Shugurimit meshtarak i dom Srećko Franušić në dioqezën e Sapës
R.SH. / Vatikan
Shugurimit meshtarak i dom Srećko Franušić, misionar nga Kroacia, në dioqezën e Sapës, më 8 qershorin e kaluar, në përkujtimin e festës së Zemrës së Papërlyer të Virgjërës Mari, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Vau-Dejës. Kremtimin e Meshës dhe të shugurimit meshtarak e kryesoi ipeshkvi i Sapës imzot Simon Kulli. Nga Vau-Dejës njoftimi i Violeta Marashit:
SHUGURIMI MESHTARAK I DOM SRECKO FRANUSIC
“Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit
Nëse ndokush ha këtë bukë do të jetojë për amshim”
Në përkujtimin e Zemrës së Papërlyer të Virgjërës Mari 8 qershor 2024, Dioqeza e Sapës dhe Bashkësia “Tempulli i Zotit” galduan për birin Dom Srecko Franusic që po i dhurohej Kishës me Shugurimin Meshtarak.
Në bashkëndarje të këtij gëzimi dhe falënderimi ndaj Zotit, besimtarë të shumtë u bashkuan në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Vau-Dejës, për të marrë pjesë në këtë kremtim solemn, përmes lutjes së Shugurimit dhe vendosjes së duarve të Shkëlqesisë së Tij Imzot Simon Kullit .
Pas shpalljes së Ungjillit të ditës, në prani të popullit të Zotit, të rreth 45 meshtarëve nga dioqezat e Shqipërisë, motra të kongregatave të ndryshme, familjarët dhe miqtë e meshtarit të ri, kandidati i përzgjedhur për shugurim, dom Srecko u thirr nga Moderatorja e Përgjithshme e Bashkësisë, Motër Drita Pepaj, dhe duke iu afruar ipeshkvit me nderimin e duhur, kandidati është përgjigjur me fjalët: Ja ku jam!
Më pas Bariu i kësaj grigje, Imzot Simoni mbajti predikimin e rasit ku theksoi se “Secili që i kushtohet Zotit, në momentet e para kur Hyji ia ka propozuar jetën e kushtuar, duke u gjendur përpara kësaj thirrjeje dhe përgjigjeje kaq të lartë dhe hyjnore, patjetër që ka përjetuar të njëjtën situatë si Jeremia profet në leximin e parë: “Eheu, o Zot Hyj! Po, unë nuk di të flas, sepse jam fëmijë!” Dhe është e vërtetë kjo pamjaftueshmëri që ndien shpirti i njeriut për të kryer punët e Hyjit. Por ajo që është edhe më e vërtetë se kjo e para, është se Zoti përmes të njëjtit profet të thotë: “ Mos thuaj: ‘Jam fëmijë!’ Por shko te të gjithë ata që do të të dërgoj dhe thuaju gjithçka do të të urdhëroj. Pikërisht nisur nga kjo shumë i dashur vëlla në Krishtin, dom Srecko, komunikoja miqësinë tënde me Krishtin të tjerëve në veçanti të rinjve, që t’i kushtohen Krishtit në përhapjen e Ungjillit dhe në shërbimin e të varfërve dhe të sëmurëve. Vendos sot dhe mos u lodh kurrë në shërbimin e besimtarëve që do të besohen, duke qenë bari i mirë për të gjithë, një shërbëtor i pa lodhur tek të sëmurët, të varfrit, te fëmijët, të rinjtë të moshuarit” – përfundoi Ipeshkvi.
Ky kremtim i shenjtë kulmoi me ritin e Shugurimit si marrjen e veshjes meshtarake, lyerjen krizmale dhe dorëzimin e bukës dhe të verës. Pikërisht në zemër të ritit të shugurimit të zgjedhurit iu dha dhurata e Shpirtit Shenjtë për shërbimin e meshtarisë (presbiterit). Ipeshkvi, e pas tij të gjithë meshtarët bashkëkremtues, në lutje të heshtur, vendosen duart mbi kryet e të zgjedhurit si shenjë e pranimit në presbiter. Dhe menjëherë pas këtij momenti, Ipeshkëvi shpalli mbi të zgjedhurin të gjunjëzuar përpara tij, lutjen solemne të shugurimit, me të cilën bekoi Hyjin Atë për dhuratën e “këtij bashkëpunëtori për ushtrimin e meshtarisë”.
Ndërsa në liturgjinë eukaristike që vazhdoi si zakonisht, i urdhëruari ushtroi për herë të parë ministerin e tij duke bashkëcelebruar me ipeshkvin dhe me gjymtyrë të tjera të meshtarisë.
