Kërko

Papa Françesku para Zojës së Guadalupes Papa Françesku para Zojës së Guadalupes

Çelësi i fjalëve të Kishës: shenjtërorja e Zojës së Guadalupes

Më e rëndësishmja nga ngjarjet amerikane, që përcaktuan përfundimisht devocionin popullor për Virgjërën Shenjte, është pa dyshim çka ndodhi në Guadalupe. Bazilika e Zojës së Guadalupes në Meksikë është shenjtërorja me numrin më të madh të shtegtarëve në botë

R.SH. – Vatikan

Periudha e pushimeve verore është për të krishterët edhe kohë shtegtimesh fetare, sidomos në shenjtëroret kushtuar Zojës së Bekuar, që përbëjnë 80% të shtegtimeve në të gjithë botën. Vendet ku shën Maria u është dukur besimtarëve janë kthyer në shenjtërore me famë ndërkombëtare, që frekuentohen çdo vit nga miliona vetë. Mjafton të përmendim Zojën e Guadalupes në Meksikë, Zojën e Fatimës në Portugali, Zojën e Çestokovës në Poloni, Zojën e Loretos në Itali, Zojën e Vladimirit në Moskë, Zojën e Velankanit në Indi, Zojën e Lavangut në Vietnam, Zojën e Akitës në Japoni, Zojën e Paqes së Yamoussoukro në Bregun e Fildishtë, Zojën e Afrikës në Algjeri, Zojën e Altötting në Gjermani, Walsingham në Angli, ose Lourdes në Francë dhe shumë e shumë të tjera, ku mblidhen mijëra shtegtarë për ta nderuar dhe për t’iu lutur Virgjërës për ndërmjetësim.

Të mos harrojmë se vizitën e parë Zojës Mari ia bëri kryeengjëlli Gabriel, që e lajmëroi për lindjen e Jezusit e për planin e Zotit për të. Aty ku Shën Maria i tha “po” Hyjit, ngrihet sot Bazilika e Nazaretit, që është shenjtërorja e parë mariane universale. Në ciklin që fillojmë sot, prej 10 emisionesh, do të përmendim Shenjtëroret mariane më të vizituara në botë, duke zgjedhur dy prej tyre për secilin kontinent, me vetëdijen se do të japim thjesht disa shembuj, pa qenë shterues në këtë drejtim. Sot, paraqesim një nga shenjtëroret mariane në Amerikë.

Zoja e Guadalupes
Zoja e Guadalupes

Shenjtëroret mariane në Amerikë

Takimi i parë i amerikanëve autoktonë me Virgjërën Mari ndodhi përmes ungjillëzimit të spanjollëve dhe portugezëve. Vetë Kristofor Kolombi kishte një përkushtim të veçantë për Zojën. Provë e kësaj është flamuri i tyre dhe emërtimi Concepción i ishullit të dytë ku arritën. Më e rëndësishmja nga ngjarjet amerikane, që përcaktuan përfundimisht devocionin popullor për Virgjërën Shenjte, është pa dyshim çka ndodhi në Guadalupe. Bazilika e Zojës së Guadalupes në Meksikë është shenjtërorja me numrin më të madh të shtegtarëve në botë.

Kompleksi i Zojës së Guadalupes

Kjo Shenjtërore katolike ndodhet në kodrën Tepeyac të Qytetit të Meksikos, ndërtuar për të kujtuar dukjet e Virgjërës së Guadalupes para vendasit autokton Juan Diego Cuauhtlatoatzin. Është vendi më i rëndësishëm i kultit në gjithë Amerikën Latine, me rreth 20 milionë shtegtarë në vit, 9 milionë prej të cilëve në ditët afër 12 dhjetorit, ditë në të cilën kremtohet Virgjëra. Kompleksi formohet nga Kisha dhe ndërtesa të ndryshme. Kryesorja është “Bazilika e re e Shën Marisë së Guadalupes”, projektuar nga arkitekti meksikan Pedro Ramírez Vázquez e përuruar më 12 tetor 1976. U ndërtua për të zëvendësuar bazilikën e lashtë, që po fundosej së bashku me tokën, për shkak të peshës.

