Do të shpallet i Lum Dom Gjon Gazulli, martir
R.SH. / Vatikan
Do të shpallet i Lum Dom Gjon Gazulli, martir. Kështu ka vendosur Papa Françesku, në audiencën e sotme me kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit të Vatikanir për Çështjen e Shenjtorëve, duke autorizuar dekretin e lumnimit të tij, së bashku me martirin tjetër të Kishës katolike shqiptare, Atë Luigj Paliqin, ofm. Mbi figurën e martirit shqiptar të Kishës katolike në Shqipëri, Dom Gjon Gazullit, tё ndjekim dom Gjovanin Kokona:
Ngjarja e dom Gjon Gazullit, dënimi dhe ekzekutimi i tij janë një dëshmi e qartë se çdo herë që Kisha në Shqipëri është vendosur në krahun e të dobtëve e të pambrojturve, nuk ka vonuar persekutimi ndaj bijve të saj.
Dom Gjoni lindi në një familje të njohur Zadrimore, ajo e Gazullorëve, më 26 mars 1893, nga prindërit Hiluk Gjon Kola dhe Tone Jak Gjini. Familja do të jetë për të ai “seminari” i parë, ku do të lulëzojnë ato bërthamat e thirrjes së tij. Po në këtë klimë të krishterë do të lindë edhe thirrja e të vëllait të tij më të vogël, Nikollës, që do ta ndjekë Gjonin në rrugën e meshtarisë. Babai i tyre do t’i shohë djemtë apostuj të Krishtit nga qielli, pasi vdes në gushtin e vitit 1912 e sigurisht atje do t’i presë më vonë, kur këta do t’i bashkohen aradhës së atyre që e lanë veshjen në gjakun e Qengjit.
Gjoni, pasi mbaroi klasat e para në Dajç, do të zhvendoset në Seminarin Papnor në Shkodër, për të vazhduar gjimnazin dhe vitin e parë të filozofisë. Ecuria e tij për të arritur ditën e shugurimit meshtarak do të kalojë nëpër trazime jo të pakta që nga çasti që sëmuret. Për të mbaruar filozofinë dhe për të vazhduar teologjinë, ipeshkvi, imzot Koletsi, e dërgon në Romë, por pas pak kohe Gjonit i duhet të kthehet, pasi, siç rezulton nga letra e kardinalit Girolamo Gotti, u prek në mushkëri nga tuberkulozi, dhe “me gjithë kurat mjekësore më të mira të mundshme nuk u shërua”.
Mbas një periudhe në atdhe, shkon për kurim në Francë e më pas, përsëri imzot Koletsi, e dërgon në Innsbruck të Austrisë, ku qëndron vetëm për disa javë, pasi kërkon lejën për të hyrë në Shoqërinë e Jezusit (etërit jezuitë). Fillon noviciatin në Vjenë më 6 gusht 1916, por për problemet e shëndetit, më 1918 detyrohet ta braktisë dhe të kthehet përsëri në Shqipëri, në dioqezën e tij. Këtu ipeshkvi Koletsi e mbajti afër dhe pas një periudhe të shkurtër përgatitore, si edhe pasi mori lejet e nevojshme nga Roma, e shuguroi meshtar më 4 prill 1919.
Gjoni, pasi ia arriti meshtarisë, pas gjithë këtyre tramvajeve të shkaktuara nga problemet shëndetësore, nxori në pah shpirtin e tij plot urti dhe përkushtim, tipike e një dishepulli të Krishtit. Ky kryq e këto lodhje fizike që përjetoi, e bënë më të ndjeshëm e më të aftë për të kuptuar ata që përjetonin vuajtje fizike apo shpirtërore. Pas shugurimit meshtarak qëndroi në Gjadër si famullitar deri më 1921 e më pas në Qelzë të Pukës deri më 1924, vit në të cilin u transferua në Koman, ku qëndroi deri në arrestimin e tij.
Qe një meshtar shembullor, i paqtë, gazmor, i dashur dhe që duhej nga të tjerët, pasi ndiheshin të kuptuar prej tij dhe gjenin tek ai mbështetje dhe mbrojtje. Iu kushtua me pasion të madh së mirës së shpirtrave, duke u kujdesur edhe për mbështetjen e atyre që kishin shenja thirrjeje për meshtari. Nuk u kursye për t’i shërbyer popullit të Zotit, aty ku ipeshkvi i tij e kishte dërguar, sado që zonat malore besuar atij ishin të vështira e të varfra.
Vështirësisë së terrenit dhe varfërisë i shtohej edhe shtypja tiranike e qeverisë së Ahmet Zogut mbi popullsinë e atyre maleve. Fatkeqësisht situata vetëm përshkallëzohej edhe më keq, me gjithë përpjekjet e dom Gjonit dhe të famullitarëve të tjerë të zonës për të përmbajtur popullsinë e revoltuar nga ngacmimet provokative të xhandarmërisë zogiste.
