Kërko

 Punimet e Sinodit, tetor 2023 Punimet e Sinodit, tetor 2023  (Vatican Media)

Sinodi, teologu Vitali: “Instrumentum laboris i ri do të lindë bashkërisht”

Përfundoi takimi i grupit ndërkombëtar teologjik i thirrur për të punuar dokumentin e ri, të nevojshëm për seancën e dytë sinodale të tetorit. Në qendër të diskutimit, sintezat e Konferencave Ipeshkvnore dhe kontributet e ardhura nga e gjithë bota. Don Dario Vitali, këshilltar i Sinodit: "Komisioni nuk u drejtua nga bindjet e veta, por nga parimi i sinodalitetit, tipik për Kishën". Publikimi parashikohet për dhjetëditëshin e parë të korrikut.

R. SH. - Vatikan

Të dëgjuarit dhe të dalluarit. Këto janë dy elementet themelore që karakterizojnë metodën për hartimin e dokumentit të ri Instrumentum laboris, i domosdoshëm për seancën e dytë të Asamblesë së Përgjithshme të XVI të Sinodit të Ipeshkvijve, që do të zhvillohet tetorin e ardhshëm. Ekipi ndërkombëtar, i përbërë nga rreth njëzet teologë e teologe, që  e përfunduan më 13 qershorin e kaluar, në Romë, fazën e tyre të këshillimit për krijimin e këtij dokumenti, pati një mandat të saktë: të lexonte dhe të kishte parasysh përmbledhjet e dërguara nga Konferencat Ipeshkvnore,   kontributet e mbledhura gjatë takimit ndërkombëtar të Famullitarëve për Sinodin, vëzhgimet e pesë komisioneve teologjike dhe reflektimet e dërguara në Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit nga besimtarë e besimtare, universitete, shoqata besimtarësh dhe individë nga mbarë bota. Parimet sinodale

"Ky komision i madh nuk i përfshin as bindjet e as skemat e tij të mendimet në Instrumentum laboris, por ndjek parimin e sinodalitetit, i veçantë për Kishën", shpjegon Don Dario Vitali, këshilltar i Sinodit dhe pedagog i ekleziologjisë në Universitetin Papnor Gregorian. Teologu, i cili mori pjesë në punën e ekipit ndërkombëtar, kuptoi gjithnjë e më shumë se sa e rëndësishme, pothuajse themelore, është që sesioni i ri sinodal i tetorit të mbështetet nga një tekst që mund të pasqyrojë progresin e bërë deri tani: "Nëse shikojmë seancën e tetorit të kaluar dhe raportin përmbledhës që doli prej saj, mund të vërejmë se është arritur në një mirëkuptim të rëndësishëm për disa çështje, që nuk do të kenë nevojë të diskutohen përsëri, ndërsa në vend të tyre, do të ishte e dobishme të mendohej për tematika të tjera, si ato që lidhen me pyetjen kryesore: “Si të jesh Kishë sinodale në mision”.

Misionaritet dhe pjesëmarrje

Të analizosh marrëdhëniet ndërmjet natyrës misionare dhe sinodalitetit do të jetë një nga sfidat kryesore të seancës së ardhshme të sinodit. “Arritja e ndarjes së një ideje në këtë front kërkon rrugë të gjatë, mendësi të re e  ndryshim ritmi” - shton Vitali - E kjo, ngaqë “nuk ndihesh rehat brenda shtëpisë, sepse jeta e Kishës është jetë shpalljeje, udhëtimi. Është jeta në dalje, siç mendon Papa Françesku”. Një sfidë tjetër, përfundon teologu, është ajo e pjesëmarrjes. “Në të kaluarën - pohon - misioni u besohej, si të thuash, “specialistëve”. Sot të gjithë duhet të marrin pjesë në misionin e Kishës për arsye të dinjitetit të Pagëzimit”.

Sipas komunikimit të Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, publikimi i tekstit pritet brenda dhjetëditëshit të parë të korrikut, pasi Këshilli i Zakonshëm i Sinodit të ketë ndjekur fazat e tjera të hartimit të dokumentit përpara se ta dërgojë për miratimin përfundimtar të Atit të Shenjtë.

15 qershor 2024, 12:12