Kërko

 XIII Domenica del Tempo Ordinario 'B' - Vangelo XIII Domenica del Tempo Ordinario 'B' - Vangelo

Fjala e Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit ‘B’

Fjala e Zotit e kësaj së diele i këndon jetës që Zoti na ka dhuruar dhe ripohon se Ai nuk e do vdekjen tonë, siç thotë Leximi I nga libri i Urtisë. Ndërsa pjesa e Ungjillit na propozon Jezusin, si dhurues të jetës. Ungjilli i së dielës nga Marku (Mk 5,21-43) na kujton se Jezusi është “ringjallja dhe jeta”.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 13-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Fjala e Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit kishtar 'B'

Fjala e Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit kishtar 'B'

Fjala e Zotit e kësaj së diele i këndon jetës që Zoti na ka dhuruar dhe ripohon se Ai nuk e do vdekjen tonë, siç thotë Leximi I nga libri i Urtisë. Ndërsa pjesa e Ungjillit na propozon Jezusin, si dhurues të jetës. Ungjilli i së dielës na kujton se Jezusi është “ringjallja dhe jeta”. Me mrekullitë që flasin për kthimin në jetë të vajzës së Jarit dhe shërimin e gruas së sëmurë nga gjakderdhja, Jezusi e shndrit ekzistencën tonë njerëzore. Na thërret të kemi fe dhe na hap zemrën ndaj shpresës së thellë të jetës e të shpëtimit.

Kështu pra, Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na fton të reflektojmë mbi vlerën vërtetë të jetës njerëzore dhe mbi përvojën e takimit personal me Krishtin e me Fjalën e tij si burim jete: “Fjalët tua, o Zot, janë shpirt e jetë”, ky pohim mund të themi se është tema dhe përmbledhja e kremtimit të Fjalës së Zotit të dielës së 13-të. Leximet biblike të Meshës së dielës, kësaj here, përqendrohen pra mbi kuptimin e jetës, e këndej të vdekjes, në dritën e fesë, pra të ringjalljes, duke na ftuar të reflektojmë e të zbulojmë bukurinë dhe kuptimin e vërtetë të ekzistencës. 

Leximi i parë nga Libri i Urtisë (Urt 1,13-15; 2, 23-24) dhe pjesa e Ungjillit nga Marku (Ungjilli Mk 5,21-43) flasin mbi pavdekshmërinë e jetës dhe ringjalljen; leximi i dytë nga Letra e dytë e Shën Palit drejtuar Korintianëve (2Kor 8,7.9.13-15) flet mbi solidaritetin, bujarinë dhe ndarjen vëllazërore me të varfrit të të mirave shpirtërore e materiale, si shenjë dalluese e jetës së vërtetë të krishterë.

Pjesa e Ungjillit e kësaj së diele, tregon dy përvoja feje. E para tregon për gruan e sëmurë prej 12 vjetësh, feja e së cilës gati gati është besëtytni. Gruaja mendon: më mjafton ta preki petkun e Jezusit. Nuk ka rëndësi nëse nuk mund të bisedoj, të jem sy më sy me Të, thua sikur manteli të ishte hajmali, e relacioni ndërmjet të prekjes e shërimit të ishte diçka automatike dhe i menjëhershëm. Në kornizën e dytë të Ungjillit kemi një babai që përjeton fenë e tij; e bija e tij nuk flet, nuk di gjë, është objekt i dashurisë, jo subjekt i fesë. Ajo është e dashur, e kaq mjafton. Janë eksperienca të fesë së papërsosur, të fesë parciale, e megjithatë Hyjit i mjafton. Jezusi hyn në jetën tonë për të na kthyer e ri-dhënë jetën, atë jetë që e mposht vdekjen dhe ngadhënjen në Amshim. Kështu nga tregimet e ungjillit, Jezusi dëftohet si Zotëria i jetës, si që Ai e ka pushtetin për ta falur përsëri jetën dhe për ta shëruar e rilindur atë.