Në mbështetje të këtyre meshtarëve qe edhe arqipeshkvi i Shkodrës, Lazër Mjedja. Por regjimi zogist, siç shkruan në memoriet e tij Delegati Apostolik, imzot Leone Nigris, duket se ishte “një bandë shfrytëzuesish në dëm të interesit publik dhe ndihmat financiare [nga Italia] për veprat publike shkonin në pjesën më të madhe në xhepat e privatëve”.
Ndërkohë gjendja, si ia përshkruan dom Gazulli arqipeshkvit Mjeda, kishte arritur deri në përplasje me armë. Pak pasi ai ishte transferuar në Koman, gjendja në Qelzë dhe në disa fshatra në Dukagjin arriti në përplasje me armë kundër regjimit, i cili, pasi dërgoi forca të shumta ushtrie, arriti t’i thyejë “kryengritësit” e të bëjë kërdinë në popullsinë lokale. Është kjo një periudhë ku edhe vetë arqipeshkvi i Shkodrës mbikëqyrej me kujdes nga Presidenti e më vonë Mbreti Zog, me shpresë që ta gjente në faj e ta eliminonte. Rezultat i kësaj reprezaljeje qeveritare qe arrestimi i shumë të pafajshmëve, ndër të cilët rreth 200 gra e fëmijë. Por qëllimi i qeverisë është t’u japë një “leksion” të mirë e për këtë i duhet të qëllojë klerin, edhe pse, siç dëshmon imzot Mjeda, meshtarët nuk janë të përfshirë në revoltë, por “qeveria nëse do t’i dënojë nuk e ka të vështirë të gjejë dëshmitarë të rremë”.
Edhe provinciali françeskan, atë Pashk Bardhi, na e jep një pasqyrë të kësaj situate kundër katolikëve, kur sqaron se “shkaku i kësaj trazire është Ministri i Brendshëm, Musa Juka, i cili do që të krijojë një shtet shqiptar ekskluzivisht mysliman e nëpërmjet persekutimit të zhdukë kristjanizmin e ta bëjë popullsinë plotësisht raja (myslimane), përafërsisht si në periudhën e pushtimit turk”. Në këtë klimë syri shkoi te ish-famullitari i Qelzës, dom Gjon Gazulli, dhe 1 muaj pas kësaj revolte ai u arrestua, një ditë pas Krishtlindjes, më 26 dhjetor 1926, dhe nga burgu i Pukës u dërgua në atë të Shkodrës.
Në të njëjtën kohë me të u arrestua edhe i vëllai i tij, dom Nikolla, si edhe meshtari tjetër Lekë Dredhaj. Më 20 shkurt 1927 imzot Mjeda shkruan: “Jemi akoma duke përjetuar ditë terrori. Dënimet me vdekje vetëm vazhdojnë” dhe tregon: “Mbas 29 dhjetorit [1926] janë ekzekutuar edhe dy dënime të tjera me vdekje… të gjithë vdesin të qetë, me kurajë e pa u trembur, saqë i bën të mbesin të habitur edhe myslimanët, të cilët nuk mund të bëjnë gjë tjetër përveçse t’ia atribuojnë këtë forcë e qëndresë shembullore të këtyre malësorëve besimit të tyre të krishterë”. Qëllimi i arrestimit të meshtarëve, siç e thekson Imzot Mjeda, e ka burimin tek tentativa e Zogut për t’i bërë “të dyshojnë të huajt si edhe myslimanët se e gjithë kjo është vepër e nxitur nga kleri katolik”.
E ndërsa dom Nikolla dënohet me internim në Gjirokastër, dom Gjoni dhe dom Leka dënohen me vdekje. Të gjithë besonin në dhënien e faljes nga ana e Presidentit, por ndërsa për dom Dredhajt iu dha falja, kjo gjë nuk ndodhi me dom Gazullin. Indirekt ai ishte “fajtor” se kishte folur kundër imoralitetit dhe padrejtësive të qeverisë dhe pikërisht për këtë do të vuajë poshtërime e tortura për 41 ditë, që sigurisht e kanë përgatitur shpirtin e tij për takimin me Hyjin. Detajet e situatës na i përshkruan më së miri imzot Mjeda në relacionin e tij: «dy të burgosurit janë të mbyllur në një lloj depoje prej çimentoje që është pak më shumë se 1 metër e gjatë dhe gjysëm metri e gjerë, e tillë që ata as nuk mund të ulen të pushojnë… Natën e datës 4 papritur erdhi një oficer nga Tirana me urdhrin për ekzekutimin e Gazullit.