Në shenjtërore ruhet manteli (tilmàtli) i Juan Diego-s, mbi të cilin u duk për mrekulli imazhi i Marisë, portretizuar si një indiose e re: për shkak të lëkurës së saj të zeshkët, ajo quhet “Virgen morenita” nga besimtarët. Bazilika e lashtë, që quhet Tempulli i Krishtit Mbret për shlyerjen e mëkateve, sot, është shpëtuar nga fundosja, megjithëse projekti ende s’ka përfunduar. Kisha tjetër e kompleksit është Tempulli i Pocito-s, i lidhur me mrekullitë e Zojës. E pastaj, famullia e kapuçineve, në anën lindore të Bazilikës së Lashtë, kapela e Cerrito-s dhe famullia e Indiosve.

Dukja e Zojës para Juan Diegos
Dukja e Zojës para Juan Diegos

Historia e Zojës së Guadalupes

Historia e lidhur me Zojën e Guadalupes është jashtëzakonisht magjepsëse. Të gjithë e njohin misterin e figurës së saj, ngulitur në mantelin e indiosit të kthyer në krishterim, Jaun Diego Cuauhtlatoatzin. Fugure e pashpjegueshme nga shkenca, që konsiderohet “akerotipe”, pra, jo e bërë nga dora e njeriut. Të gjithë e dinë misterin e syve të saj, ku janë ngulitur si në film fytyrat e atyre, që dëshmuan mrekullinë, ose faktin e pashpjegueshëm të dy engjëjve, pikturuar më pas, që u fshinë pak nga pak, ndërsa figura e Marisë Virgjër i reziston ende kohës, pavarësisht nga acidi citrik, që ra mbi të, ose nga bomba që i shpërtheu në këmbë.

Dukjet me ngjyrat dhe aromat e pranverës, në dimrin e ftohtë

Në agimin e 9 dhjetorit 1531, një figurë solemne, mjaft e madhe, iu duk të riut indios Juan Diego, në kodrën Tepeyac, në periferi të Qytetit të Meksikos. Gruaja, plot shkëlqim, e veshur me diell, me fytyrë të zeshkët, iu paraqit të riut me fjalët: "Unë jam e përsosura gjithnjë Virgjër, Nëna e Zotit më të vërtetë, për të cilin jetojmë". Kërkoi ndërtimin e një shtëpie të vogël shenjte e i tha të riut t’ia thoshte këtë ipeshkvit, i cili nuk e besoi.

Në dukjen e katërt, më 12 dhjetor, Virgjëra Mari i kërkon Juanit të ngjitet në kodër dhe të mbledhë lule. Ishte dimër, por i riu gjen lule të njomura nga vesa. Lulet e Kastiljes. I mbledh në mantel e ia çon ipeshkvit. Manteli shpaloset para ipeshkvit, lulet bien dhe zbulojnë imazhin e Zojës, në këmbë, me duar të bashkuara, fytyrën pak të përkulur dhe sytë gjysmë të mbyllur. Një mantel me yje mbulon flokët e saj të errët dhe shtrihet deri në tokë. Veshja rozë zbukurohet me lule, një rrip i rrethon gjoksin dhe zbulon amësinë e saj të afërt, sipas zakonit të grave azteke. Në këmbët e saj, një gjysmëhënë, ndërsa pas saj, rrezet e shndritshme të diellit, të ngjashme me mandorlën mistike të artit romanik perëndimor.

Bazilika e Zojës së Guadalupes
Bazilika e Zojës së Guadalupes

Emri Guadalupe iu diktua nga vetë shën Maria Virgjër Juan Bernardino-s, xhaxhait të Juan Diego-s, pasi iu duk për ta shëruar nga një sëmundje e rëndë. Disa hipotizojnë se ai është transkriptimi spanjoll i shprehjes azteke Coatlaxopeuh, "ajo që shtyp gjarprin" (shih Zan 3,14-15), ose se i referohet Manastirit Real de Nuestra Señora de Guadalupe, themeluar nga Mbreti Alfonso XI i Kastiljes në komunën spanjolle të Guadalupes, në vitin 1340. Që nga dukja e saj e fundit, më 12 dhjetor 1531, Zoja e Guadalupes nderohet nga katolikët si pajtore qiellore dhe mbretëreshë e gjithë popujve të gjuhës spanjolle e të kontinentit amerikan, në veçanti.

18 korrik 2024, 09:18