Vangelo della X domenica anno 'B', Gesù e gli scribi Vangelo della X domenica anno 'B', Gesù e gli scribi

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës X gjatё vitit ‘B’

O Zoti ynë Jezu Krisht, mos lejo që të mos e kuptoj kur më kalon pranë, por bëj të të shoh. Bëj që ta kap fort dorën, që më shtrin, që t’ia hap zemrën fjalës bartëse të dritës e të paqes, bëj të kthehem kah Ti me gjithë shpirtin tim kur të mbërrijë çasti i lum e Ti të më afrohesh

R.SH. - Vatikan

Në Ungjillin e sotëm, marrë nga kreu 3 i shën Markut (20-35), skribët, të verbuar nga dëshira për ta kundërshtuar Zotin, përhapën thashetheme sikur Jezusi kishte pushtet mbi demonët, sepse i ishte nënshtruar Beelzebulit. Para këtyre fjalëve të rreme, Krishti deshi t'u mësojë dishepujve të vet rëndësinë e bashkimit: mbretëria, që Ai erdhi për të vendosur në tokë, nuk do të lëkundet dhe nuk do ta humbasë virtytin nëse ata qëndrojnë të bashkuar. Në këtë të dielë X të vitit kishtar (B), Jezusi na paralajmëron edhe se mëkati kundër Shpirtit Shenjt nuk do të falet. Por le të ndjekim pjesën ungjillore…

Në atë kohë, Jezusi u kthye së bashku me nxënësit e vet në një shtëpi. Prapë u mblodh turmë e madhe sa që as nuk mund të hanin bukë. Kur morën vesh të tijtë, shkuan ta marrin, sepse flitej: “Nuk është në vete”. Kurse skribët që zbritën nga Jerusalemi, thoshin: “E ka në trup Beelzebulin, e me anë të kryetarit të djajve i dëbon djajtë”. Ai i thirri t’i afrohen dhe filloi t’u flasë me shëmbëlltyra: “Si është e mundur që djalli ta dëbojë djallin? Në qoftë se një mbretëri çohet kundër vetvetes, ajo shkatërrohet. Po ashtu edhe ajo shtëpi që çohet kundër vetvetes, shkatërro-het. Nëse, pra, djalli çohet kundër vetvetes dhe përçahet, ai shpartallohet – i erdhi fundi! Dhe dihet që s’ka njeri që mund të hyjë në shtëpinë e të fortit dhe t’ia marrë plaçkat pa e lidhur atë më parë. Vetëm atëherë mund t’ia plaçkisë shtëpinë. Për të vërtetë po ju them: njerëzve do t’u falen të gjitha mëkatet e blasfemitë, me të cilat do të blasfemojnë, por kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’do të ketë falje për amshim: është fajtor i një mëkati të përhershëm.” Sepse thoshin: “Ka qoftëlargun në trup!” Ndërkaq erdhën nëna e tij dhe vëllezërit e tij. Zunë vend përjashta dhe dërguan dikënd ta thërrasë. E kishin rrethuar shumë njerëz. Po i thonë: “Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e po të kërkojnë.” Ai u përgjigj: “Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?” Si ua hodhi sytë rreth e rrotull atyre që rrinin për rreth tij, tha: “Ja nëna ime e vëllezërit e mi! Sepse, kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im, motra ime, e nëna!”

Të lutemi së bashku

Jo, nuk mund ta refuzojmë pa u dënuar

Hirin që na dhuron Zoti,

as të mungojmë pa u shqetësuar

në takimet që na jep Ti, o Jezus,

e as të mos e marrim seriozisht kaq lehtë

veprimin e Shpirtit Shenjt.

 

As nuk mundemi – gjë, që do të ishte edhe më keq –

t’ia atribuojmë djallit atë që, përkundrazi,

është shenjë e mirësisë dhe e dhembshurisë së Hyjit,

gjurmë e qartë e asaj bote të re

që Ti erdhe të realizosh.

 

Xhelozia, smira,

meskiniteti e vogëlsitë e shumta,

sot, ashtu si dymijë vjet më parë,

janë tepër të rrezikshme kur

na bëjnë të injorojmë, pa pyetur aspak,

gjithçka që Ti po kryen në mesin tonë.

Logjika dhe arsyetimet tona,

vendimet e kriteret tona,

sot, ashtu si dymijë vjet më parë,

duken të rrezikshme kur

bëhen pretekst, motiv

për të mos e pranuar shëlbimin, që na dhurohet.

 

Prandaj, po të përgjërohem, o Zoti ynë Jezu Krisht,

mos lejo që të mos e kuptoj

kur më kalon pranë, por bëj të të shoh.

Bëj që ta kap fort dorën, që më shtrin,

që t’ia hap zemrën fjalës bartëse të dritës e të paqes,

bëj të kthehem kah Ti me gjithë shpirtin tim

kur të mbërrijë çasti i lum e Ti të më afrohesh.

08 qershor 2024, 11:09