U thirrën dy fretër françeskanë, atë Martin Gjoka dhe [i Lumi] atë Çiprijan Nika, për të asistuar të dënuarin me vdekje. Është e papërshkrueshme me sa dinjitet dhe gjakftohtësi e priti lajmin. Pa u shqetësuar kërkoi të rrëfehej, duke bërë një rrëfim të gjithë jetës së tij, e pastaj me një devotshmëri të madhe mori Hosten e Shenjtë. Mori lejë për të folur e tha se në atë moment solemn në të cilin po bëhej gati për të dalë në gjyq përpara Shëlbuesit, dëshironte të thoshte se nuk kishte kryer kurrë ndonjë vepër në dëm të vendit të tij, përkundrazi, si meshtar katolik, ishte munduar gjithmonë në të mirë të vendit; që ishte i pafajshëm ndaj akuzave që i bëheshin; por, megjithëkëtë, sipas shembullit të Jezusit që vdiq në kryq për shëlbimin e të gjithëve, edhe ai e pranonte të vdiste i pafajshëm dhe se i falte të gjithë. Atëherë u drejtua për në vendin e podiumit të ekzekutimit i shoqëruar nga dy meshtarët dhe nga rreth 100 ushtarë. Në momentin e daljes nga burgu kapiteni [Xhemal Dibra] urdhëron ushtarët të vihen në pozicion nderi, dhe edhe gjatë shoqërimit për në vendin e ekzekutimit u mbajt nga ushtarët një qëndrim respekti. Duke qenë se ajo ishte nata e parë e Ramazanit, shumë besimtarë myslimanë ishin ende nëpër rrugët e qytetit dhe duke parë se ç’po ndodhte, iu bashkuan këtij grupi deri në vendin e agonisë.
Gjatë gjithë rrugës Gazulli ecte me vendosmëri dhe dinjitet, i gjithi i humbur në Zotin, duke lutur me zë të kuptueshëm psalmin Miserere dhe Rruzaren e Shenjtë. Kur u vendos në tribunën e ekzekutimit, u kthye nga turma dhe me zë të lartë e kumbues thirri: “Rroftë Krishti Mbret; Rroftë Ati i Shenjtë; Rroftë besimi katolik; Rroftë Shqipëria me shqiptarët e vërtetë”. Pastaj u ngjit mbi stol, mori një pozicion të drejtë dhe ndërsa thoshte: Jezus, Mari, Jozef, i vunë litarin rreth fytit dhe pasi e puthi edhe një herë kryqin që ia afroi te buzët njëri nga meshtarët, ia hoqën stolin poshtë këmbëve e dha shpirt.
Ndjesia që i dha popullit ky akt mizor, është prekëse. Edhe vetë muhamedanët u trishtuan nga kaq shumë padrejtësi. Çdokush megjithatë lëvdon dhe admiron virtytin dhe kurajën e dom Gazullit dhe e numëron ndër të lumët në qiell.
Famullitarit të Shkodrës nuk iu lejua nga qeveria të organizonte varrim, prandaj u detyrua ta çonte në varreza ai i vetëm me varrmihësit… Qeveria kishte frikë nga ndonjë revoltë popullore. Kështu e mbylli jetën ky meshtar i ri dhe shumë i denjë, që ishte i kaq i vlerësuar dhe i dashur nga të gjithë ata që e njihnin, dhe që premtonte të ishte shumë i dobishëm për Kishën Katolike në Shqipëri … I vëllai i tij, dom Nikolla, po transferohej nga burgu i Pukës për në Gjirokastër dhe natën përpara ekzekutimit të dom Gjonit, ndërsa flinte, u zgjua befas, duke thënë se i vëllai e kishte paralajmëruar se po vinin ta merrnin për ta ekzekutuar dhe prandaj dëshironte patjetër të shkonte ta përshëndeste për herë të fundit. Me gjithë këmbënguljen e tij, nuk iu dha leja që ta shihte».
Kështu, pra, natën, pa dalë drita, në orën 2 të datës 5 mars 1927, në moshën 34-vjeçare u ekzekutua i riu dom Gjon Gazulli, si fli prej urrejtjes së atij regjimi ndaj fesë e Kishës, duke menduar se kështu mund ta dominonte shpirtin e një populli të etur për drejtësi. Trupi i Gjon Gazullit pushon në varrezat e Rrmajit, ku populli i “thjeshtë” e nderon si martir dhe njerëzit e ndryshëm i luten vazhdimisht duke kërkuar hire nga Zoti me ndërmjetësimin e tij, duke vazhduar edhe sot e kësaj dite ta mbajë e nderojë si “një ndër të lumët në qiell”.