Fjala e Zotit e festës së Shën Pjetrit e Palit, Apostuj
R.SH. / Vatikan
Ja përsëri në takimin me Fjalën e Zotit, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të festës së Shën Pjetrit e Palit, Apostuj. Kremtojmë pra solemnitetin e apostujve Pjetër e Pal, simbole, përkatësisht, të themelit e të misionit universal të Kishës së Jezu Krishtit.
Liturgjia e Fjalës
Pjetri e Pali qenë të bashkuar në mision e në martirizim. Pjetri ai që e njohu e pranoj madhërinë e doktrinës së Palit; Pali ai që e vërtetoi mësimin dhe predikimin e tij me Pjetrin, për të mos rrezikuar të predikonte gjërat e veta, në vend që t'i predikonte ato të Jezu Krishtit.
Pjetri e Pali janë sintezë e mrekullueshme e bashkimit në dallueshmëri të dhuratave e të karizmave që Zoti u ka falë. Këta janë Apostujt e shenjtë që me gjakun e tyre e kanë bërë të frytshme Kishën. Atyre u drejtohemi me lutje që të ndërmjetësojnë pranë Hyjit Dashuri për përforcimin e fesë sonë në Krishtin e Gjallë. Me siguri që çdo njëri prej të dy shenjtorëve, do të meritonte një festë në veti; aq e madhe është pesha e rëndësia e shenjtërimit dhe domethënia që kanë pasur e vazhdojnë të kenë për Kishën. Megjithë dallueshmërinë që kanë njëri me tjetrin, ata kanë diçka që i bashkon dhe që këshillon t'i kremtojmë së bashku.
Ajo që i bashkon më duket se është mirë e shprehur në antifonen e hyrjes së meshës së këtij solemniteti: "Janë këta apostuj të shenjtë që gjatë jetës tokësore e kanë bërë të frytshme Kishën me gjakun e tyre, kanë pi kelkun e Zotërisë Jezus, e janë bërë miq të Zotit". Titulli i tyre i lavdisë është pra fakti që kanë dëshmuar Krishtin deri më vdekje, duke e bërë të "frytshme" zhvillimin dhe rritjen e Kishës së parë, më shumë se të gjithë të tjerët. Pastaj, të mos harrojmë faktin, historikisht të dokumentuar, që të dy kanë pësuar martirizimin për Krishtin në Romë, qytetin e "amshuar".
Dy Apostujt e mëdhenj Pjetri e Pali, shtylla e themele të Kishës, në ditën e festë së tyre, na ndihmojnë të thellojmë karizmat e tyre të veçanta, dhuratat e tyre që karakterizonin secilin dhe t'i jemi mirënjohës Zotit për transmetimin po nga ata, të Ungjillit e të doktrinës Kishtare në të gjitha kohërat, e kështu na garantohet në kohë e vërteta e Dëftimit të Zotit e vepra e shëlbimit realizuar për ne nga Krishti Zot.
Libri e shpata janë simbolet ikonografike me të cilat paraqiten Pjetri, "peshkatar i përvujtë i Galilesë", e Pali "apostull-doktor i popujve", urtia e dëftuar e Atit dhe forca e dëshmisë ungjillore, nga njëra anë Jezusi dhe e vërteta e tij, nga ana tjetër gjyqi i shpëtimit që vjen e realizohet në jetën e secilit prej nesh.
