e nuk i hedhim sytë nga kjo prani kur na zënë dallgët e jetës.

Kur, përshembull, ndodh ndonjë ngatërresë nëmes dy personave apo nëmes dy grupeve, kur dikush të ka bërë ndonjë gjë të rëndë e fyese ty apo familjarëve të tu, tundimi është që t’i zgjidhësh gjërat sipas mënyrës sate, nga frika (deri në palcë) se mënyrat e Hyjit që është në ty ka mundësi që të mos jenë edhe aq efikase.

Apo ndoshta rasti i abortimeve, për arsye se njerëzit e rrethanat që kanë përreth, i “detyrojnë” ta bëjnë një gjë të tillë. Është e vërtetë se ardhja në jetë e një fëmije mund të sjellë edhe më shumë sakrifica në jetën e prindit, por është i vërtetë edhe fakti se po vret një njeri.

Shumica prej vështirësive të supozuara apo kërcënimet që mund të vijnë në kësi rastesh, shpesh shkrihen si vesa para diellit kur besimtari tregohet i palëkundshëm përballë presioneve të ndryshme. Duhet të besojmë se edhe aty Jezusi, në një farë pike, do të “zgjohet” e do t’u urdhërojë edhe këtyre dallgë të jetës: «Qetësohu! Shuaj!» Provania e Zotit ekziston. Ekziston që ç’ke me të.

Megjithatë, edhe nëse dora e Provanisë Hyjnore nuk do të na i largonte disa dallgë, edhe aty është e mundur që të mos e lëmë të na zaptojë paniku i frikës, por të ruajmë lëshimin tonë në duart e Atit qiellor.Sa herë që dallgët e ndryshme të jetës na afrohen, le t’i hedhim sytë kah Jezusi. Të besojmë se Ai ka pushtet mbi çdo gjë. Ai është Hyj e Atij i «i nënshtrohen deri edhe era e deti».

Por, kur t’i hedhim sytë kah Jezusi, le të mësojmë prej Tij: të dijmë edhe ne ta mbështesim kokën tonë si Jezusi në krahët e Atit qiellor e të jemi të sigurtë se, pa lejen e Tij e pa një plan dashurie të Tij, asgjë s’mund të na ndodhë.

Hyji është i mirë: e fyejmë kur nuk lëshohemi në duart e Tij. «Zoti është shumë më i mirë nga sa mendon ti, më beso mua» – shkruante në një letër të sajën Shenjtja Terezë e Jezusit Fëmijë.

Dom Dritan Ndoci

22 qershor 2024, 09:35