                                                          Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Urt 1, 13-15; 2, 23-24

Lexim prej Librit të Urtisë
Hyji nuk e krijoi vdekjen dhe nuk i gëzohet bjerrjes së të gjallëve. Sepse ai gjithçka krijoi që të jetojë; dhe, në botë, breznitë janë shpëtimprurëse dhe në to nuk ka vrer shkatërrues dhe nëntoka nuk e sundon tokën: sepse drejtësia është e pavdekshme. E pra Hyji e krijoi njeriun që të mos prishet dhe e bëri atë shëmbëllesë të përngjasimit të vet; por, prej smirës së djallit, vdekja hyri në botë dhe do ta shijojnë ata që i përkasin atij.
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 30
Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove
O Zot, Hyji im, unë të thirra 
e ti më shërove,
ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga nëntoka,
më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.

Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij,
falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!
Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij,
e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!

Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua,
Zoti u bë ndihmëtari im.
Ti vajin ma ktheve në valle,
ma zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare. O Zot, Hyji im, 
do të të lavdëroj për amshim!

Leximi i dytë 2Kor 8,7.9,13-15 

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, sikurse edhe në çdo gjë tjetër, dalloheni në shenjë – në fe, në fjalë, në dije e në çdo kujdes, në dashurinë tuaj ndaj neve – veçohuni edhe në këtë bujari!
Sepse, ju e njihni bujarinë e Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili, duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij. Porse, merret vesh se jo ju të ngushtoheni e tjerëve t’u lehtësohet, por – për një lloj barazimi. Në këtë rast – çka ju keni më tepër, të plotësojë sa atyre u mungon, kështu që, një ditë, teprica e tyre ta plotësojë mungesën tuaj – që të bëhet barazi, siç thotë Shkrimi shenjt: ‘Asgjë nuk i teproi atij që mblodhi shumë, dhe asgjë nuk i mungoi atij që mblodhi pak.’ Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë; ti ke fjalët e jetës së pasosur.
Aleluja.

Ungjilli Mk 5, 21-43

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi përsëri kaloi me barkë në anën tjetër, ngarendi tek ai turmë e madhe populli. Ai zuri vend në breg të detit. Erdhi një nga kryetarët e sinagogës, që quhej Jair; e, kur e pa, ra në gjunjë para tij dhe i lutej shumë: “E kam vajzën në fill të vdekjes! Eja, vëri duart mbi të që të shërohet e të jetojë!” Jezusi shkoi me të. Një grua ishte e sëmurë dymbëdhjetë vjet nga derdhja e gjakut. Hoqi shumë keq ndër mjekë të ndryshëm e shpenzoi gjithçka pati pa farë dobie, ishte edhe më keq. Ajo kishte dëgjuar për Jezusin, hyri në turmë e, pas shpinës, ia preku petkun Jezusit. I thoshte mendja: “Nëse ia prek vetëm petkat, do të shërohem.” Aty për aty iu ndal gjaku e në trupin e vet ndjeu se u shërua nga sëmundja. Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij, u soll në midis të turmës e tha: “Kush m’i preku petkat?” Nxënësit e tij i përgjigjën: “Po a s’e sheh popullin si të furet në katër anët e thua: ‘Kush më preku’!” Ai i rrethoi me sy për të parë atë që e kishte prekur. Gruaja, plot frikë e tmerr, sepse e dinte se ç’i ngjau, u afrua, ra para tij dhe tregoi tërë të vërtetën. Ai i tha: “Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!” Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën prej të shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i thanë: “Vajza jote vdiq. Pse ta trazosh më Mësuesin?” Kur Jezusi dëgjoi ç’thanë, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë! Vetëm ti beso!” Jezusi nuk lejoi ta përcjellë askush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. Arritën të shtëpia e kryetarit të sinagogës. Jezusi vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të madh. Hyri dhe u tha: “Pse bërtitni e vajtoni? Fëmija nuk ka vdekur, por fle.” Ata e përqeshën.
Jezusi atëherë i qiti përjashta të gjithë. Me vete mori të atin e t’ëmën e fëmijës e përcjellësit e vet dhe hyri atje, ku ishte fëmija. E kapi fëmijën për dore e i tha: “Talitha kum!” që do të thotë: “Vajzë, unë po të them: çohu!” Vajza aty për aty u ngrit e nisi të ecë. Ishte dymbëdhjetë vjeçe. Të gjithë mbetën pa masë të habitur. Jezusi u urdhëroi rreptësishtë të mos ia tregojnë askujt ngjarjen dhe u tha t’i japin vajzës të hajë. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

E DIELA XIII GJATË VITIT: VETËM TI BESO!

