Shqiptarë nga e gjithë Italia në shtegtim në Genazzano për të takuar "Nënën"
R.SH. – Vatikan
Nën mantelin blu të Nënës së Këshillit të Mirë, përforcuar nga ngjyra e kuqe e gjakut të martirëve shqiptarë vrarë ndër shekuj, gjejnë strehë jo vetëm katolikët shqiptarë, por edhe shtegtarë nga bashkësitë arbëreshe, vëllezërit shqiptarë të fesë myslimane, autoritete fetare, civile dhe ushtarake, figura të shquara të artit dhe muzikës, të gjithë të etur për të kaluar një ditë 'bashkëndarjeje' dhe 'bashkimi' në praninë e Nënës së Zotit.
Ky takim, që përsëritet vit pas viti, i shërben bashkësisë shqiptare për të ripërtërirë dhe për të përforcuar nevojën e ruajtjes së dëshmisë për fenë e gjallë, bartës të së cilës janë, të trashëgimisë kulturore dhe të gjuhës, sidomos, shërben për ta falënderuar Nënën Qiellore për të gjitha dhuratat, që i ka bërë popullit shqiptar. Në këtë ngjarje plot kujtime, gëzime dhe emocione, shiheshin besimtarët, të cilët, me thjeshtësi shpirtërore, i ofruan Nënës lotët dhe lutjet për nevojat e ndryshme të familjeve të tyre. Disa iu lutën Nënës së Hyjit të ndërmjetësonte tek Ati Qiellor për të afërmit e vdekur, të tjerë thonin lutjen e falënderimit ose i besoheshin Zojës, disa të tjerë luteshin për ndihmë dhe mëshirë. Të gjithë së bashku, në një simfoni ndjenjash dhe mendimesh, si një kor unanim, në heshtjen e plotë të shpirtit, ofruan si dhurata historitë e tyre të jetës, të cilat kur u vendosën në altar, u bënë gurët më të çmuar të kurorës hyjnore të Mbretëreshës sonë të Këshillit të Mirë.
Kjo ditë lutjeje, heshtjeje, kujtimesh historike dhe ndarjeje të manës që zbret nga qielli, ditë e përsëritur periodikisht në kuadrin e baritorisë së shqiptarëve në Itali, synon të promovojë vlerat njerëzore dhe fenë e krishterë dhe të zvogëlojë dallimet e çdo lloji: politike, fetare, gjeografike e kështu me radhë e, së fundi, të zgjojë brenda shpirtit dëshirën për të nisur të ndërtojmë së bashku, si vëllezër, atë që Papa Pali VI e quajti: 'qytetërimi i dashurisë'.
Ky qytetërim ndërtohet vetëm kur të gjithë impenjohen për të vënë në jetë të vërtetën e fjalëve të Psalmit 133: "Shikoni sa e mirë dhe sa gjë e bukur është që vëllezërit [me ideologji politike, besime fetare, antropologji, përkatësi gjeografike e gjuhësore të ndryshme] të jetojnë së bashku".
Programi i ditës u organizua kryesisht rreth tre boshteve:
a) historia: konferencë shkencore me temë “Nëna e Këshillit të Mirë, ndërmjet historisë dhe përshpirtërisë”;
b) përshpirtëria: procesion në rrugët e Genazzano-s, i shoqëruar me lutje dhe këngë nga devocioni liturgjik popullor, si edhe mesha solemne e kryesuar nga ipeshkvi Simon Kulli dhe e bashkëkremtuar nga shumë meshtarë;
c) argëtimi: dreka e përbashkët në parkun e komunës dhe programi kulturor me këngë e valle, përgatitur nga grupi i bashkëpunëtorëve të Koordinimit Kombëtar të Baritorisë së Katolikëve Shqiptarë në Itali.
Në orën 10.00, besimtarët në pritje të konferencës shkencore, u mblodhën në kishën e vogël të Shën Nikollës, stolisur me flamujt e Vatikanit në qendër dhe me flamujt e Italisë, Shqipërisë dhe Kosovës në anë. Pas përshëndetjes së Át Ludovico Centra, rektor i bazilikës, e morën fjalën kumtuesit. Prof. Italo Sarro paraqiti relacionin me titull: “Nëna e Këshillit të Mirë ndërmjet historisë dhe devocionit”; prof.sha Lucia Nadin: «Shkodra e lashtë “tejet e krishterë” në tokën venedikase, me kultin e tij marian”; prof.sha Enkelejda Shkreli: «Gjuha e shpirtit, e kuptueshme edhe për analfabetët”; don Anton Kodrari: «Duke pranuar se jemi të huaj dhe shtegtarë në tokë – Përmasa teologjike e shtegtimit».
