Çelësi i fjalëve të Kishës: korriku, muaji i Gjakut të Paçmueshëm të Jezu Krishtit
R.SH. – Vatikan
Korriku është muaji që tradicionalisht i kushtohet devocionit për Gjakun e Paçmueshëm të Jezusit, festa e të cilit kremtohej më datën 1 të këtij muaji. Me reformën e kalendarit liturgjik, në vitin 1970, kjo festë u bashkua me solemnitetin e Corpus Domini (Korpit të Krishtit), por kulti për Gjakun e Paçmuar të Krishtit nuk duhet të bjerë në harresë, madje duhet të promovohet në mesin e besimtarëve, siç pati kërkuar Papa Gjoni XXIII në vitin 1960 me letrën apostolike «Inde a primis».
Kulti i gjakut të Jezusit ka rrënjë biblike, duke filluar nga shkrimet e Shën Palit apostull, i cili e paraqet atë si një mjet shlyerjeje mëkatesh (Rm 3,25; Ef 1,7), shfajësimi (Rm 5,9) dhe bashkimi (1 Kor 10, 16; Efesianëve 2,13) deri te Libri i Zbulesës, i cili paraqet vizionin e të shpëtuarve, petkat e të cilëve u bënë të bardha nga gjaku i Qengjit (Zbulesa 7,14).
Kisha ka lindur nga Gjaku i Krishtit dhe e ruan atë si amanetin më të shenjtë. Shenjtorët më të mëdhenj kanë qenë të gjithë besimtarë, dashamirës dhe predikatarë pasionantë të këtij Gjaku të Paçmueshëm, që na shëlbon dhe, nëpërmjet Sakramenteve, na pastron dhe na shenjtëron.
Kështu, nderimi a kulti i Gjakut të Paçmueshëm të Jezusit, në Kishën Katolike, është devocion i veçantë që lidhet me Mundimet e Krishtit. Besimtarët dëshmojnë, kështu, se e njohin flijimin e Krishtit, i cili derdhi Gjakun për shpëtimin e njerëzimit. Ky Gjak bëhet i pranishëm përmes dhuratës së Eukaristisë dhe mund ta marrim në meshë së bashku me Korpin e Krishtit, në lëndët e bukës dhe të verës.
Me kalimin e kohës, Kisha katolike ka caktuar të kremte të ndryshme kushtuar Gjakut të Krishtit, por vetëm në shekullin e 19-të u themelua një festë universale për këtë. Gjatë Luftës së Parë italiane të Pavarësisë, Papa Piu IX shkoi në mërgim në Gaeta, nga 1848 deri më 1849, së bashku me dom Giovanni Merlinin, eprorin e tretë të përgjithshëm të Etërve të Gjakut të Paçmueshëm të Krishtit. Ndërsa vazhdonte lufta, dom Merlini i sugjeroi Papës të vendoste një festë universale të Gjakut të Paçmueshëm të Krishtit për t’i kërkuar ndihmë Hyjit që t’i jepte fund luftës dhe të rivendoste paqen në Romë. Më 30 qershor 1849, Piu IX e shprehu botërisht synimin për të themeluar një të kremte për nder të Gjakut të Krishtit. Lufta përfundoi shpejt dhe Papa u kthye në Romë pak më vonë.
Më 10 gusht, ai e zyrtarizoi këtë qëllim dhe njoftoi se e diela e parë e korrikut do t'i kushtohej Gjakut të Paçmueshëm të Jezu Krishtit. Më vonë, Papa Piu X caktoi 1 korrikun si datë për këtë festë. Pas Koncilit II të Vatikanit, festa u hoq nga kalendari, por u vendos një meshë kushtimi për nder të Gjakut të Krishtit, që duhej kremtuar gjatë muajit korrik, por edhe në pjesën më të madhe të muajve të tjerë të vitit.
Për këtë arsye, i gjithë muaji korrik i kushtohet tradicionalisht Gjakut të Krishtit dhe katolikët nxiten të meditojnë mbi flijimin e Jezusit e mbi gjakun e derdhur për shumë vetë, siç thuhet në Ungjill. Lutja, që thuhet në fillim të meshës kushtuese është kjo:
O Atë, që me Gjakun e Paçmueshëm të Birit tënd të vetëm shëlbove gjithë njerëzit, ruaje në shpirtin tonë veprën e mëshirës sate, që duke kremtuar këto mistere të shenjta, të fitojmë frytin e shëlbimit tonë. Për Krishtin, Zotin tonë. Amen.
E ja edhe një tjetër lutje, që mund të përdoret për meditim personal gjatë muajit korrik:
Të pranuar në tryezën tënde shenjte, o Zot, kemi marrë me gëzim ujë nga gurra e Shëlbuesit. Po të lutemi që Gjaku i tij të bëhet brenda nesh burim uji, që na çon drejt jetës së pasosur.
Ja lutja e bukur që shqiptohet pas Kungimit të Shenjtë të Eukaristisë gjatë Meshës.
Shpirti i Krishtit, më shenjtëro mua.
Trupi i Krishtit, më shëlbo mua.
Gjaku i Krishtit, deh më ngij mua.
Ujët e kraharorit të Krishtit, më pastro mua.
Mundimi i Krishtit, më forco mua.
O i ëmbli Jezus, më dëgjo mua.
Ndër plagë të tua më fshih mua.
Mos lejo të ndahem prej teje.
Prej armikut të shpirtit më dil zot mua.
Në fill të mortjes sime, Ti më thirr mua.
Bëj që unë të vij me Ty,
e me shenjtërit të të lëvdoj Ty,
përgjithmonë e motit të jetës. Amen!