Urt 1, 13-15; 2, 23-24; Ps 29 (28); 2Kor 8, 7.913-15; Mk 5, 21-43

Në Ungjillin e sotëm shohim se si Jezusi jo vetëm që shëron një të sëmurë, por edhe ringjall një të vdekur. Bëhet fjalë përmrekulli tejet të mëdha, të cilat Jezusit i dhanë një popullaritet të pamasë gjatë jetës së Tij publike. Prandaj, për të na mësuar ta kuptojmë më mirë përmasën e asaj që duhet të kenë ngjallur në popull mrekulli të tilla, Kisha na vë përpara leximet që dëgjuam sot.

Por na duhet ta fillojmë me një parashtesë.

Të mëdha janë përpjekjet e shumë teologëve katolikë për të gjetur arsyen e vdekjes fizike të njeriut e nuk janë pak ata që përpiqen t’i shmangen një përgjigjeje të qartë rreth prejardhjes së kësaj vdekjeje. Por Magjisteri kishtar thotë shprehimisht kështu në Katekizmin e Kishës Katolike: «Si shpjegues autentik i Shkrimit Shenjt dhe i Traditës, Magjisteri i Kishës mëson se vdekja ka hyrë në botë për shkak të mëkatit të njeriut. Edhe pse njeriu zotëronte një natyrë të vdekshme, Hyji e kishte destinuar atë që të mos vdiste» (nr. 1008). Duken fjalë të një periudhe tjetër të historisë, por, në fakt, janë formuluar në kohën tonë, në vitin 1992.

Edhe pjesa e Librit të Urtisë që dëgjuam sot e thotë: «Hyji e krijoi njeriun që të mos prishet dhe e bëri atë shëmbëllesë të përngjasimit të vet, por, prej smirës së Djallit vdekja hyri në botë.»

Edhe në fillimet e saj Bibla flet për mënyrën se si vdekja hyri në botë, duke na treguar historinë e rënies së njerëzve të parë në gjendjen e mungesës së miqësisë me Hyjin, pra në mëkat.

Kujdes: djalli nuk solli vdekjen, por mëkatin. Populli i Izraelit e kishte kuptuar se vdekja nuk ishte mallkim i Hyjit. Aq më tepër Kisha, e shndritur nga Jezu Krishti, është e bindur se vdekja nuk është mallkim, por është mundësia për t’u bashkuar sërish në miqësinë e përsosur me Hyjin tonë.

Shën Ambrozi, ipeshkvi i madh i Milanos, thoshte në shekullin IV se «Hyji e ka lejuar vdekjen si një ilaç.» E këtë e argumentonte duke thënë: «Do të kishte qenë e mjerueshme sikur tashmë njeriu – në këtë gjendje dobësie – të ishte i përjetshëm.»

Për të mos folur pastaj për të gjitha strukturat e jetës shoqërore të njerëzimit të cilat, pa përjashtuar anjërën prej tyre, janë të njollosura nga egoizmi njerëzor. Këto struktura arrijnë deri aty sa të shndërrohen në përbindësh. Sa e rëndë do të ishte sikur këto të ishin të përjetshme!

Prandaj, pas mëkatit të njerëzve, plani Hyjnor nuk vazhdoi ashtu siç ishte menduar fillimisht, por Hyjit iu desh ta lejonte vdekjen, me qëllim që ky plan i Tij, në të mirën e njeriut, të realizohej në një mënyrë tjetër. Kështu, për ata që e duan Hyjin, vdekja nuk do të ishte mallkim, por fillimi i një jete të re, i një jete në miqësi me Hyjin, në atë miqësi të humbur dikur, por të dhuruar përsëri nga Hyji e që do të arrijë plotësinë e vet në ngjalljen e trupit të vdekur.

Tani mund ta kuptojmë më mirë Ungjillin e sotëm, në të cilin na vërtetohet se Jezusi ka pushtet mbi sëmundjen dhe mbi vdekjen.

