Monsignor Martin Kmetec Monsignor Martin Kmetec

Në Izmir kushtimi Zemrës së Jezusit, gurrë jete për Kishën

Në Izmir, e gjithë Kisha Katolike Turke i kushtohet Zemrës së Krishtit. Imzot Martin Kmetec, kryeipeshkëv i Izmirit:“Zemra e Krishtit është burim i jetës dhe i unitetit për Kishën. Duke iu kushtuar Zemrës së Shenjtë të Krishtit, ne duam të shkojmë "në zemër", domethënë, në qendër të fesë tonë"

R.SH. / Vatikan

“Zemra e Krishtit është burim i jetës dhe i unitetit për Kishën. Duke iu kushtuar Zemrës së Shenjtë të Krishtit, ne duam të shkojmë "në zemër", domethënë, në qendër të fesë tonë": kështu e shpjegoi dje Imzot Martin Kmetec, kryeipeshkëv i Izmirit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Turke, kuptimin e kremtimit që jetoi Kisha Katolike në Turqi dje, më 7 qershor, kur në katedralen e Izmirit ipeshkvij, priftërinj, rregulltarë dhe besimtarë shqiptuan aktin solemn të kushtimit të gjithë kishës turke Zemrës së Shenjtë të Jezusit.

Kushtimi u bë me rastin e "Vitit të Eukaristisë", që bashkësia katolike  vendase po e jeton gjatë përgatitjes së Jubileut dhe për rrugë drejt Kongresit të 53-të Ndërkombëtar Eukaristik. “Ndërsa po përgatiteshim për këtë festë, mirëpritëm dokumentin e  Françeskut për Zemrën e Krishtit, që na mbushi me gëzimin e harmonisë së plotë me Papën”- pohon Imzot Kmetec në “L'Osservatore Romano”.

Bashkëkremtimi eukaristik, në një katedrale përplot me besimtarë, u kryesua nga Kryeipeshkvi Marek Solczyński, nunc apostolik në Turqi,  përfaqësues i Papës Françesku. “Liturgji prekëse, me pjesëmarrje të jashtëzakonshme, edhe pse në Turqi ishte ditë pune. Pas Meshës dhe adhurimit eukaristik, i gjithë populli i Zotit shqiptoi me besim lutjen e kushtimit, gjest i cili ditët e fundit u krye edhe nga besimtarët në dioqeza të tjera” - tregon Kmetec.

Qëllimi është "të rizbulohet dhe të ripërtërihet premtimi, që u bë në ditën e pagëzimit, për të hequr dorë nga joshjet e së keqes, për të jetuar në lirinë e bijve të Zotit, për ta lëshuar tërë jetën në duart e Krishtit, edhe përballë dhunës” - shpjegoi Kryeipeshkv i Izmirit, i cili në predikimin që mbajti, u shpreh kështu:

“Ne besojmë në zemrën e brishtë të Krishtit, që zgjodhi mundin e jetës, që nuk i fshehu lotët, as dashurinë e dhimbjen. Zemra njerëzore dhe hyjnore e Krishtit u prek dhe do të preket përherë nga çdo dhimbje, çdo vuajtje, çdo varfëri njerëzore. Për këtë arsye ne ia besojmë veten lirisht dhe tërësisht, në një akt thellësisht sinodal, shprehje e bashkimit të plotë të katolikëve në Turqi me Kishën universale”.

Bashkësia katolike e përjetoi ngjarjen me një devocion të veçantë shpirtëror pas sulmit terrorist që ndodhi në Kishën e Lindjes së Zojës në Büyükdere, në lagjen Sariyer, në veri të Stambollit, më 28 janar, kur dy sulmues hynë në kishë gjatë kremtimit të Meshës.

“Si katolikë që jetojmë në Stamboll - nënvizoi ipeshkvi Massimiliano Palinuro, vikar apostolik i Kostandinopojës për besimtarët e ritit bizantin me banim në Turqi - ne njohim dashurinë, ndërgjegjen dhe mikpritjen vëllazërore dhe të sinqertë të njerëzve të vendit tonë. E duam shumë vendin dhe njerëzit tanë. Individët dhe grupet që mendojnë se do të mbyllemi në kisha, nën kontrollin e një vale terrori, nuk do ta arrijnë këtë rezultat. Përgjigja që i japim dhunës së pashoqe, frikës që synojnë të mbjellin mes besimtarëve, urrejtjes ndërfetare që duan të nxisin, "është feja, është pikërisht kushtimi i bashkësisë katolike turke dhe i të gjithë kombit  Zemrës së Shenjtë të Jezusit” - shton imzot Kmetec: “Si katolikë në Turqi jemi një pikë uji në det, por duam të jemi një kishë e gjallë, e lidhur me Krishtin Zot, që dëshmon dashurinë e Tij edhe në rrethana të vështira dhe të dhimbshme

10 qershor 2024, 12:25