Ukraina, lirohen dy priftërinj. Zelensky falënderon Selinë e Shenjtë
R.SH. / Vatikan
At Ivan Levytskyi dhe At Bohdan Heleta, Etër të Kongregatës së Shën Shëlbuesit, janë ndërmjet 10 personave të liruar nga Rusia në një shkëmbim të burgosurish me Ukrainën. Dy priftërinjtë u arrestuan më 16 nëntor 2022 dhe për një kohë të gjatë për ta nuk kishte asnjë lajm. Duke njoftuar lirimin e këtij grupi njerëzish në një postim, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shkroi: "U shpreh mirënjohjen të gjithë atyre, që ndihmuan. Falënderoj skuadrën tonë që punon për lirimin e të burgosurve. E dëshiroj të vlerësoj edhe përpjekjet e Selisë së Shenjtë për t'i rikthyer këta njerëz në shtëpi".
Dy të redentoristët kishin mbetur në territoret e pushtuara
Ndjenja të ngjashme shprehu edhe primati e kreu i Kishës Katolike Greke të Ukrainës, Fortlumturia e Tij Sviatoslav Shevchuk, i cili falënderoi Papën Françesku, kardinalin Pietro Parolin dhe të gjithë trupin diplomatik të Vatikanit.
Falenderime të veçanta iu drejtuan kardinalit Matteo Zuppi, i cili bëri thirrje të vazhdueshme për lirimin e dy rregulltarëve, si dhe Kryeipeshkvit Visvaldas Kulbokas, nunc apostolik në Ukrainë. Secili prej tyre - lexojmë në një deklaratë të Kishës Katolike Greke të Ukrainës - dha një kontribut të paçmuar personal për ta bërë këtë ngjarje realitet.
Deklarata kujton gjithashtu se priftërinjtë Ivan Levytskyi dhe Bohdan Heleta kishin vendosur të qëndronin me bashkësinë në territoret e pushtuara përkohësisht, duke kryer shërbesën e tyre si për bashkësitë katolike greke, ashtu edhe për ato katolike romake. U arrestuan me akuzën e fshehjes së armëve.
Kohët e fundit, primati dhe kreu i Kishës Katolike Greke të Ukrainës mori lajmin se dy redentoristët ishin ende gjallë.
E tani, janë edhe të lirë!