Fillimisht Ungjilli na tregon se si Jezusi shëron një grua e cila vuante nga humbja e gjakut. Detajet që e mbushin tregimin e kësaj pjese, arrijnë të jenë deri edhe prekës.

Pikësëpari është prekëse gjendja e dhimbshme, jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore në të cilën kishte rënë kjo grua e mjerë. Sëmundja që ajo kishte, jo vetëm që nuk gjente shërim, por ishte e mbuluar edhe me turp, ngaqë çmohej si një gjendje e papastër edhe para Ligjit të Moisiut. Dhimbje e turp e mbulonin këtë grua të shkretë.

Ja përse ajo donte ta prekte Jezusin fshehtazi, sepse nuk donte të merrej vesh se preku dikë: menjëherëdo ta kishin akuzuar se kishte bërë të papastër edhe të tjerët. Kur injoranca përzihet me besimin, krijohen disa situata njerëzore vërtet të mjerueshme.

Por feja e kësaj gruaje do të hynte në historinë e Kishës një herë e përgjithmonë. Ishte e bindur se do t’i majftonte të prekte qoftë edhe «vetëm petkat» e Jezusit për t’u shëruar prej Tij. E ashtu ndodhi. Ne kungohemi çdo ditë, marrim krejt Krishtin e nuk e kemi një fe të tillë.

Pastaj është Jezusi ai që mallëngjen me reagimin e Tij. Në mes të gjithë asaj turme që e prekte dhe e shtynte nga çdo anë, Jezusi sillet dhe i pyet apostujt: «Kush m’i preku petkat?» Më parë ungjilltari kishte treguar: «Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij.» E apostujt, të hutuar nga kjo pyetje e “çuditshme”, i përgjigjen: «Po a s’e sheh popullin si të furet në të katër anët e thua: “Kush më preku?”»

Këtë detaj shumë interesant të krejt Ungjillit e ka shpjeguar shumë bukur Shën Leoni i Madh, Papë, në shekulli V: «Si Hyj, Jezusi e shëron atë grua, ndërsa si njeri, thotë “kush më preku”.»Feja e gjallë e kësaj gruaje e “zgjon”Hyjnoren e Personit të Jezusit.

Por, pasi e shëron në trup, Jezusi dëshiron ta shërojë atë edhe në shpirt. Prandaj edhe ngulë këmbë që ta gjejë se kush e preku: «A i rrethoi me sy për të parë atë që e kishte prekur.» Gruaja e mjerë mendon se Jezusi dëshiron ta qortojë për gjestin e saj e prandaj shpejton të “vetëdenoncohet”: «Gruaja plot frikë e tmerr... u afrua, ra para tij dhe tregoi tërë të vërtetën.»

Por Jezusi nuk donte ta qortonte. Përkundrazi, Ai donte t’ia largonte mendimin se Hyji mund ta kishte ndëshkuar me anë të asaj sëmundjeje e prandaj i thotë: «Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!»

Duke shëruar edhe shpirtin e kësaj gruaje, Jezusi donte të mësonte edhe nxënësit e vet se sëmundjet nuk janë ndëshkim Hyjnor. Përveç kësaj, Jezusi ua ofron atyre e mbarë Kishës këtë grua si shembull konkret të forcës së madhe që ka feja e gjallë.

E, aq e madhe është feja e gjallë, saqë ajo mund të nxjerrë prej Hyjit edhe Hirin e ringjalljes: «Mos ki frikë! Vetëm ti beso!» – i thotë Jezusi kryetarit të sinagogës kur i sjellin lajmin se e bija kishte vdekur. Nuk i thotë: «Mos ki frikë! Unë do të ta tregoj se kush jam!», por «Vetëm ti beso!».

Në fakt, është një mister më vete kjo e vërtetë: ne besojmë se Hyji vepron në të mirën tonë kur ne besojmë në Të, por jo gjithnjë i dëgjon uratët tona ashtu si ia drejtojmë. Jo të gjithë shenjtërit janë të shquar për mrekulli, edhe pse kishin shumë fe. Disa prej tyre kishin një jetë plot me ngjarje mrekullish, kurse disa të tjerë tejet pak. Por të gjithë ishin të kapur fort pas kësaj porosie të Jezusit: «Vetëm ti beso!», të bindur se, në një mënyrë a në ndonjë tjetër, Jezusi do të realizonte me jetën e tyre vetëm plane dashamire.

