Papas Antonio Belusci (Belushi) Papas Antonio Belusci (Belushi)

In memoriam: në kujtim të Papas Antonio Belushit

Prof. Domenico Morelli kujton Papas Antonio Belushin (Antonio Bellusci, 1934-2024), figurë poliedrike, që bëri shumë për arbëreshët dhe për kulturën shqiptare në Itali e përtej saj. Ndërroi jetë më 20 qershor 2024. Krahas angazhimit baritor, Zoti Ndon i ka kushtuar gjithë kohën e vet mbrojtjes, promovimit dhe vlerësimit të trashëgimisë arbëreshe. Duket se dëshira e tij më e madhe ishte të rilidhte arbëreshët e shpërndarë nëpër botë.

R.SH. – Vatikan

Domenico Morelli

Zoti thirri pranë vetes Papas Antonio Bellusci-n (Zotin Ndon). Figura unike e priftit të Eparkisë së Lungros (Ungra në arbërisht), studiues i traditës, përhapës i gjuhës dhe i kulturës arbëreshe e mbi të gjitha mik i të gjithë atyre, që patën fatin ta njohin. Veprimtaria e tij në Eparki u karakterizua nga përkushtimi i thellë dhe puna baritore në të gjitha bashkësitë ku shërbeu.

Vërtet, ai thirrej gjithmonë për të ndërmarrë veprimtari misionare në rast vështirësish. Kështu, në Santa Sofia d’Epiro (Shën Sofia në arbërisht) në çastin e zgjerimit të famullisë, ose në San Costantino Albanese (Shën Kostandini i Arbëreshëvet), ose në Falconara (Fallkunara), ku kishte detyrën e rëndë të famullitarit në një bashkësi, që po i kthehej ritit grek. Së fundi, në Kozencë, ku rindërtoi një famulli dhe një bashkësi arbëreshe.

Tipari kryesor i apostullimit të tij ishte afërsia e madhe me njerëzit, problemet e të cilëve i kuptonte, sepse ai vetë vinte nga një familje e përvuajtur, por me frikën e Tënzot. Për këto arsye, është vlerësuar gjithmonë nga ipeshkvijtë dhe nga meshtarët e dioqezave të tjera.

Krahas angazhimit baritor, Zoti Ndon i ka kushtuar gjithë kohën e vet mbrojtjes, promovimit dhe vlerësimit të trashëgimisë arbëreshe. Duket se dëshira e tij më e madhe ishte të rilidhte arbëreshët e shpërndarë nëpër botë, prandaj, u bë udhëtar i palodhur, që nga viti 1965 deri më 1990 kreu misione të ndryshme në Greqi, në vendet arbërore (kështu i quan ai në punën e tij kërkimore "studime ndër arbërorët e Helladës), si edhe në vitin 1987, gjatë një vizite organizuar nga Bureau pour les langues moins repandues të Komisionit Evropian.

U miqësua me arbëreshët e Gjermanisë, të SHBA-ve dhe të Zvicrës, të cilët e donin fort. Këto udhëtime, këto kërkime, që përfshijnë regjistrime këngësh dhe vjershash, si edhe burime origjinale, dokumentohen në vepra dhe tekste të rëndësishme për antropologët dhe etnologët. Qëllimi ishte të gjallëroheshin e të bëheshin të dukshme dëshmitë gjuhësore e kulturore të arbëreshëve të shpërndarë nëpër botë.

Në veprimtarinë e tij të gjatë në famulli, pranë kishës përuroi qendra kulturore, duke zhvilluar edhe një punë intensive kërkimore etnografike e përhapëse të informacionit të mbledhur, duke i dhënë shtysë realizimit të revistave si "Vatra Jonë", “Dita jonë” dhe "Lidhja".

Bujaria e tij e shtyu të mirëpresë vëllezërit e tij shqiptarë, në ikje nga vendlindja. Kjo ndjeshmëri u vlerësua: presidenti Berisha i dha nënshtetësinë shqiptare në vitin 1994. Përveç kësaj, institucionet më të larta kulturore në Shqipëri i dhanë çmime të panumërta. Autor i botimeve të shumta, i vlerësuar me çmime prestigjioze edhe nga Republika e Kosovës, u nderua me Qytetarinë e Nderit nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.

Gjatë gjithë jetës, u thellua në studimin e ngjarjeve të Eparkisë, për të cilën botoi Historinë, me rastin e njëqindvjetorit të themelimit të saj. Bibliografia e tij është e gjerë dhe përfshin botime etnografike dhe kërkime të thelluara historike.

Puna e tij u kurorëzua në bibliotekën “A. Bellusci” të Frascineto-s (Frasnita), të cilën e themeloi vetë. Krahas mijëra vëllimeve me tema albanologjike dhe shpirtërore greko-bizantine, aty gjenden të gjitha botimet e tij, dokumentet e punës kërkimore dhe një arkiv i rëndësishëm personal.

Me largimin e Zoti Ndon për në shtëpinë e Atit Qiellor, Eparkia humbet një nga shtyllat e saj.

Të gjithë arbëreshët dhe shqiptarët në mbarë botën humbin një mik të apasionuar.

Jemi pranë në lutje me ata që e donin

I përjetshëm është kujtimi yt, vëlla i dashur.

21 qershor 2024, 17:58