Konfrontimi mes dy apostujve të shenjtë mund të vazhdojë: herë herë duken aq larg njëri tjetrit e të pakrahasueshëm, nga ana tjetër përplotësohen në historitë e thirrjes së tyre, në dëshminë e jetës së tyre për fenë Krishtin, që vuloset me gjakun e martirizimit të tyre. Jeta e dëshmia e tyre për Krishtin, janë një thirrje për ne të kthehemi në udhën e Zotit, të pranojnë planin e Hyjit, pavarësisht se cila është “historia” jonë aktuale më Të dhe të jetojmë në përkim me Ungjillin e Krishtit e ta dëshmojmë më jetë dashurinë shëlbimpruese.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Vp 12, 1-11
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë Herodi mbret filloi të salvojë disa anëtarë të Kishës. Me shpatë e preu Jakobin, të vëllanë e Gjonit. E kur hetoi se kjo gjë po u pëlqente judenjve, mendoi të burgosë edhe Pjetrin. Ishin ditët e bukëve të pabrume. E pasi e kapi, e qiti në burg dhe ua dha ta ruajnë katër skuadra, secila e përbërë nga katër ushtarë, me qëllim që mbas Pashkëve ta qesë para popullit. Kështu pra, Pjetri ruhej në burg, por urata e përzemërt e Kishës ngritej vazhdimisht para Hyjit për të. Atë natë, para se Herodi mendonte ta qesë para popullit, Pjetri flinte në mes dy ushtarëve, i lidhur në dy palë hekura, e para derës rojtarët ruanin burgun. Dhe ja, engjëlli i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi dhomën. Engjëlli i ra Pjetrit në ijë, e zgjoi dhe i tha: “Çohu shpejt!” Prej duarve i ranë hekurat. Engjëlli i tha: “Ngjeshu dhe lidhi sandalet!” Ai bëri ashtu. Përsëri i tha engjëlli: “Veshu petkun tënd dhe eja pas meje!” Pjetri doli dhe po i shkonte pas. Nuk ishte i vetëdijshëm se çka po ngjante me anë të engjëllit ishte e vërtetë, por ai kujtonte se kishte një vegim. Kaluan rojën e parë dhe të dytën, edhe arritën te dera e hekurt që shpie në qytet. Kjo u hap vetvetiu. Ata dolën, kaluan një rrugë e atëherë papritmas engjëlli u nda prej tij. Atëherë Pjetri erdhi në vetë e tha: “Tani me të vërtetë po e di se Zoti e paska dërguar engjëllin e vet për të më shpëtuar nga dora e Herodit dhe prej gjithçka priste populli i judenjve.”
Fjala e Zotit. Falenderojmë Hyjin!
Psalmi 33/34
Qoftë bekuar Zoti që i liron miqtë e vet
Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij. Shpirti im mburret në Zotin:le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi,edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
Shikojeni atë e do të ndriçoheni, fytyra juaj nuk do të turpërohet. Ja, skamnori e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.
Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre
që e kanë frikë dhe i shpëton.
Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!
I lumi ai që shpreson në të!
Tm 4,6-8. 17-18
Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, sa për mua, gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit, dhe koha të nisem për atë jetë arriti! Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë, që atë ditë do të ma japë Zoti, gjykatësi idrejtë; dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri ardhjen e tij. Por Zoti qe me mua. Ai më dha fuqi që predikimi i Ungjillit të kumtohej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët. Hyji më shpëtoi nga goja e luanëve. Vetë Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më shëlbojë për Mbretërinë e vet qiellore. Lavdi Atij në shekuj të shekujve! Amen!
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Aleluja! Aleluja!
Ti je Pjetër – Shkëmb; dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!
Aleluja! Aleluja!
Ungjilli Mt 16, 13-19
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?” Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetë.” “Po ju – u tha atyre – ç’thoni: kush jam unë?” Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!” Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Homelia nga dom Marjan Paloka:
Solemniteti i sotëm është shumë i lashtë: gjendet në Librin romak të shenjtorëve shumë para solemnitetit të Krishtlindjes. Në shekullin IV kremtoheshin tashmë tri meshë: njëra në Shën Pjetër në Vatikan, tjetra në kishën e Shën Palit jashtë mureve, e treta tek katakombet e Shën Sebastianit, ku ka shumë mundësi se ishi fshehur, për një farë kohe, trupat e dy apostujve.
Shën Pjetri
Simoni ishte një peshkatar nga Betsaida (Lk 5,3; Gjn 1,44), që kishte zënë vend në Kafarnaum (Mk 1,21.29). Vëllai i tij, Andrea, e paraqet tek ndjekësit e Jezusit (Gj 1,42), por ndoshta Simonin e kishte përgatitur Gjon Pagëzuesi për këtë takim. Krishti ia ndryshon emrin dhe e quan “Shkëmb” (Mt 16,17-19; Gj 21,15-17), për të realizuar nëpërmjet vetjes së tij temën e gurit themelor.
Simon Pjetri është njëri nga dëshmitarët e parë që sheh varrin e Jezusit të zbrazur (Gj 20,6) dhe të cilit Jezusi i ringjallur i shfaqet në një mënyrë krejtësisht të veçantë (Lk 24,34). Pas ngjitjes së Krishtit në qiell ai merr drejtimin e bashkësisë së krishterë (Vap 1,15;15,7), shpall linjat programuese të Lajmit të Mirë (Vap 2,14-41) dhe, ma anë të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Shpirtit të Shenjtë, është i pari që bëhet i vetëdijshëm për domosdoshmërinë e hapjes së Kishës ndaj paganëve (Vap 10-11).