Pas kumtesave, vijuan përshëndetjet institucionale të imzot Simon Kullit, zv.kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare dhe njëkohësisht përgjegjës për Misionet dhe Migrimin e Shqiptarëve Katolikë në botë, i cili i nxiti besimtarët me fjalët e mëposhtme: “Këshilla ime për të gjithë ju është të përpiqemi ta ruajmë trashëgiminë tonë kulturore në vendet ku jetojmë dhe të integrohemi në kulturën e njerëzve që na pritën. Duke ruajtur traditat tona të bukura dhe duke u sjellë si bij të Zotit do të ishim pasuri për Italinë, ashtu si Italia me kulturën, bujarinë e mikpritjen e saj duhet të jetë gjithmonë pasuri për ne". Ipeshkvi e mbylli fjalën e tij me urimin: "Në përqafimin e Virgjërës, Nënës së Këshillit të Mirë, secili prej jush të gjejë ngushëllim dhe qetësi. Qoftë kjo ditë e veçantë strehë paqeje për secilin prej jush dhe për të gjitha familjet tuaja. Të gjithëve, gëzuar festën e Nënës sonë të Këshillit të Mirë!”
Zonja Majlinda Frangaj, ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, e cila vazhdimisht përpiqet të ndërtojë ura ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Selisë së Shenjtë, iu drejtua të pranishmëve me fjalë të ngrohta: “Jam veçanërisht e lumtur që jam me ju. Është gjithmonë emocion dhe gëzim i madh të jesh pjesë e këtij shtegtimi të shqiptarëve, ardhur nga e gjithë Italia për të nderuar fuguren e Nënës së Këshillit të Mirë. Më vjen mirë që është krijuar një marrëdhënie dashurie ndërmjet Genazzano-s dhe Shkodrës e shpresoj që kjo harmoni të vazhdojë përgjithmonë. Për të respektuar gjithë këtë, edhe kësaj radhe erdha me shumë dëshirë dhe, si gjithmonë, më vjen natyrshëm të bëj një lutje para Zojës së Shkodrës për Shqipërinë time dhe për bashkatdhetarët e mi të të gjitha besimeve fetare”.
Imzot Pierpaolo Felicolo, drejtor i përgjithshëm i Fondacionit 'Migrantes': “Krijoni bashkësi shqiptare, vende takimi dhe lutjeje si këtu sot, pra, krijoni një shtëpi larg shtëpisë. Një shtëpi, ku të gjithë mund të gjejnë fenë, historinë, vëllazërimin për të jetuar në Itali me rrënjët e tyre shqiptare. Sot ju ktheheni këtu të shumënumërt pas një kohe të gjatë, nuk është hera e parë që vij... dhe duhet ta dini se ka vërtet shumë punë pas kësaj. Kjo punë duhet të japë fryte në çdo qytet ku mund të lindin bashkësi shqiptare, që dëshmojnë për italianët, si edhe italianët për shqiptarët, besimin në Hyjin që shpëton dhe në Zojën, që ndërmjetëson për ne dhe na merr për e dore e na çon te Zoti”.
Konferenca u mbyll duke kënduar së bashku këngën tradicionale të Zojës së Shkodrës. Menjëherë pas filloi procesioni: djem shqiptarë, të veshur me rroba tradicionale, ecën rrugëve të Genazzano-s, duke mbajtur mbi supe me shumë përkushtim shtatoren e Nënës. Meshtarët e besimtarët, të shoqëruar nga këmbanat e bazilikës, që binin për festë, hynë në kishë për kremtimin eukaristik. Përveç besimtarëve dhe autoriteteve të përmendura më sipër, i pranishëm në meshë ishte edhe kryebashkiaku i Genazzano-s, Alessandro Cefaro. Pas meshës, mes përshëndetjeve dhe bisedave, besimtarët shkuan drejt parkut komunal për të festuar së bashku, me gatimet tradicionale shqiptare dhe me valle e këngë shqiptare e italiane.
Emëruesi i përbashkët i kësaj dite të veçantë ishte bashkëndarja dhe bashkimi, binom që duhet ta pasurojë secilin prej nesh, ashtu siç na mëson Papa Françesku në enciklikën “Fratelli tutti”: Kjo nevojë për të shkuar përtej kufizimeve personale vlen edhe për rajone e vende të ndryshme. Në fakt, ‘numri gjithnjë në rritje i lidhjeve dhe i komunikimeve, që rrethojnë planetin e bën më të prekshëm ndërgjegjësimin për unitetin dhe për ndarjen e një fati të përbashkët ndërmjet kombeve të tokës. Në dinamizmin e historisë, pavarësisht nga ndryshimet ndërmjet grupeve etnike, shoqërive dhe kulturave, shohim farën e e thirrjes për të formuar një bashkësi të përbërë nga vëllezër që e mirëpresin njëri-tjetrin, duke u kujdesur për njëri-tjetrin". [FT 96]
Përkthyer nga teksti italisht i Grupit të Koordinimit Kombëtar për Baritorinë e Katolikëve Shqiptarë në Itali