Kërko

Corpus Christi Corpus Christi

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së Korpit të Krishtit 'B'

Në atë bukë,/Ti, o Jezus, na dhe Korpin tënd/që vetëm pas pak/do të gozhdohej në kryq./Në atë verë, Ti na ofrove/Gjakun, që do të derdhje/për një besëlidhje të re e të amshuar./ /të thyesh bukën e të pish nga një kelk i vetëm/do të thotë të bashkohesh me Ty,të marrësh pjesë në vdekjen e ringjalljen Tënde.Sepse kur marrim Korpin tënde pimë Gjakun tënd ne fitojmë jetën e amshuar...

R.SH. - Vatikan

"Ky është Korpi im, ky është Gjaku im”: këto fjalë i dëgjojmë çdo herë që kremtojmë Meshën Shenjte, Eukaristinë, janë fjalë që na përkujtojnë Besëlidhjen e Re e të Amshuar që Zoti ka vendosur me njerëzimin, nëpër Birin e vet Jezu Krishtin, për shpëtimin e mbarë botës

Jezu Krishti na premtoi të rrijë me ne deri në fund të botës e, siç dëshmon Ungjilli i kësaj feste, marrë nga kreu 14 i Shën Markut (12-16.22-26), e mban fjalën në shumë mënyra. Është me ne përmes Fjalës, gjithnjë e gjallë, që i çon besimtarët tek Ati Qiellor. Por, është edhe më i pranishëm në sakramentin e Korpit dhe të Gjakut të tij, solemnitet, që u kremtua më 3 qershor, por që Kisha, për të lehtësuar pjesëmarrjen e besimtarëve, e kremton të dielën. Le të ndjekim pjesën ungjillore nga Marku…

12 Ditën e parë të Pabrumeve, kur flijohej qengji i Pashkëve, nxënësit e tij i thanë: “Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkëve?” 13 Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet dhe u tha: “Shkoni në qytet e atje do t’ju takojë një njeri, që mbart një katrovë uji: shkoni pas tij. 14 Ku të hyjë ai, i thoni zotshtëpisë: ‘Mësuesi thotë: ku është salloni im, ku do të mund të ha Pashkë me nxënësit e mi?’ 15 Ai do t’ju tregojë në kat një sallon të madh, të shtruar e të përgatitur. Aty na përgatitni darkën”. 16 Nxënësit u nisën, arritën në qytet dhe gjetën gjithçka ashtu si u kishte thënë dhe e përgatitën darkën e Pashkëve. 22 Ndërsa po hanin darkë, Jezusi mori bukën e bekoi Hyjin, e theu, ua dha e tha: “Merrni, ky është korpi im!” 23 Pastaj mori gotën, u falënderua e ua dha. Të gjithë pinë prej saj. 24 U tha: “Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë. 25 Për të vërtetë, po ju them: nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri atë ditë, kur do ta pi të ri në Mbretërinë e Hyjit”. 26 Pasi e kënduan himnin, u nisën drejt Malit të Ullinjve.

 

Të lutemi së bashku:

Ato që shqipton o Krisht,

nuk janë fjalë të errëta,

të asaj nate para Mundimeve.

Në atë bukë,

Ti na dhe Korpin tënd

që vetëm pas pak

do të gozhdohej në kryq.

Në atë verë, Ti na ofrove

Gjakun, që do të derdhje

për një besëlidhje të re e të amshuar.

 

Nuk është gjest i çfarëdoshëm

gjesti, që atë mbrëmje, o Krisht,

ua besove apostujve.

Sepse të thyesh bukën e të pish nga një kelk i vetëm

do të thotë të bashkohesh me Ty,

të marrësh pjesë në vdekjen e ringjalljen Tënde.

Sepse kur marrim Korpin tënd

e pimë Gjakun tënd

ne fitojmë jetën e amshuar.

 

Nuk është dhuratë e vogël, o Krisht,

ajo, që Ti na bën, përmes Eukaristisë.

Të thirrur nga mëshira e Atit,

të marrë për dore nga Shpirti Shenjt,

ne hyjmë në Pashkët e tua

e shndërrohemi nga dashuria jote.

Kështu, burra e gra, të çdo race e kombi,

bëhemi një familje e vetme,

bëhemi Korpi yt, që edhe sot,

na rimëkëmb, na shëron, na liron e na mbështet.



01 qershor 2024, 10:10