Kërko

Kuvendi Monterosso Kuvendi Monterosso 

Jeta murgare, zgjedhje bashkëkohore

Sot, 9 qershor, rikthehet në Holandë nisma "Manastiret e hapura": në rreth tridhjetë struktura rregulltaret dhe rregulltarët mirëpresin vizitorë e u tregojnë historitë dhe arsyet që i frymëzuan për të zgjedhur jetën e kuvendit

R. SH. - Vatikan

Nga Charles de Pechpeyrou

Rreth tridhjetë kuvende meshkujsh dhe femrash janë të gatshme sot, e diel, më 9 qershor, të mirëpresin vizitorë të interesuar dhe kureshtarë për edicionin e njëmbëdhjetë të Ditës së Manastireve të Hapura në Holandë,   titulluar “Cila është historia jote?”. “Me këtë nismë, rregulltaret dhe rregulltarët duan të dëshmojnë se përvoja  murgare është zgjedhje e jetës bashkëkohore”, thekson Konferenca e Urdhërave rregulltare në Holandë. “Gjatë Ditës së Manastireve të Hapura, fretërit dhe murgeshat po tregojnë historitë e tyre: kush janë, çfarë bëjnë, pse zgjedhin këtë jetë në shërbim të Zotit dhe të njerëzve... Flasin për vete, por dëgjojnë me kënaqësi edhe historitë e vizitorëve” - lexojmë. Kuvendet e manastiret pjesëmarrëse kanë përgatitur një program shumë të pasur, që nis me ekspozitat e vijon me    shoqëruesët e bisedat me rregulltarët, deri te mundësitë për të festuar dhe për t’u lutur, pasi nuk është ndërtesa në të cilën jetojnë në qendër të kësaj dite, por «takimi me murgarët dhe përshpirtëria e tyre". Disa nga këto vende do t'u krijojnë vizitorëve edhe mundësinë për të qëndruar më gjatë në bujtinat e tyre.

Manastiri me dyer të hapura

Një nga manastiret që do t’i hapë dyert, është ai i Shën Katerinës, kongregatë Premonstratense, që ndodhet në jug të qytetit Oosterhout.

“Me këtë nismë duam të bëjmë të qartë se jeta rregulltare në manastire nuk është aspak e lidhur vetëm me të kaluarën, por mund të përkojë mrekullisht edhe me të sotmen”- shpjegojnë murgeshat norbertine. Kushdo që do të  shkelë sot derën e manastirit, do të jetë në gjendje të "admirojë skulpturat prej rëre, krijuar nga artistët me temën e paqes", lexojmë në faqen e tyre të internetit. Gjithashtu do të mund të marrësh pjesë në lutjet e pasdites. Shoqëruesit do t’u prijnë vizitorëve në pjesët e lashta të ndërtesës, të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Më pas do të mund të vizitojnë vreshtin, kopshtin e perimeve, kopshtin e thjeshtë dhe kopshtin e bletëve. “Gjatë vizitës do të mund të takojnë murgeshat, të cilat me kënaqësi do t'u flasin për jetën komunitare të kongregatës së tyre, që nis nga viti 1271 e vijon deri më sot”, shkruhet në web.

Ndërmjet fretërve kapuçinë

Rreth shtatëdhjetë kilometra në lindje, në qytetin e vogël Velp, ndodhet manastiri Emmaus i Fretërve të Vegjël Kapuçinë, të cilët kanë përgatitur aktivitete të shumta për vizitorët, duke përfshirë dy cikle bisedash dhe shkëmbimesh. Në ciklin e parë, Vëllai Christophorus Goedereis, delegat i Fretërve të Vegjël Kapuçinë në Holandë, do të flasë për praninë e re të kapuçinëve në manastirin e Emaus. Më pas do të shfaqet filmi me titull “The Place Where You Can Be Yourself(Vendi ku mund të jesh vetvetja), i cili tregon historinë e tre kapuçinëve nga manastiri i Emaus. I pranishëm, njëri prej tyre, vëllai Macair Wegman. Do të ketë gjithashtu shëtitje në kopshtin e manastirit dhe shijim të katër llojeve të birrës, prodhuar nga kapuçinët në manastirin Emmaus.

09 qershor 2024, 15:34