Kërko

 Concilio di Nicea Concilio di Nicea

Koncili i Nikesë frymëzon unitetin e plotë të të krishterëve

25 korriku është një datë e rëndësishme për krishterimin. Në vitin 325 pas Krishtit në Nikea u mbajt ngjarja e parë ekumenike në historinë e krishterimit, e cila dha shkas një besimi të përbashkët feje, i cili për 1700 vjet ka përfaqësuar një element në të cilin të krishterët mund të identifikohen dhe të gjejnë unitet.

R.SH. / Vatikan

25 korriku është një datë e rëndësishme për krishterimin. Koncili i Nikesë, i pari koncil a këshill ekumenik i Kishës në histori,  mbajtur në maj-qershor të vitit 325 pas Krishtit, në qytetin e Nikesë, në Bitini (sot Iznik, Turqi), ngjarje vendimtare për historinë e Kishës, u mbyll solemnisht, si sot, më 25 korrik të vitit 325.

Ky Koncili i Nikesë do të mbushë 1700 vjet në vitin 2025 dhe përkon me Jubileun e Shpresës të shpallur nga Papa Françesku. Sot kujtojmë ngjarjen e parë ekumenike në historinë e krishterimit që u mbajt në Nikea, në vitin 325 pas Krishtit, ku u vendos një besim i përbashkët feje, i cili për 1700 vjet ka përfaqësuar një element në të cilin të krishterët mund të identifikohen dhe të gjejnë unitet.

Nikea është një qytet i Lindjes ku, në vitin 325 mbas Krishtit, u mblodh Koncili i parë dhe i vërtetë Ekumenik i Kishës, i njohur nga katolikët, ortodoksët, ungjillorët, nga të gjitha Kishat, pa asnjë përjashtim. Një e papritur: u thirr e u kryesua nga Perandori Kostandin, i cili para ndonjë viti e kishte pranuar fenë e krishterë për të gjithë Perandorinë romake, pas dy shekujve, gjatë të cilëve mbi gjakun e martirëve, derdhur rrëke, kishte lindur një popull i panumërt, por shumë i trazuar, sidomos në Aleksandri e në Egjipt, ku kishte ndeshje të ashpra doktrinore.

E kjo e dëmtonte forcën centraliuzuese të Perandorisë romake. Në qendër të kundërshtimeve ishte ipeshkvi Arius, që e mohonte natyrën e vërtetë hyjnore të Krishtit, duke e parë Jezusin si njeri të lindur nga një grua e pastaj të bijësuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga Ati Hyjnor. Nuk ishte Zot, pra. I ngjashëm me Atin, në greqisht omoioùsios, por jo i njënjëshëm, greqisht Omooùsios.

Katër vjet para ngjarjes konciliare, një sinod vendas, i thirrur nga ipeshkvi Aleksandër, e kishte shkishëruar ipeshkvin Arius. Po ai e ndjekësit e tij vijonin ta përçanin Kishën. Kundërshtimi tjetër lidhej me datën e kremtimit të Pashkëve. Kishat e krishtera nuk ishin, e nuk janë ende, pas mijëra vjetësh, të një mendjeje edhe për datën e saktë, e të përbashkët, të kremtimit të Pashkëve.

Gjithë këto ngjarje krijonin një rrezik të vërtetë për Perandorinë romake. E atëherë, për ta shmangur, Kostandini thirri, me shpenzimet e veta, më 20 maj, në Nike, rreth 300 ipeshkvij, të gjithë lindorë, me përjashtim të pesë prelatëve: Marku i Kalabrisë; Çeçili, afrikan kartagjenas; Ozi, spanjoll nga Kordova; Nikasi i Dizhonit, nga Galia dhe Domnusi, nga zona danubiane. Dhe ishte e natyrshme, sepse grindja mbi doktrinën e Arius ndjehej më shumë në Lindje. Dy priftërinj-delegatë përfaqësonin Papën Silvestër, ipeshkëv i Romës. U përurua, kështu, një praktikë, që do të vijonte në shekuj.

Duke u bazuar në dokumentet konciliare, mësojmë se në Koncilin e Nikesë (325), ishin të pranishëm disa ipeshkvij të Dardanisë e të Maqedonisë, troje që përkojnë me Shqipërinë etnike lindore. Diskutimi, në pallatin perandorak, qe shumë i ashpër. Tregojnë kronikat se Ipeshkvi Nikolla i Mirës, domethënë Shën Nëkolli, nuk mundi ta durojë ipeshkvin Arius që nuk merrte vesh me fjalë, dhe e goditi me shuplaka. Po ai vijonte të ngulte këmbë në të tijën, i mbështetur vetëm nga Euzebi, ipeshkëv i Nikomedisë, derisa të dy u deklaruan njëzëri heretikë dhe përçarës të fesë e të Kishës.

Në përfundim Koncili hartoi një formulë, thelb i fesë, që mbeti në historinë e Kishës me emrin Simboli niken e që e shpallte Krishtin Zot i vërtetë e Njeri i vërtetë. Sipas Formulës, Jezusi ishte Zot, jo i krijuar, por i njëgjëjtë me Atin: i lindur prej Atit para gjithë shekujve, i mishëruar për virtyt të Shpirtit Shenjt në Jezusin e Nazaretit, e pastaj i kryqëzuar, i vdekur e i ngjallur vërtet, në kundërshtim me teoritë gnostike, që mohonin mishërimin e vdekjen, të padenja për realitetet hyjnore. U morën vendime edhe për qëndrimin që duhej mbajtur ndaj atyre, të cilët asokohe njiheshin me emrin ‘lapsi’. Ishte fjala për të krishterët e parë, të cilët, në kohën e persekutimeve, nga frika e martirizimit, e patën tradhtuar fenë, si dhe për pagëzimin e heretikëve, që kthehesh në fenë e vërtetë. Vinin më pas, një mori kanunesh a rregullash praktike, ndërmjet të cilave, ndalimi i vetgjymtimit seksual, pasojë e marrëzisë së seksofobisë, a urrejtjes për seksin, e, sidomos, njohja parisë së ipeshkvit të Romës, ndjekur nga ai i Aleksandrisë dhe i Jeruzalemit.

Koncili u mbyll solemnisht më 25 korrik të vitit 325, ditë e njëzetvjetorit të sundimit të Perandorit Kostandin,‎ i cili në lutjen përfundimtare, duke ndaluar çdo debat kristologjik, miratoi edhe datën përfundimtare të Pashkëve të krishtera, të ndryshme nga ato hebraike, dhe shpalli sigurimin e unitetit të ri e të vërtetë të mbarë Kishës. Papa Silvestër, nga Roma, pak më vonë, e miratoi Koncilin, që mbeti si ngjarje e madhe në gjithë historinë e Kishës katolike. 

25 korrik 2024, 12:25