Vangelo della XI domenica anno 'B' Vangelo della XI domenica anno 'B'

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës XI gjatё vitit ‘B’

...Ti, o Jezus, na e kujton:/Ati, Ai i Lumi i bën planet e tij, pa zhurmë e bujë,/me mjete të thjeshta, nganjëherë, krejt të parëndësishme,/duke thirrur në shërbim gra e burra/të brishtë, të kufizuar, si ne të gjithë./Në të vërtetë, rëndësi ka rezultati/e ai është gjithnjë, pa dyshim mahnitës./Por, për të arritur në atë çast/kërkohet durimi e besimi/i atij, që ia lë tokës farën e vet,/i atij, që di të presë, pa ngut,/ realizimin e premtimeve...

R.SH. - Vatikan

Jezusi, përmes dy shëmbëlltyrave të pjesës së Ungjllit të Markut, e krahason Mbretërinë e Zotit, praninë e Tij, që gjindet në zemrën e sendeve e të vetë botës, me farën e senapit, domethënë, me farën më të vogël  të mundshme. E pra, e hedhur në tokë,  ajo rritet aq, sa të bëhet  pema më e madhe. Kështu bën Zoti!

Kur mbillet në zemrën e njeriut, mbretëria e Zotit rritet vetë. Ungjilli, marrë nga kreu 4 i Shën Markut (Mk 4, 26-34), në të dielën XI gjatë vitit kishtar, e paraqet këtë mrekulli të Hyjit përmes kokrrës së sinapit, e cila rritet vetvetiu, nën kujdesin e Atit Qiellor e jo me forcat e njeriut. Prandaj, Jezu Krishti na mëson të kemi durim, të presim e të mos shkurajohemi. Por le të ndjekim pjesën ungjillore nga Marku:

26 Në atë kohë, Jezusi u thoshte kështu njerëzve: “Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e qet farën në dhe. 27 Si të flejë si të rrijë zgjuar natë e ditë, fara mbin, rritet - pa ditur ai se si. 28 Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcyllin, pastaj kallirin e në fund kallirin plot kokrra. 29 E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes”. 30 Dhe thoshte: “Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit? Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? 31 Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur qitet në dhe; 32 por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet; lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj”. 33 Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte Fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; 34 por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha.

Të lutemi së bashku

Të mësuar me stilin e të pushtetshmëve të kësaj bote

që u bien borive me të madhe,

që i ndezin të gjitha dritat mbi vete,

që ngrenë skena e mendojnë skenografi

për të vënë në dukje praninë e tyre,

arrijmë të besojmë, o Jezu Krisht,

se edhe Zoti, në këtë mënyrë vepron.

Por Ti na e kujton:

Ai i Lumi i bën planet e tij, pa zhurmë e bujë,

me mjete të thjeshta, nganjëherë, krejt të parëndësishme,

duke thirrur në shërbim gra e burra

të brishtë, të kufizuar, si ne të gjithë.

 

Në të vërtetë, rëndësi ka rezultati

e ai është gjithnjë, pa dyshim mahnitës.

Por, për të arritur në atë çast

kërkohet durimi e besimi

i atij, që ia lë tokës farën e vet,

i atij, që di të presë, pa ngut,

realizimin e premtimeve.

 

Por Ti e di, s’është e lehtë

të ecësh nëpër këto rrugë pak të shkelura:

të tërheqin më shumë rezultatet e menjëhershme,

turmat e mëdha, tejet të fuqishme,

që ndryshojnë opinion sipas dëshirës së ndokujt,

tërheq gjithçka, që mbart në vetvete

ndjesinë e efikasitetit e të forcës,

që imponohet mbi publikun.

 

Na ndihmo o Krisht, ta kapërcejmë tundimin

e konsensusit e të popullaritetit,

sepse plani yt i dashurisë

nuk ka nevojë aspak për to.

 

15 qershor 2024, 11:16