Me Urdhërin e Shenjtë, Dom Srecko filloi jetën e re meshtarake, ku Jezusi bëhet një në të e me të, duke i kërkuar gjithë vetveten.
Duke e konkretizuar këtë ditë të shenjtë me lutjet drejtuar Zotit, të gjithë të pranishmit kërkuarn që jeta e Dom Sreckos të jetë e karkaterizuar nga besnikëria dhe dashuria e Jezusit.
Me këtë shugurim misionari nga Kroacia dom Srecko Franusic tashmë ju kushtua përjetësisht Zotit në Urdhrin e Meshtarisë, e do jetë meshtar sipas zemrës së Krishtit.
Kush është dom Srecko Franusic?
Dom Srećko Franušić, lindi në Dubrovnik, Kroaci, më 23 shtator 1984, jetoi në fshatin Luka dhe mbaroi shkollën 8-vjeçare në Ston. Më pas u vendos në Dubrovnik, ku vazhdoi shkollën e mesme profesionale për shërbime turistike. Në vitin e dytë të këtyre studimeve, ndërpreu shkollimin duke u kthyer në shtëpi. Me lënien e shkollës, punoi peshkatar me familjen e tij. Gjatë kësaj kohe, për një periudhë, punoi edhe në turizëm. Por me vonë iu rikthye studimeve dhe mbaroi shkollën.
Nga viti 2008-2012 frekuentoi me besnikëri takimet e lutjes në Dubrovnik, duke dëgjuar fjalën e Zotit dhe duke u thelluar në shpirt lutjeje. Duke ndier thirrjen për një jetë të kushtuar, më 07 tetor 2012 hyri në Bashkësinë “Tempulli i Zotit”, e cila ndodhej në Shkodër, Shqipëri.
Studimet e Filozofisë dhe të Teologjisë pranë Seminarit Ndërdioqezan “Nëna e Këshillit të Mirë” në Shkodër i filloi në vitin 2014 dhe i përfundoi në 2021-in. Krahas studimeve, mësoi si jetohet bashkë me vëllezërit dhe motrat në dashuri, në pranim dhe në shërbim, brenda dhe jashtë Bashkësisë.
Më 14 shtator të vitit 2021 u pranua si kandidat për Urdhrat e Shenjtë, në Dioqezën e Sapës, nga imzot Simon Kulli, ipeshkëv i kësaj Dioqeze. Vazhdoi ecjen formative së bashku me vëllezërit e tjerë të Bashkësisë, po nën kujdesin e imzot Simonit, ku edhe mori shërbesat e Lektoratit dhe të Akolitatit, më 8 dhjetor të vitit 2021.
Më 1 janar 2023, u shugurua diakon, përmes duarve të imzot Simon Kullit. Shërbimin e tij diakonal e ushtroi në Famullinë “Zoja Rruzare”, respektivisht në fshatrat Dajç dhe Kotërr të Zadrimës, si dhe në Famullinë “Shën Panteleoni”, në fshatrat Mabë dhe Dragushë.
Srećko i dha Premtimet e Përjetshme, në kushtim të plotë ndaj Zotit, në Bashkësinë “Tempulli i Zotit”, sipas normave të Statutit të kësaj Bashkësie jete, në fund të vitit që kaloi, me datën 8 dhjetor 2023. Aktualisht ai gëzon rolin e Zëvendës/Moderatorit të Bashkësisë “Tempulli i Zotit”, e njëkohësisht është edhe Përgjegjës i vëllezërve të Bashkësisë.
Si anëtar i Bashkësisë “Tempulli i Zotit” shërbeu vazhdimisht në misionet e zhvilluara nga Bashkësia, në Vau-Dejës, Tiranë, Lezhë, Dajç, por edhe në misione verore të zhvilluara në vendet malore, si: Pukë dhe Tropojë. Dha kontributin e tij në Seminare dhe Takime Lutjeje, brenda organizimit ungjillëzues të Bashkësisë.
Vitet e fundit u kujdesua për të sëmurët dhe të varfrit e Famullive “Zoja Rruzare” Dajç dhe “Shën Panteleoni” Mabë. Ndihmoi Grupet e Lutjes të udhëhequra nga Bashkësia, e gjithashtu, me vëllezër dhe motra të Bashkësisë vizitoi familjet, veçanërisht gjatë bekimit të shtëpive në të dyja Famullitë e lartpërmendura.
Aktualisht është Përgjegjës baritor i Famullive “Zoja Rruzare” dhe “Shën Panteleoni”, këto të besuara kujdesit baritor të Bashkësisë “Tempulli i Zotit”.
Violeta Marashi