Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: Inteligjenca Artificiale dhe sfida për paqen

Jo më larg se dje, përfundoi në Hiroshimë të Japonisë, takimi dy ditor “Inteligjenca Artificiale – Etika për paqen”, gjatë të cilit 16 përfaqësues të feve lindore nënshkruan Thirrjen e Romës e, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë, edhe Shtesën e Hiroshimës, ku theksohet nevoja për ta përdorur Inteligjencën Artificiale vetëm për të mirën e njerëzimit dhe i kërkohet bashkësisë ndërkombëtare të përdorë mjete paqësore për të zgjidhur çdo konflikt

R.SH. – Vatikan

Hiroshima është vend thellësisht simbolik, sepse dëshmon për pasojat shkatërrimtare, që mund të sjellë teknologjia, por është edhe simbol i kërkimit të vazhdueshëm të paqes. Më të lidhet figura e Sadako Sasakos, një vajzë japoneze, e cila ishte vetëm dy vjeçe kur bomba atomike u hodh në Hiroshimë, më 6 gusht 1945. Pas shpërthimit, Sadako nuk pësoi dëmtime të dukshme, por dhjetë vjet më vonë, në vitin 1954, u diagnostikua me një formë leuçemie të shkaktuar nga rrezatimi. Gjatë shtrimit në spital, Sadako filloi të bënte kurilla apo krilla letre (zogj të ngjashëm me lejlekun) duke përdorur teknikën e origamit. Gjesti i saj u frymëzua nga një legjendë japoneze sipas së cilës kujtdo që bën një mijë kurilla do t'i plotësohet një dëshirë. Pavarësisht nga sëmundja dhe dhimbja e vazhdueshme, Sadako arriti të palosë 1300 kurilla, para vdekjes së saj, më 25 tetor 1955.

Dëshira nuk iu plotësua, por vendosmëria dhe shpresa e saj, që atëherë, kanë qenë frymëzim për njerëz të panumërt në mbarë botën. Pas vdekjes, miqtë dhe shokët e shkollës filluan mbledhjen e fondeve për të ndërtuar një monument kushtuar Sadakos dhe gjithë fëmijëve, viktima të bombës atomike. Ky monument u përurua në vitin 1958 në Parkun Përkujtimor të Paqes në Hiroshimë. Në të shihet Sadako, që larton një kurillë të artë drejt qiellit. Kurilla prej letre, bërë me teknikën e origamit, është kthyer në një nga simbolet ndërkombëtare të paqes.

Çdo vit, miliona kurilla letre dërgohen në monument nga e gjithë bota si tribut dhe lutje për paqen. Asnjë qytet tjetër nuk e mishëron kaq shumë urgjencën për t’u siguruar që teknologjia të jetë forcë për të mirën. Ky është mesazhi qendror në "Thirrjen e Romës për Etikën e Inteligjencës Artificiale". Secili prej nesh e di brishtësinë dhe dobësinë e vet para të këqijave të mëdha, që tronditin botën e sotme: jemi si fletë letre, të palosura nga historia dhe nga luftërat, të cilat ende e trondisin botën. Teknologji si Inteligjenca Artificiale nuk i bëjnë hi e pluhur strukturat e betonit dhe të tullave ku jetojmë, por, potencialisht, kanë aftësinë të shkatërrojnë çka na mban bashkë. E ashtuquajtura “Inteligjencë Artificiale gjeneruese” – që imiton krijimtarinë e njeriut, pasi mund të “gjenerojë” imazhe, tekste e muzikë, që nuk ekzistonin më parë, duke u bazuar në disa të dhëna fillestare - mund ta ndryshojë aftësinë tonë për të bashkëjetuar, mund ta kompromentojë besimin tek të tjerët dhe të na transformojë në armiq: jashtë çdo kontrolli etik, Inteligjenca Artificiale gjeneruese ka fuqinë të luajë rolin e hakerit në sistemin tonë operativ kulturor.

 Prandaj, kemi nevojë për barriera etike: kemi nevojë për algoretikën. E kjo duhet arritur edhe me kontributin e traditës së madhe të urtisë njerëzore, mbledhur e transmetuar nga fetë. Veprimtaria "Inteligjenca Artificiale – Etika për Paqen”, në Hiroshimë, mblodhi liderët e shumicës së feve të botës për të nënshkruar "Thirrjen e Romës për Etikën e IA-së".

Duke nënshkruar këtë Thirrje, udhëheqësit fetarë ripohuan impenjimin për t’u siguruar që Inteligjenca Artificiale të përdoret për të mirën e njerëzimit. Kjo ngjarje nxjerr në pah idenë se përballimi i sfidave të paraqitura nga kjo teknologji kërkon përpjekje kolektive dhe punë të vazhdueshme nga të gjithë protagonistët, qofshin organizata, qeveri, kompani teknologjike apo institucione fetare. Thirrja bazohet në gjashtë parime themelore: transparencë, përfshirje, përgjegjësi, paanshmëri, besueshmëri, siguri dhe privatësi. Këto parime janë veçanërisht të rëndësishme në kuadrin e Inteligjencës Artificiale gjeneruese, fushë me zhvillim të shpejtë, me mundësinë për të revolucionarizuar shumë aspekte të jetës.

 Addendum (Shtesa) e Hiroshimës, paraqitur gjatë ngjarjes, vë në dukje rëndësinë e zbatimit të parimeve të Thirrjes së Romës për të siguruar përdorimin e përgjegjshëm dhe etik të Inteligjencës Artificiale gjeneruese. Ndër aspektet e ndryshme, Shtesa nënvizon nevojën për transparencë, duke theksuar se ajo që gjenerohet nga makina duhet të njihet menjëherë si e tillë. Gjithashtu, kërkon që mjetet e Inteligjencës Artificiale të respektojnë ndryshimet ndërmjet kulturave, traditave dhe gjuhëve njerëzore.

Impenjimi i nënshkruesve të Thirrjes shkon përtej deklaratës për parime etike; përfshin edhe përgjegjësinë për zhvillimin dhe zbatimin e IA-së, sidomos për ndikimin afatgjatë të këtyre teknologjive në mjedis dhe në shoqëri. Hiroshima mblodhi së bashku njerëz vullnetmirë nga e gjithë bota për të realizuar një algoretikë të frytshme. Tani i takon secilit prej nesh t'i përgjigjemi këtij impenjimi global me kontributin tonë.

11 korrik 2024, 10:20