Shpërndarje ushqimi në Gazë Shpërndarje ushqimi në Gazë

Po çfarë feste pa paqe?

Vuajtjet e fëmijëve të Gazës në zemrat e myslimanëve, që festojnë Kurban Bajramin dhe të atyre, që luten për t'i dhënë fund luftës

R.SH. - Vatikan

Shkrim i Át Ibrahim Faltas (Vikar i Rojtarisë së Tokës Shenjte) për gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”

Luftërat janë gjithmonë tragjedi, luftërat e sotme janë tragjedi të përjetuara drejtpërdrejt. Teknologjia nuk i lë vend imagjinatës: pamjet në kohë reale na japin masën e dhunës dhe të vuajtjes. Së bashku me videot dhe fotografitë tronditëse, bëjnë përshtypje faktet dhe shifrat, që asgjë dhe askush nuk mund t'i ndalë.

Fakte dhe shifra, që nuk janë vetëm fjalë dhe numra, por kanë të bëjnë me gjendjen e vërtetë të shumë njerëzve të shqetësuar e të brengosur. Këto ditë, myslimanët festojnë Kurban Bajramin, festën e flijimit, e cila kujton sakrificën që Zoti i kërkoi Abrahamit. Janë ditë gëzimi, sepse kremtohet feja e thellë e Abrahamit, të cilit Hyji ia ndali dorën, ndërsa ishte gati të sakrifikonte djalin e tij të vetëm.

Këto janë ditë feste, gjatë të cilave bashkësitë e feve të tjera shkëmbejnë me myslimanët dëshirën për paqe dhe çdo bekim, sepse bashkëjetesa paqësore është e mundur. Janë ditë gëzimi, që familjet i festojnë së bashku, duke ngrënë ushqime tradicionale, në kopshte të ndriçuara dhe shumëngjyrëshe, në shtëpi me lloj-lloj zbukurimesh; ditë, në të cilat bëhen dhurata dhe blihen rroba të reja.

Fatkeqësisht, në ditët aktuale, Festa e Flijimit pasqyron, në emrin e saj, sakrificën dhe vuajtjen e shumë familjeve, të cilat nuk mund të bashkohen, sepse shumë anëtarë të tyre kanë vdekur. Fëmijët nuk luajnë të lumtur nëpër kopshte, por kërkojnë vende të sigurta dhe të mbrojtura, sepse shtëpitë janë shkatërruar; nuk presin dhurata dhe rroba të reja, por përpiqen t'u mbijetojnë sëmundjeve, urisë, etjes dhe vapës.

Prekem më shumë nga vuajtjet e fëmijëve, sepse janë gjithmonë të pambrojturit dhe të pafajshmit, që i vuajnë pasojat e luftës. Ka më se 15.000 fëmijë të vrarë e nuk numërohen ata, që kanë mbetur nën rrënoja.

Para 7 tetorit, fëmijët e Gazës me sëmundje të rënda arrinin të mbijetonin dhe të gjenin ilaçe falë ndihmës ndërkombëtare, të njëjtat ilaçe, që tani janë ndalur përtej kufirit dhe vetëm pak metra larg atyre, të cilët kanë aq nevojë për to. Operacionet kirurgjikale kryhen në ato pak spitale gjysmë të shkatërruara: të paktën një mijë fëmijë i janë nënshtruar prerjes së gjymtyrëve pa anestezi. Të dhemb shpirti kur mendon se vetëm pak kilometra larg, 50 mijë fëmijë vuajnë nga mungesa e ushqimit.

Dëmet psikologjike janë të jashtëzakonshme dhe prekin gati një milion të mitur. Akronimi Wcnsf (Wounded child no surviving family), domethënë fëmijë i plagosur pa familje të mbijetuar, u krijua për të identifikuar fëmijët e Gazës, që kanë mbetur jetimë, të lënduar dhe pa dashurinë e ngushëllimin e familjes së tyre.

Pak ditë më parë, më 12 qershor, bashkësia ndërkombëtare kremtoi Ditën Botërore kundër Punës së Fëmijëve. Në Gaza dhe Palestinë, mijëra fëmijë janë bërë kryefamiljarë pas vdekjes, ose arrestimit të prindërve të tyre. Fëmijë, të cilët, në vend që të rriteshin të shkujdesur, befas u bënë të rritur për të ushqyer veten dhe për të mbajtur familjet në vështirësi e varfëri. Për fëmijët që nuk janë më dhe për të gjithë ata që vuajnë në botë, lusim Zotin e Gjithëpushtetshëm për dhuratën e paqes.

E shohim paqen si farën e sinapit, që përmendet në shëmbëlltyrën e Ungjillit sipas Markut, pjesë e liturgjisë së të dielës XI të vitit kishtar. Siç na kujtoi Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot, Hyji është si ajo fara shumë e vogël në jetën tonë: na takon neve detyra për ta mbjellë, me kujdes dhe vëmendje, për të pritur me besim që ajo të mbijë edhe kur duket sikur toka është e thatë e nuk jep fryte. Pikërisht, prania e Zotit në jetën tonë do të na japë shpresën dhe sigurinë se paqja do të lulëzojë!

18 qershor 2024, 14:46