Ky mision shpirtëror nuk e çliron nga natyra njerëzore, as nga mangësitë e temperamentit të tij (khs Mt 14,30; Gjn 13,6;18,10). Pali nuk ngurron ta kundërshtojë në diskutimin e bujshëm të Antiokisë (Vap 15; Gal 2,11-14), për ta ndihmuar që të çlirohet nga praktikat hebraike. Duket se në këtë pikë Pjetri nuk u gjet i gatshëm ta hapte mendjen dhe se kishte prirjen t’i shikonte të krishterët me prejardhje pagane si një bashkësi më e ulët se ajo e të krishterëve me prejardhje hebraike (Vap 6,1-2). Kur erdhi në Romë, Pjetri u bë apostulli i të gjithëve. Atëherë ai përmbush plotësisht misionin e vet si guri i themelit, duke bashkuar një një “ndërtesë” të vetme judenjtë dhe paganët, dhe e vulos këtë mision me gjakun e vet.
Shën Pali
Pas kthimit në udhën për Damask, përshkon tërë rajonin e Mesdheut në katër ose pesë ushëtime. Udhëtimin e parë e bën në shoqërinë e Barnabës (Vap 13-14): nisen nga Antiokia, ndalen në ishullin e Qipros dhe pastaj përshkojnë Azinë e Vogël, që është Turqia e sotme. Pas mbledhjes së apostujve në Jeruzalem, Pali fillon një tjetër udhëtim, këtë herë krejtësisht si i “dërguari” i të “Dymbëdhjetëve” (Vap 15,36-18,22). Përshkon edhe një herë Azinë e Vogël, ungjillëzon edhe një herë Frizinë dhe Galacinë, ku edhe sëmuret (Gal 4,13).
Pastaj kalon në Evropë bashkë me Lukën dhe themelon bashkësinë e qytetit të Filipit, në Greqinë veriore. Pas një periudhe burgu, ungjillëzon Greqinë. Në Athinë, misioni i tij ndeshet me arsyetimet e filozofëve. Në Korint themelon bashkësinë që do t’i krijojë problemet më të mëdha e pastaj kthehet në Antioki.
Udhëtimin e tretë (Vap 18,23-21,17) e bën në Kishat e themeluara në Turqinë e sotme, veçanërisht në Efes, në Greqi e në Korint. Duke kaluar nëpër Milet, u parathotë pleqve provat që e presin. Në të vërtetë, pak pas kthimit të tij në Jeruzalem, e arrestojnë hebrenjtë dhe e burgosin (Vap 21). Duke qenë se ishte nënshtetas romak, Pali i bën apel Romës.
Fillon kështu udhëtimi i katërt, drejt Romës, por këtë herë nën pranga (Vap 21-28). Arrin në Romë rreth vitit 60 ose 61 dhe rri në burg deri më 63. Në burgun e Romës përfiton nga disa lehtësira dhe hyn në kontakt me të krishterët e qytetit. Gjatë kësaj kohe shkruan të ashtuquajturat “letrat e burgut”.
Pasi u lirua nga burgu, më 63, mendohet se bën udhëtimin e fundit në Spanjë (Rm 15,25-28), ose në babshkësitë e drejtuara nga Timoteu e Titi, të cilëve u shkruan letrat, nga të cilat lë të kuptohet se po i afrohej fundi. Pasi e arrestuan dhe e burgosën edhe një herë, e martirizojnë rreth vitit 67.
Pjetri e Pali: dy emra që gjatë shekujve kanë personifikuar mbarë Kishën në Traditën e saj të pashkëputur. Me anë të predikimit të tyre , Zoti i ka dhënë Kishës frytet e para të fesë së krishterë. Dy mjeshtrave të parë të fesë u rrëfehen edhe mëkatet në Confiteor, duke njohur tek ata Kishën historike. Edhe për lindorët dy “vëllezërit” janë sinonim i mbarë kolegjit apostolik, gurë themelorë të fesë.
Edhe sot e kësaj dite Papa e thërret në ndihmë autoritetin e apostujve Pjetër e Pal në aktet zyrtare, kur ka për qëllim ta lidhë Traditën me burimin e saj: fjalën e Hyjit. Vetëm me anë të dëgjimit të kësaj fjale në Shpirtin e Shenjtë, Kisha mund të “përsoset në dashuri, në bashkimm me Papën, ipeshkvinjtë dhe mbarë urdhërin meshtarak”.