Por, le t’i kthehemi Ungjillit. Edhe këtu përshkrimi ka detaje shumë të rëndësishme.

Kur arrin te shtëpia e kryetarit të sinagogës, «Jezusi vuri re aty një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të madh.» Janë të thekta skena të tilla, por Jezusi reagon me një qetësi të pazakontë. U thotë «fëmija nuk ka vdekur, por po fle». Dihet se «e përqeshën». Nuk e dinin se vdekja është thjesht si një gjumë përballë Jezusit. Jo më kot, kur e ringjall vajzën, Jezusi i thotë: «Talitha, kumi», që do të thotë «vajzë, unë po të them: çohu»Jezusi ka pushtet absolut e jo vdekja.

Në kohën e misionit të tij publik, Jezusi nuk i ka ringjallur të gjithë të vdekurit e asaj kohe në Izrael e as nuk i ka shëruar të gjithë të sëmurët që gjendeshin aty, por, duke shëruar e ringjallur disa prej tyre, ka dashur të tregojë se Ai realisht e ka pushtetin mbi sëmundjet dhe mbi vdekjen. Nëse Ai nuk ndërhyn, do të thotë se ka ndonjë plan tjetër, por jo se nuk mundet.

Megjithatë është shumë e vërtetë se Ai do të ndërhynte shumë më shpesh, sikur ne të kishim një fe vërtetë të gjallë.

Këto mrekulli të Jezusit, nga ana tjetër, janë veçse shenja të diçkaje tjetër më të madhe që arrihet me anë të fesë së gjallë në këtë jetë: janë shenja të lumturisë së Parrizit.

Ajo grua të cilën Jezusi e ka shëruar, përsëri është sëmurë dhe ka vdekur; ajo vajzë që Jezusi ka ringjallur, përsëri ka vdekur. Por, gjatë pjesës tjetër të jetës që u kishte mbetur, ata patjetër duhet ta kenë kaluar kohën e shtegtimit të tyre tokësor me besim të gjallë në Jezu Krishtin. Kjo fe e gjallë e tyre i ka bërë të fitojnë një herë e përgjithmonë mbi vdekjen duke arritur lumturinë e Parrizit.

Thuhet se, kur Shën Injaci i Lojolës tashmë e ndiente se vdekja po i afroj,«ndjente një hare të tillë dhe një ngushëllim shpirtëror aq të madh se po vdiste, saqë shkrehej në vaj. Kjo gjendje iu bë aq e shpeshtë, saqë shumë herë e largonte mendjen nga vdekja, me qëllim që të mos ndjente kaq shumë ngushëllim». Mendimi se së shpejti do të takohej me Hyjin e vet, e mbushte me gëzim.

Shën Françesku i Asizit, vdekjen e quante: «Motra vdekje», sepse i hapte takimin me Zotin. Shenjta Terezë e Avilës do të thoshte atë shprehjen e saj të famshme «Vdes se s’po vdes», kur do të përhkruante gëzimin që ndiente në disa raste gjatë lutjes dhe dëshironte të gjendej tashmë me Zotin nëParriz. Këtë nënkuptonte edhe Shën Pali kur shkruante: «Për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë.»

Prandaj Kisha vazhdon të jetë e bindur se është Hyji Ai që e lejoi vdekjen si «ilaç». Por ajo do të jetë ilaç nëse ne, gjatë ecjes sonë tokësore, ruajmë një fe të gjallë dhe vepruese në dashuri për Hyjin e për njëri-tjetrin.

Me një fjalë, nesë vdesim në miqësinë me Hyjin e nëse, në të gjitha rrethanat e jetës sonë, edhe ne kapemi fort si shenjtërit pas porosisë së Jezusit: «Vetëm ti beso!»

Dom Dritan Ndoci

 

 

29 qershor 2024, 12:33